9.6 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Një Umer ibnul Hattab o qeveritarë

Më të lexuarat

Nga: dr. Aid El-karnij

Një Umer ibnul Hattab o qeveritarë

Në këto pak rreshta, do të sjellim diçka nga jeta e Umer ibnul Hattabit, bazuar në referenca të besueshme.
Drejtësia e tij
Një ditë, ai doli para njerëzve i veshur me një rrobë të gjatë. Pasi falënderoi Zotin, ai tha:”O njerëz! Më dëgjoni dhe logjikoni!” Selman Farisij e ndërpreu dhe i tha:”Jo për Zotin! As të dëgjojmë dhe as logjikojmë.” Umeri e pyeti:”E përse o Selman?!” Ai ia ktheu:”Për vete ke veshur dy rroba, kurse neve na ke dhënë nga një.”
Umeri iu drejtua djalit të tij Abdullahut dhe i tha:”O Abdullah! Jepi xhevap Selmanit!” Abdullahu i tha:”Im atë është shtatlartë, prandaj mori rrobën që më takonte mua, ashtu siç patën marrë të gjithë myslimanët dhe e qepi me rrobën që i përkiste atij.”
Atëherë Selmani tha:”Tani mund të flasësh o Prijës i Besimtarëve, se do të dëgjojmë e logjikojmë dhe po na urdhërove do të bindemi.”
Një herë tjetër, Umeri tha teksa qëndronte tek foltorja:”Si do të reagonit po të devijoja rrugë kështu?” dhe bëri një vijë të lakuar me dorë. Një burrë diku nga fundi i xhamisë, u ngrit, nxori shpatën dhe tha:”Pasha Zotin, po devijove ashtu, do të drejtojmë me shpatat tona kështu.”
Umeri shtoi:”Të falënderoj o Zot që nga njerëzit e mi, ke bërë burra që më drejtojnë sa herë devijoj rrugën.”
Një burrë i tha një ditë:”Kij frikë Zotin o Umer!” Atij i shpërthyen lotët dhe tha:”S’do të kishit asnjë vlerë po të mos e thoshit dhe s’do të kishim asnjë vlerë po të mos e dëgjonim.”
Gjatë një predikimi në xhami, Umeri kërkoi që dhurata martesore që burrat u japin grave, të jetë sa më e pakët, me qëllim që të mos vështirësohet martesa. Nga fundi i xhamisë, u ngrit një grua dhe i tha:”O Prijës i Besimtarëve! Zoti në Kuran thotë:”Në qoftë se dëshironi të ndërroni grua, duke e lëshuar njërën për të marrë një tjetër, asaj që i keni dhënë pasuri të madhe, mos i merrni nga ajo (pasuri) asgjë. A do ta merrnit atë padrejtësisht, duke bërë gjynah të qartë?!” (Nisa, 20)
Atëherë, Umeri tha:”Umeri gaboi, kurse kjo grua ia qëlloi.”
Tregon Abdullah ibnu Abas:”Pasha Zotin, hetova xhyben që kishte veshur Umeri dhe gjeta katërmbëdhjetë arna mbi të.” Prandaj, poeti Mahmud Gunejm ka thënë për Umerin:
 
E shoh Umerin në xhyben e tij
ushqim ka vajin, kasollen shtëpi
paniku mbërthen Kisran emrin kur i dëgjon
mbretërit e Bizantit temperatura i kaplon
 
Hurmuzani ishte veziri i Persisë. Ai pati ardhur në Medine të takohej dhe të bisedonte me Umerin, të cilin e gjeti duke fjetur nën një pemë, i mbuluar nga një pëlhurë plot arna dhe pa asnjë roje përreth. Ai tundi kokën dhe tha:”Ke qeverisur, ke vënë drejtësinë, ndihesh i sigurt, prandaj të zë gjumi.”
Shpesh herë, nga përgjegjësia që ndjente para popullatës, thoshte:”Pasha Zotin! Një mushke po ti rrëshqasin këmbët dhe të rrëzohet pranë Tigris (në Irak) kam frikë se do më kërkojë Zoti llogari për të, ngaqë nuk ia kam rregulluar rrugën.”
Një ditë, i pa fëmijët e tij me ëmbëlsirë në duar, prandaj e pyeti të shoqen:”Ku i morët paratë për këto ëmbëlsira?” E shoqja ia ktheu:”Kam kursyer nga mielli që kemi marrë nga depozitat e shtetit.” Umeri i tha:”Paske kursyer miell ndërkohë që tek myslimanët ka njerëz që s’kanë gjë për të ngrënë?!” Mandej ua mori ëmbëlsirat fëmijëve nga duart dhe tha:”I çoni tek depozitat e shtetit.”
Tregon gruaja e tij, Atike:”Sa herë që shtrihej të flejë në darkë, i ikte gjumi. Pastaj qëndronte ulur dhe duke i rrjedhur lot thoshte:”Kam marrë përsipër të udhëheq umetin e Muhamedit a.s. Mes tyre ka njerëz të ligsht, jetimë dhe të vuajtur. Kam frikë se do më pyesë Zoti për të gjithë këta Ditën e Kiametit.”
Gjatë vitit të zisë, shpesh herë Umerit i grinin zorrët për të ngrënë. Një ditë, teksa po fliste në xhami, i ndodhi e njëjta gjë dhe ai duke iu drejtuar stomakut të tij i tha:”Grin apo nuk grin, për Zotin nuk do të ngopesh derisa të ngopen fëmijët e myslimanëve.”
Një natë, ai kaloi pranë një çadre të ngritur në rrugë. Brenda saj, dëgjoheshin zërat e fëmijëve dhe zëri i një gruaje. Ajo sapo kishte lindur. Menjëherë, ai vajti tek magazina, mori një thes miell dhe ca vaj dhe u kthye tek çadra. Atje, ndezi një zjarr dhe u gatoi darkën. Gruaja, e çuditur nga kjo sjellje e këtij burri të huaj dhe të panjohur i tha:”Pasha Zotin, ti je më i mirë se Umer ibnul Hattabi.” Në ato çaste, Umerit i rrodhën lot.
Me rrobën e tij plot arna, Umeri – Zoti qoftë i kënaqur me të – u nis drejt xhamisë Aksa në Palestinë, për të marrë çelësat e qytetit. Një nga komandantët e tij i tha:”O Prijës i Besimtarëve! Do ishte më mirë të vishje një rrobë të re dhe të bukur, pasi kështu nderon dhe islamin.” Por Umeri ia ktheu aty për aty:”Ne jemi një komb që Zoti na nderoi me Islamin. Kurdo ta kërkojmë nderin dhe krenarinë me diçka tjetër veç Islamit, do na poshtërojë Zoti.”
Ai vetë merrej me pastrimin e deveve të zekatit. Një herë, erdhi një burrë dhe e gjeti Umerin duke pastruar devetë e zekatit. Ai i tha:”O Prijës i Besimtarëve! Më lër mua ti pastroj devetë!” Umeri ia ktheu:”Mos do mi mbash ti edhe gjynahet Ditën e Kiametit?!”
Një ditë, ai ndoqi nga pas Ebu Bekrin, i cil hyri në barakën e një gruaje plakë. Umeri e priti derisa Ebu Bekri doli nga shtëpia dhe u largua. Ai hyri në shtëpi dhe e pyeti gruan si e kishte hallin. Ajo i tha:”Unë jam një grua e moshuar dhe më duhet të kujdesem për këto fëmijë të vegjël. S’kemi askënd tjetër përveç Zotit që të kujdeset për ne.” Umeri e pyeti:”Po ai burri që sapo doli, kush është?” Ajo i tha:”Ai vjen çdo ditë, fshin shtëpinë, na gatuan, mjel delet dhe na lan rrobat.” Umeri u mbështet diku dhe duke qarë tha:”Do i lodhësh Kalifët që do të vijnë pas teje o Ebu Bekr.”
Teksa lëvizte natën, ai dëgjoi zërin e një gruaje që i thoshte të bijës:”Përzieje qumështin me ujë që të shtohet.” E bija i tha:”O nënë! A nuk ke dëgjuar që Umeri e ka ndaluar ta përziejmë qumështin me ujë dhe ta shesim?!” E ëma i tha:”E ku na sheh Umeri tani?!” Vajza iu përgjigj:”Nëse nuk na sheh Umeri, na sheh Zoti i Umerit.” Të nesërmen, Umeri e kërkoi dorën e kësaj vajze për djalin e tij dhe kështu u martuan. Nga kjo lidhje, lindi kalifi i pestë i drejtë, Umer ibnu Abdul Aziz.
Vitin e zisë, Umeri shkonte derë më derë, me një kazan ushqimi në krahë, duke ushqyer fukarenjtë. Atë vit, ai u kërkoi fukarenjve dhe endacakëve që të banojnë në periferi të Medines, ku kishte ngritur çadrat. Teksa u ofronte ushqim për të ngrënë, u thoshte:”Ose do të jetojmë të gjithë, ose të vdesim të gjithë.”
Para se të vdesë, dikush i tha:”O Prijës i Besimtarëve! Sikur të caktoje djalin tënd Abdullahin si kalif pas teje, pasi është i aftë!” Umeri ia ktheu:”Ke gënjyer Zoti të vraftë! Si t’ia lë postin tim biri, kur mes myslimanëve ka njerëz më të aftë dhe më të meritueshëm?!”
Një herë, një kopt udhëtoi nga Egjipti për në Medine, për t’iu ankuar për një padrejtësi të valiut mysliman atje. Kopti i tha:”Im bir ia kaloi në garat me kuajt, djalit të guvernatorit dhe djali i tij e goditi me kamxhik duke i thënë:”Si ma kalon kur unë jam djali i guvernatorit të plotfuqishëm?!” Umer e thirri djalin e guvernatorit dhe pasi e urdhëroi koptin të hakmerren njëlloj, i tha guvernatorit:”Që kur keni filluar ti robëroni njerëzit, edhe pse janë lindur të lirë nga nënat e tyre?!”
 
Perktheu: ELmaz Fida
 
 

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit