Ulen të ardhurat nga diaspora

0
41

Diaspora kosovare vitin e kaluar ka dërguar rreth 60 milionë euro më pak. Të dhënat tregojnë se vetëm në tremujorin e parë të këtij viti ka dërguar 6 milionë euro më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2011 totali i të hyrave vjetore nga remitencat ka qenë 379.6 milionë euro, apo 14 për qind më pak sesa në vitin 2010, e që në total kanë qenë 442 milionë euro. Këto të dhëna u bënë publike gjatë prezantimit të projektit të UNDP-së dhe IOM-it “Inkuadrimi i diasporës në zhvillimin ekonomik”.

“Një e gjetur që bie në sy është se, me gjithë perceptimin publik, shuma e të hyrave të remitencave në Kosovë ka rënë për 14 për qind në vitin 2012 krahasuar me vitin paraprak, që paraqet një rënie të ashpër e cila ndodh pikërisht në mesin e krizës financiare në Evropë”, tha Osna Lubrani, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, tha se studimet e tilla janë një ndihmesë për institucionet në hartimin e politikave të favorshme për të ardhmen e vendit.

“Ministria e Diasporës mbetet e përkushtuar që të japë gjithë kontributin e vet konform kornizave ligjore dhe ndër objektivat kryesore është identifikimi inkurajimi dhe përkrahja e investimeve të huaja, me theks të veçantë investimeve të pjesëtarëve të diasporës. Ministria e Diasporës, në bashkëveprim me institucionet e tjera shtetërore, do të angazhohet në hartimin e politikave të favorshme, për investime nga diaspora, sepse e vlerësojmë shumë të rëndësishme në këtë aspekt shqyrtimin e mundësive të krijimit të ofertave të favorshme fiskale, sidomos duke pasur parasysh faktin se investimet potenciale të pjesëtarëve të diasporës në vendin e tyre të origjinës, janë matësi kryesor i stabilitetit të ekonomisë në Kosovë dhe sinjal pozitiv shumë i rëndësishëm për investitorët nga shtetet e huaja”, tha Makolli.

Gazmend Luboteni, kryetar i Bordit të BQK-së, tha se dërgesat e emigrantëve janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Dy segmente jashtëzakonisht të rëndësishme për fuqizimin e ekonomisë së Kosovës, janë dërgesat e emigranteve dhe investimet e huaja direkte. Mirëpo, për fat të keq, për shkak të ndikimeve të krizës financiare dhe zhvillimeve në eurozonë, ka pasur një rënie mjaft të konsiderueshme në tremujorin e parë të vitit 2012 në dërgesat e emigranteve, e që janë diku rreth 6 milionë euro. Mirëpo, megjithatë ne nuk jemi shumë pesimistë në këtë drejtim, për shkak se zakonisht në mesin e vitit kur është fluksi më i madh i punëtorëve tanë, që punojnë jashtë, mund të ndryshojë situata dhe të ngrihet ai niveli, i cili për momentin është më i ulët, në krahasim me vitin e kaluar. Kështu që përsëri jemi optimist”, tha Luboteni.

Jorge Baca, shef i misionit të IOM-it, tha se Kosova është duke dalë nga një histori e vështirë para së cilës ka pasur shumë sfida.

“Befasues mbetet solidariteti mes kosovarëve gjatë kohëve të vështira. Diaspora ka qëndruar prapa familjeve të tyre, duke dërguar miliona euro dhe se pas konfliktit ata kanë ndihmuar Kosovën në rindërtimin e saj. Sfidat për Kosovën janë ende të mëdha dhe se sfida më e madhe mbetet papunësia e cila është nga 40 deri në 50 për qind. Diaspora vazhdon t’i mbështet familjet e tyre me remitencat të cilat janë rreth 400 milionë euro, e që janë një kontribut substancial. Sfidë po ashtu mbetet edhe sjellja e diasporës për të investuar në Kosovë”, tha Baca.

Anketa e UNDP-së tregon se 25 për qind e familjeve kosovare pranojnë remitenca. Shumica prej tyre vijnë në para të gatshme nëpërmjet rrjeteve të institucioneve financiare, ndërsa pjesa tjetër sillet nga vetë diaspora. Pothuajse e gjithë remitenca që marrin kosovarët shpenzohet për ushqim, veshmbathje dhe banim.koha/kohaislame