Për plot tre vjet, familja e të riut Ed’hem el-Benna jetoi me bindjen se ai kishte rënë dëshmor, pasi ishte përhapur lajmi se kishte humbur jetën bashkë me tre vëllezërit e tij. Ata pritën ngushëllimet, hapën të pamen për të dhe të afërmit e përcollën me bindjen se nuk do të kthehej më.
Megjithatë, përpjekjet për ta gjetur nuk u ndalën kurrë. E fejuara e tij shiti stolitë e saj prej ari, ndërsa familja mblodhi aq sa mundi për të angazhuar një avokat, që të kërkonte qoftë edhe gjurmën më të vogël të tij, ose trupin e pajetë, vetëm që ta dinin se ku do ta varrosnin njeriun e tyre të dashur.
Por ajo që ndodhi më pas ishte më afër një mrekullie.
Pas tre vitesh mungesë, u zbulua se Ed’hemi kishte qenë i burgosur në burgjet e okupimit izraelit. Disa ditë më parë ai u lirua dhe u kthye i gjallë te familja dhe e fejuara e tij, pasi të gjithë kishin jetuar për vite me radhë në dhimbje dhe me bindjen se ai kishte ndërruar jetë.
Kjo histori përmbledh përmasat e tragjedisë që kanë përjetuar dhe vazhdojnë të përjetojnë banorët e Gazës, ku shumë familje ende nuk e dinë fatin e bijve të tyre, mes të zhdukurve, të burgosurve dhe dëshmorëve, në një luftë që ka goditur njeriun, gurin dhe pemën.
