Falënderimet Allahu i takojnë, salavate e selame të Dërguarit të Allahut i dërgojmë, familjes, shokëve të tij dhe të gjithë atyrë që atë e pasojnë.
Një prej sprovave më të mëdha është kur prindi është i mirë, i devotshëm dhe i lidhur me fenë, ndërsa fëmija i tij largohet nga rruga e drejtë. Kjo na mëson se:
udhëzimi nuk trashëgohet,
por është mirësi që nga Allahu dhurohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Ti nuk mund ta udhëzosh atë që e do, por Allahu e udhëzon kë të dojë.” (El Kasas, 56)
Shkaqet kryesore për devijimin e fëmijëve të të udhëzuarve janë dhjetë:
1. Mungesa e edukimit të zemrës.
Disa fëmijë rriten në një shtëpi fetare, por nuk edukohen sa duhet me frikën ndaj Allahut, dashurinë për Të dhe vetëdijen se Ai i vëzhgon gjithmonë. Prandaj, kur largohen nga mbikëqyrja e prindit, bien lehtë në devijim.
2. Mospërputhja mes fjalës dhe veprës.
Kur prindi urdhëron për fe, por në shtëpi shfaq padrejtësi, ashpërsi apo sjellje të keqe, kjo e dobëson ndikimin e fjalës së tij në zemrën e fëmijës. E dihet se vepra është më ndikuese sesa vetë fjala.
3. Shoqëria e keqe.
Shoku i keq është prej shkaqeve më të rrezikshme të devijimit, sepse ai e zbukuron dhe e normalizon haramin dhe të keqen. Për këtë Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Njeriu është në fenë e mikut të tij, andaj secili të shikojë se kë po e shoqëron/po e merr për mik.” (E shënojnë Ebu Davudi, nr. 4833, Tirmidhiu, nr. 2378 dhe Ahmedi, nr. 8398, ndërsa ky është teksti i transmetimit të Ahmedit)
4. Interneti dhe rrjetet sociale.
Sot shumë fëmijë edukohen më shumë nga telefoni sesa nga vetë prindërit. Prej aty marrin dyshime, shthurje, ide të gabuara dhe largim nga feja. Andaj, kuptoje mirë hadithin profetik: “Njeriu e arrin mëngjesin si besimtar, ndërsa e arrin mbrëmjen si jobesimtar…”. (E shënon Hakimi, nr. 6263 me këtë tekst, ndërsa Ahmedi, nr. 18404 dhe Ebu Davud Tajalisiu, nr. 840 e kanë shënuar me një ndryshim të vogël në tekst)
5. Ashpërsia e tepruar në edukim.
Disa prindër mendojnë se edukimi bëhet vetëm me qortim, presion dhe ndalim. Kjo shpesh e shtyn fëmijën drejt rebelimit dhe mosdëgjimit. Butësia sjell vetëm të mira, e ashpërsia prish çdo gjë.
6. Mungesa e lutjeve drejtuar Allahut të Lartësuar.
Shumë prindër përpiqen me mjete, por harrojnë se zemrat janë në dorën e Allahut të Lartësuar. Prandaj lutja për fëmijët është prej shkaqeve më të mëdha të udhëzimit të tyre. Ibrahimi (alejhi selam), edhe pse vetë me duart e tij i dheu idhujt që adhurohen krahas Allahut, e bëri këtë lutje: “O Zoti im! Bëje këtë qytet të qetë e të sigurt dhe më ruaj mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.” (Ibrahim, 35)
7. Neglizhimi i fazave të hershme të edukimit.
Shumë prindër e shtyjnë edukimin fetar duke menduar se fëmija do të kuptojë kur të rritet. Mirëpo, zemra e fëmijës është më e pranueshme për të vërtetën në moshë të vogël. Çdo neglizhencë në këtë periudhë mund të lërë pasoja që shfaqen më vonë.
8. Mungesa e kujdesit për problemet dhe shqetësimet e fëmijës.
Kur prindërit nuk i dëgjojnë hallet, pyetjet dhe dilemat e fëmijëve të tyre, ata shpesh kërkojnë përgjigje te njerëz të gabuar ose në burime të pasigurta. Kjo mund t’i ekspozojë ndaj ideve dhe rrugëve të devijuara.
9. Mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi.
Disa të rinj, pasi fitojnë njohuri, aftësi apo sukses në jetë, mashtrohen nga vetja dhe mendojnë se nuk kanë nevojë për këshilla e udhëzim. Mendjemadhësia ka qenë gjithmonë prej shkaqeve kryesore të largimit nga e vërteta.
10. Dyshimet që hidhen ndaj fesë.
Në kohën tonë janë përhapur shumë dyshime kundër Islamit përmes internetit, mediave dhe njerëzve të devijuar. Kur fëmija nuk ka bazë të fortë diturie dhe nuk u drejtohet hoxhallarëve për sqarim, këto dyshime mund të ndikojnë në besimin dhe qëndrueshmërinë e tij.
Këto janë dhjetë shkaqe përse fëmijët devijojnë,
Të bëjmë kujdes se vitet shpejt kalojnë,
Fëmijët tanë i kemi amanet nga Zoti jonë,
Le t’i rrisim me iman që rrugën e drejtë ta ndjekin gjithmonë.
/Hoxhë Burim Koçinaj/
🖇 https://t.me/hoxheburimkocinaj
