Në Sde Teiman… gjumi ishte ëndrra e vetme

Më të lexuarat

Tre muaj e gjysmë i kaluam në kampin e paraburgimit të Sde Teiman, por koha atje nuk matej me ditë; ajo matej me orë të rënda që gllabëronin trupin dhe shpirtin.

Duart i kishim vazhdimisht të lidhura, sytë të mbuluar, nuk shihnim veç errësirës dhe nga bota nuk njihnim asgjë tjetër përveç zërit të rojës dhe urdhrave të tij. Na detyronin të qëndronim në një pozitë të caktuar ulur, pa pasur të drejtë ta ndryshonim qoftë edhe për një centimetër, sikur qëllimi të mos ishte vetëm burgosja, por vetë prodhimi i dhimbjes.

Më shumë se tetëmbëdhjetë orë çdo ditë i kalonim në atë pozitë të tmerrshme. Shpina ulërinte nga dhimbja, qafa ngurtësohej, gjymtyrët mpiheshin, ndërsa na ndalohej të flisnim; madje edhe një pëshpëritje mund të bëhej shkak për një ndëshkim të ri. Asgjë nuk e thyente heshtjen, përveç britmave të ushtarëve ose zhurmës së hapave të tyre, sikur ai vend të ishte krijuar për ta bindur njeriun se dhimbja është gjendja normale e jetës.

Edhe vapa përvëluese e shkretëtirës, në atë kamp pranë Negevit dhe rrethinës së Gazës, ishte një bashkëpunëtore e përhershme e torturës. Vetë ajri të digjte frymëmarrjen, ndërsa tenda shndërrohej në një furrë të mbyllur. Nuk kishte hije që ta zbusnte vapën, as një fllad që t’i jepte trupit një çast pushimi.

Mes gjithë kësaj, prisnim vetëm një çast… çastin kur na lejohej të flinim.

Nuk gëzoheshim sepse do të flinim, por sepse trupat tanë të rraskapitur do të çliroheshin, qoftë edhe për pak orë, nga tortura e uljes që kishte zgjatur një ditë të tërë. Vetëm katër orë na lejoheshin. Katër orë për të shtrirë shpinat e lodhura nga dhimbja, para se të fillonte një betejë tjetër; beteja me mendimet, ankthin, shqetësimet, frikën për familjen dhe pyetjet që nuk gjenin përgjigje.

Në këto ditë përvëluese, kur nxehtësia shtohet dhe ne kërkojmë një hije, një gllënjkë ujë ose një fllad të lehtë, kujtoni se pas mureve të burgjeve ka burra që nuk kanë asnjërën prej tyre. Kujtoni të burgosurit e Sde Teimanit, të Oferit, të Negevit, të Megidos dhe të gjitha burgjeve të pushtimit; aty ku vapa e verës shndërrohet në një mjet torture, ku të shtrihesh bëhet ëndërr, gjumi bëhet dëshirë e paarritshme dhe lëvizja një luks i ndaluar.

Mos lejoni që lajmet për të burgosurit të kalojnë si diçka e zakonshme. Përmendini në lutjet tuaja, tregoni historitë e tyre, përcillni vuajtjet e tyre dhe mbajeni gjallë çështjen e tyre në ndërgjegjen tuaj. I burgosuri nuk ka nevojë për mëshirë, por për një popull që nuk e harron, për një kujtesë që nuk e tradhton dhe për një zë që vazhdon të dëgjohet derisa ai të kthehet i lirë.

Sa për ne që dolëm prej andej, do të vazhdojmë ta rrëfejmë këtë histori… sepse pas çdo dere të mbyllur në burgjet e pushtimit, ende ndodhet një i burgosur që pret ta dëgjojë bota zërin e tij dhe të mos braktiset nga familja e tij dhe nga atdheu i tij.

I burgosuri i liruar: Rami Ebu Zubejde

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit