Çfarë dimë për ngjarjet në fshatin Tell, pranë Nablusit në Bregun Perëndimor?

Më të lexuarat

Katër palestinezë ranë dëshmorë, ndërsa dy ushtarakë izraelitë, njëri me gradën major, u vranë të premten pranë fshatit Tell, në jugperëndim të Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar. Ngjarja ndodhi pasi banorët e fshatit u përballën me një sulm të kolonëve izraelitë, gjatë të cilit pati shkëmbim zjarri.

 

Pas kësaj, forcat pushtuese vendosën një rrethim të rreptë ushtarak mbi fshatin Tell dhe qytetin e Nablusit, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi një mbledhje urgjente me ministrin e Mbrojtjes, shefin e Shtabit të Ushtrisë dhe drejtorin e Shërbimit të Sigurisë së Brendshme për të diskutuar zhvillimet.

Si nisën ngjarjet?

Sipas korrespondentit të Al Jazeeras, duke cituar burime palestineze, gjithçka filloi pranë fshatit Tell, në jugperëndim të Nablusit, afër pikës koloniale “Havat Gilad”, pasi fshati u sulmua nga kolonë izraelitë.

Pamje të shpërndara në rrjetet sociale treguan kolonë të armatosur rëndë duke sulmuar palestinezët në fshat përpara se të ndodhte incidenti me armë zjarri pranë “Havat Gilad”.

Banorët palestinezë u përleshën fizikisht me kolonët në përpjekje për të mbrojtur shtëpitë dhe tokat e tyre nga sulmi, i cili zhvillohej nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite. Video të publikuara më pas tregojnë forcat pushtuese duke hapur zjarr intensiv dhe të drejtpërdrejtë ndaj palestinezëve, gjë që çoi në rënien dëshmorë të katër anëtarëve të së njëjtës familje.

Nga ana tjetër, autoritetet izraelite deklaruan se një palestinez arriti t’i merrte armën një ushtaraku izraelit dhe e përdori atë. Gazeta “Israel Hayom” raportoi se ai ia rrëmbeu armën përgjegjësit të sigurisë së vendbanimit “Zavatz” dhe hapi zjarr ndaj tij dhe izraelitëve të tjerë.

Ushtria izraelite njoftoi se palestinezi që kreu sulmin u vra gjatë përleshjes dhe se arma e marrë u rikuperua.

Gjithashtu, ushtria bëri të ditur se shefi i Shtabit urdhëroi dërgimin e përforcimeve të mëdha në zonën e Nablusit dhe arrestimin e të gjithë personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në ngjarje, duke vazhduar operacionet që i cilëson si luftë kundër “terrorizmit” në veri të Bregut Perëndimor.

Radioja e Ushtrisë Izraelite raportoi se hetimet paraprake tregojnë se të shtënat ndaj izraelitëve nuk kishin qenë të planifikuara paraprakisht.

Më vonë, korrespondenti i Al Jazeeras raportoi se forcat pushtuese bastisën Spitalin Specialistik të Nablusit.

Bilanci i ngjarjes

Sipas bilancit fillestar:

* Katër palestinezë ranë dëshmorë.
* Katër të tjerë u plagosën, tre prej tyre në gjendje të rëndë, nga plumbat e ushtrisë izraelite në fshatin Tell.
* Burime mjekësore paralajmëruan se numri i dëshmorëve mund të rritet.

Korrespondenti i Al Jazeeras konfirmoi gjithashtu se forcat pushtuese arrestuan një nga palestinezët e plagosur gjatë bastisjes së Spitalit Specialistik të Nablusit.

Në anën tjetër, shërbimi izraelit i emergjencës dhe Korporata Publike e Transmetimit njoftuan për vrasjen e dy izraelitëve dhe plagosjen e tre të tjerëve.

Ushtria izraelite bëri të ditur se të vrarët ishin:

* Një oficer, komandant njësie në Korpusin e Blinduar.
* Një ushtar i Brigadës “Jerusalem”.

Spitali “Ichilov” në Tel Aviv njoftoi se ekipet mjekësore po përpiqeshin të shpëtonin jetën e një të plagosuri në gjendje kritike, ndërsa Kanali 14 izraelit raportoi se ushtria përdori helikopterë për evakuimin e të plagosurve pranë “Havat Gilad”.

Reagimet izraelite

Ushtria izraelite shpalli rrethim të plotë ushtarak mbi Nablusin dhe fshatin Tell, duke njoftuar dërgimin e forcave shtesë pranë vendbanimit “Havat Gilad”.

Radioja e Ushtrisë raportoi se u vendos dërgimi i pesë kompanive ushtarake shtesë në Bregun Perëndimor pas ngjarjeve në Tell.

Kryeministri Benjamin Netanyahu zhvilloi një takim urgjent me ministrin e Mbrojtjes Israel Katz dhe shefin e Shtabit Eyal Zamir për të diskutuar reagimin izraelit ndaj incidentit, duke deklaruar se qeveria do të veprojë me vendosmëri dhe nuk do të lejojë rikthimin e sulmeve në Bregun Perëndimor.

Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir kërkoi që ushtria të shkatërrojë shtëpitë e “terroristëve” dhe të mbështetësve të tyre, duke deklaruar se “për çdo hebre të vrarë, armiku duhet të humbasë tokë dhe shtëpi”.

Ndërkohë, ministri i Financave Bezalel Smotrich deklaroi se banorët e “Havat Gilad” janë “mbrojtësit e Izraelit” dhe premtoi vazhdimin e mbështetjes për ta. Ai kërkoi që ushtria të godasë me forcë çdo fshat palestinez prej të cilit kryhet një sulm, me qëllim vendosjen e sovranitetit izraelit.

Smotrich shkoi edhe më tej, duke njoftuar se do t’i kërkojë Netanyahut ngritjen e një vendbanimi të ri kolonial pranë vendit të ngjarjes dhe deklaroi se fshatrat Tell, Irak Burin dhe Beit Furik duhet të trajtohen njësoj si kampet e refugjatëve në Nablus dhe Tulkarem.

Reagimet palestineze

Lëvizja Hamas

Hamasi shprehu ngushëllime për dëshmorët e fshatit Tell dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Lëvizja e cilësoi atë që ndodhi si një ekzekutim në terren dhe një krim të ri lufte, duke përshëndetur luftëtarin nga fshati Tell që arriti t’ia merrte armën njërit prej sulmuesve dhe ta përdorte kundër tyre.

Hamasi u bëri thirrje palestinezëve në Bregun Perëndimor të përshkallëzojnë përballjen me pushtimin në të gjitha pikat e kontaktit.

Zëdhënësi i Brigadave Izz ed-Din el-Kassam, Ebu Ubejda, përshëndeti operacionin dhe lavdëroi qëndresën e banorëve të Bregut Perëndimor, duke bërë thirrje për mbrojtjen e vendeve të shenjta dhe të nderit të popullit palestinez.

Ndërsa Zaher Xhabarin, drejtues i Hamasit në Bregun Perëndimor, deklaroi për Al Jazeera se gjaku i palestinezëve nuk do të derdhet kot dhe se populli nuk do t’i dorëzohet pushtimit dhe terrorit të organizuar që, sipas tij, mbështetet nga qeveria e Netanyahut.

Lëvizja Fatah

Fatah deklaroi se masakra e kryer nga ushtria izraelite dhe kolonët dëshmon për thellimin e karakterit terrorist dhe kriminal të sistemit kolonial izraelit, i cili synon të zbatojë projektet e dëbimit dhe zhvendosjes së palestinezëve, duke vazhduar luftën shkatërrimtare kundër popullit palestinez në Gaza dhe në Bregun Perëndimor.

Sipas deklaratës, kjo masakër, e cila pason ngjarje të ngjashme në Deir Xharir, Beit Furik, Xhalud dhe El-Mugajjir, e vendos bashkësinë ndërkombëtare përballë përgjegjësisë për heshtjen ndaj dhunës së kolonëve dhe forcave pushtuese.

Lëvizja Xhihadi Islamik

Lëvizja u bëri thirrje palestinezëve dhe të gjitha forcave aktive në Bregun Perëndimor të bashkojnë radhët dhe të intensifikojnë përballjen me kolonët dhe ushtrinë izraelite në të gjitha zonat e kontaktit, për mbrojtjen e tokës dhe vendeve të shenjta.

Analiza ushtarake

Eksperti ushtarak, gjeneral brigade Hasan Xhuni, gjatë analizës së tij në Al Jazeera, tha se zhvillimet e fundit janë vazhdimësi e sulmeve të kolonëve ndaj palestinezëve që nga fillimi i muajit korrik.

Sipas tij, këto sulme janë pjesë e një politike izraelite që synon kontrollin e plotë të Bregut Perëndimor dhe forcimin e pranisë koloniale.

Ai shpjegoi se forca izraelite e angazhuar është një formacion i përzier ushtarak me specialitete të ndryshme, që synon kontrollin e zonës përreth Nablusit dhe lidhjen e korridoreve që mbrojnë vendbanimet koloniale.

Gjenerali paralajmëroi se situata është jashtëzakonisht e tensionuar dhe se ekziston rreziku i një cikli hakmarrjesh të ndërsjella, gjë që do të çojë në shtim të mbylljeve ushtarake, bastisjeve dhe operacioneve të sigurisë.

Ai shtoi se deklaratat e Smotrichit dhe Ben-Gvirit përbëjnë mbulim politik për veprimet ushtarake dhe pasqyrojnë një vizion që synon copëtimin gradual të Bregut Perëndimor përmes zgjerimit të kolonive.

Krime që vazhdojnë

Këto zhvillime ndodhën vetëm një ditë pasi më shumë se katër mijë kolonë hynë në Xhaminë Al-Aksa me rastin e asaj që ata e quajnë “Përvjetori i shkatërrimit të Tempullit”, me pjesëmarrjen e ministrave ekstremistë si Itamar Ben-Gvir.

Qeveria izraelite, sipas raportit, po ndjek një strategji që u jep kolonëve dritën jeshile për të marrë kontrollin mbi tokat palestineze.

Sulmet e përsëritura ndaj fshatrave palestinezë synojnë dëbimin e banorëve nga tokat bujqësore dhe kullotat e tyre, për të mundësuar zgjerimin e vendbanimeve koloniale.

Në të njëjtën kohë, qindra mijëra kolonë janë armatosur nga e djathta ekstreme izraelite dhe gëzojnë mbështetje të plotë ushtarake gjatë sulmeve ndaj shtëpive dhe xhamive palestineze, duke e bërë përplasjen dhe vetëmbrojtjen e banorëve një realitet të vazhdueshëm në shumë zona të Bregut Perëndimor.

Pas ngjarjeve në Tell, kolonët sulmuan automjete palestineze në zonë, ndërsa sulme të ngjashme u regjistruan edhe në fshatrat Xhit dhe Irak Burin në jug të Nablusit.

Korrespondenti i Al Jazeeras raportoi gjithashtu se kolonët zhvilluan sulme të gjera në fshatra dhe qytete të Nablusit, Tulkaremit, Xheninit dhe Kalkilias.

Sipas Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, që nga fillimi i këtij viti, në Bregun Perëndimor kanë rënë dëshmorë 86 palestinezë, prej të cilëve 21 janë vrarë nga kolonët.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit