Imam Buhariu përcjell në Sahih-un e tij (nr. 4015) nga Amr ibn Auf el-Muzeni se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) kishte dërguar Ebu Ubejdeh ibn el-Xherah në Bahrejn për të sjellë prej andej xhizjen (taksën). Kur banorët e Medinës dëgjuan për ardhjen e Ebu Ubejdes falën namazin e sabahut me Profetin (alejhi salatu ue selam) dhe i dolën atij para (për t’i qarë hallet). I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) buzëqeshi kur i pa dhe iu tha:
-Mesa duket keni dëgjuar se Ebu Ubjedeh ka sjellë diçka?
-Po i Dërguari i Allahut, -iu përgjigjën ata.
– Atëherë ai u tha: “Gëzohuni pra dhe shpresoni për atë që do t’iu kënaq, sepse pasha Allahun nuk kam frikë se do t’iu kaplojë varfëria, por kam frikë se do t’iu ofrohet dynjaja ashtu siç iu ofrua atyre që ishin para jush, dhe ju do të konkurroni për të ashtu siç ata konkurruan për të, dhe do t’iu shkatërrojë juve ashtu siç i shkatërroi edhe ata.”
Koment:
Padyshim që pasuria ashtu si varfëria, shëndeti dhe çdo gjë tjetër në këtë botë, është sprovë për njeriun. Në Islam, në dallim me disa besime të tjera, vetë pasuria nuk është diçka e keqe në vetvete, përkundrazi një besimtar i pasur që i përkushtohet Zotit, respekton obligimet dhe kontribuon me pasurinë e tij, është më i mirë sesa një tjetër ndryshe nga ai. Vetë Profeti (alejhi salatu ue selam) kishte qenë tregtar dhe po kështu edhe miqtë dhe besnikët e tij më të afërm kishin qenë të tillë, dhe kurrë nuk e përçmuan pasurinë si diçka të keqe në vetvete.
Ajo që Islami refuzon, që bëhet i qartë nga ky hadith, është rendja pas pasurisë për hir të pasurisë, është konkurrimi dhe garimi për të përfituar çfarë të mundim me çdo mjet të mundshëm, është gjakimi i saj për hir të rehatisë dhe luksit që ajo na ofron dhe jo vetë pasuria, e cila është një mirësi e Zotit për njerëzit.
Islami dënon rendjen e ethshme për pasuri pa pasur një qëllim apo kauzë sublime në vetvete, dënon konkurrencën pa etikë dhe skrupuj moral në fitimin e pasurisë dhe jo vetë pasurinë apo rrugët e ndershme dhe morale të fitimit të saj.
Maks Veberi, ka shkruar një vepër lapidare në sociologji “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” ku konstaton se zhvillimi kapitalist i botës moderne -sipas tij- lindi pikërisht nga etja e fetarëve puritanë protestantë për të qenë të suksesshëm në këtë botë dhe për tu pasuruar dhe për ta shtuar pafundësisht këtë pasuri, jo për hir të vetë pasurisë, por për hir të kauzës së besimit. Dhe bota perëndimore është sot aty ku është, falë edhe këtij shpirti konkurrues të lindur në fillimet e tij mes njerëzve të përkushtuar fetar.
Nëse teoria e Veberit qëndron, ai do të duhej ta zhvendoste lindjen e kapitalizmit etik dhe premisat e zhvillimit industrial të botës tek ardhja e Islamit, i cili para protestantizmit kalvinist dha modelin e tij moral dhe etik sesi duhej trajtuar pasuria dhe paralajmëroi se ku qëndronte rreziku i saj. Ai u mësoi ndjekësve të tij, se pasurinë është e rëndësishme ta kenë nëpër duar me shumicë, por jo në zemër, që me të të kërkojnë botën tjetër dhe jo kënaqësitë e kësaj bote.
Dhe pikërisht në momentin kur muslimanët, apo një pjesë e mirë e tyre, e humbën këtë busull orientuese dhe ranë në batakun e kërkimit të rehatisë dhe luksit përmes pasurisë që fitonin, humbi edhe kauza sublime, etika dhe morali në rendjen pas kësaj pasurie. Për rrjedhojë është e lehtë të marrësh me mend se çfarë pasojash fetare, morale dhe sociale apo edhe politike, mund të sjell lakmia dhe babëzia pa fre për të fituar me çdo kusht dhe mënyrë.
Bota e sotme, mes tyre edhe muslimanët, në shumicën e saj vuan pikërisht nga konkurrenca e ethshme për pasuri, pa pasur si qëllim Ahiretin, ndaj dhe jemi në këtë degradim fetar, moral, social dhe politik ku gjendemi sot.