Përshkrimi më i saktë i gjendjes sonë sot – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

[Përshkrimi më i saktë i gjendjes sonë sot]

Ibën Muflihu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Është për t’u çuditur se shumë njerëz vajtojnë për shkatërrimin e shtëpive, pakësimin e furnizimit, prishjen e kohës dhe shtrenjtimin e çmimeve. Mirëpo, nuk i sheh të vajtojnë për huajësimin e fesë, vdekjen e sunetit dhe përhapjen e bidateve. Nuk qajnë për mangësitë e tyre në fe. E gjithë kjo vjen si pasojë e dobësisë së besimit të tyre dhe madhështimit të kësaj bote në sytë e tyre.”

📚 El-Ādābu esh-Sher’ijje (3/240)

Kush ishte Ibën Muflihu?

Imam Shemsud-din Ebu Abdullah Muhammed ibën Muflih el-Makdisi el-Hanbeli (710–763 h./1310–1362 e.s.) ishte një prej dijetarëve më të mëdhenj të medhhebit hanbeli. Ai jetoi në shekullin e tetë hixhri në Damask dhe ishte nxënës i drejtpërdrejtë i Shejhul-Islam Ibën Tejmijes, duke përfituar gjithashtu nga dijetarë të mëdhenj si Imam Dhehebiu.

Veprat e tij më të njohura janë:

* El-Ādābu esh-Sher’ijje, një enciklopedi mbi edukatën islame dhe sjelljen e besimtarit.
* El-Furū’, një nga veprat më të rëndësishme në fikhun hanbeli.

Shpjegimi i fjalës së tij

Ibën Muflihu nuk po thotë se është e ndaluar të brengosesh për vështirësitë ekonomike, varfërinë apo gjendjen e shoqërisë. Këto janë shqetësime të natyrshme.

Mirëpo, ai kritikon përmbysjen e prioriteteve. Shumë njerëz ndihen thellësisht të pikëlluar kur ulet mirëqenia materiale, por mbeten pothuajse të pandjeshëm kur:
* largohet Suneti i Pejgamberit ﷺ,
* përhapen bidatet,
* dobësohet feja në zemra,
* ose ata vetë neglizhojnë adhurimet dhe detyrimet fetare.

Sipas tij, kjo është shenjë se dashuria për dynjanë ka zënë vend më të madh në zemër sesa kujdesi për fenë, dhe kjo është pasojë e dobësimit të imanit.

Mesazhi i tij është që besimtari duhet të shqetësohet për çështjet e kësaj bote, por brenga më e madhe e zemrës së tij duhet të jetë gjendja e fesë së tij, sepse humbjet materiale mund të zëvendësohen, ndërsa humbja e fesë është humbja më e madhe, e cila nuk ka me çka mund të zëvendësohet.
Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit