16.1 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Bisedë me renë

Më të lexuarat

Nga: dr. Xhasim Elmutava

Bisedë me renë

Koha është shumë e nxehtë dhe dielli përvëlues. Është drekë dhe trupi më djersin. Kërkova një vend me hije, por për fat nuk gjeta. Hapa sytë mos shoh dikë që ecën me mua në këtë kohë, por nuk pashë kënd. Në një moment, ndjeva një fllad të lehtë. Ngrita kokën lart dhe dallova një re të bardhë dhe të madhe, e cila kishte mbuluar diellin dhe po më bënte hije në atë pikë vape. Në mendje, më vajti ajeti:” Nuk janë, kurrsesi, njësoj i verbëri dhe ai që sheh, as errësira dhe drita, as freskia (e hijes) dhe vapa.” (Fatir, 19-21)
Vazhdova udhën i kënaqur me hijen të cilën e konsiderova si një dhuratë prej Zotit. Pas pak, dëgjova një zë të çuditshëm dhe kur ngrita kokën lart pashë renë që më foli:”Cili është objektivi yt në jetë o rob i Zotit?”
Unë iu përgjigja:”Unë jam mysliman dhe ua dua të mirën të gjithë njerëzve. Veç kësaj, unë i ftoj njerëzit drejt Zotit.”
Reja:”Të gjithë ne jemi myslimanë dhe i jemi dorëzuar urdhrave të Zotit të lartësuar, ashtu siç jemi të gjithë ftues në udhën e Zotit. Por, duhet që të kesh një objektiv në jetë, i cili të dallon nga njerëzit e tjerë.”
Robi i Zotit:”Por… unë nuk dua të dallohem nga njerëzit e tjerë.”
Reja:”Nuk po them që thjesht të dallohesh prej tyre, pasi njerëzit e sotëm nuk janë si më parë.”
Robi i Zotit:”Çfarë do të thuash me këtë?”
Reja:”Dua të them, atë që ka thënë Abdullah ibnu Abasi kur tha:”Ikën njerëzit dhe mbetën sozitë e njerëzve.”
Robi i Zotit:”Çfarë do të thoshte me këtë Ibnu Abasi?”
Reja:”Dobësimi i fesë dhe mungesa e përkushtimit. Kështu ikën njerëzit dhe mbeten sozitë e tyre.”
Robi i Zotit:”Fjalë të bukura. Por më trego diçka për veten dhe për njerëzit që sheh çdo ditë!”
Reja:”Njerëzit kanë ndryshuar shumë o rob i Zotit, gjë të cilën e shoh çdo ditë.”
Robi i Zotit:”A nuk më sjell një rast dhe shembull për këtë!”
Reja:”Po, interesimi dhe preokupimi për kryerjen e namazit. Një ditë, qëmoti, po i bëja hije shokut të Profetit a.s, Adij ibnu Hatim, të cilin e dëgjova të thotë:”Sa herë hyn koha e namazit, ndjej mall për të. Sa herë që ka hyrë koha e namazit, që kur jam bërë mysliman, më ka gjetur me abdes.”
Robi i Zotit filloi të pëshpëritë me veten:”Po, vërtet që kanë vajtur njerëzit dhe kanë mbetur sozitë.”
Mandej, reja shtoi:”Sakaq, lidhur me vëllazërinë dhe dashurinë për hatër të Zotit, një ditë po ndiqja udhën time pas vdekjes së Zubejr ibnu Avamit. Në një çast, dëgjova Hakim ibnu Hizam ti thotë Abdullah ibnu Zubejrit:”Sa borxhe la pas vëllai im?”
Ai u përgjigj:”Një milionë.”
Hakim i tha:”Kam për ti shlyer unë pesëqind mijë.”
Këto ishin dy shembuj, ndërkohë që kam shumë për të thënë. Një i mençur kupton me shenjë.”
Robi i Zotit i çuditur:”I pa të meta je o Zot! Islami pati zënë vend në zemrat e atyre burrave.”
Reja:”Ky ishte dallimi që kisha për qëllim kur të thashë:”Duhet të kesh një objektiv që të dallohesh nga të tjerët.” Unë dua që Islami të të shndërrojë në një njeri tjetër, të jetosh për çështjen islame dhe të jesh gjithmonë aktiv, njëlloj si dielli.”
Robi i Zotit:”E ku qëndron ngjashmëria mes ftuesit dhe diellit?”
Reja:”Ngjashmëria është në dy plane:
E para është në rrezet e dritës me të cilat ftuesi ndriçon zemrat e mbytura në errësirë.
E dyta, nëse dielli perëndon në një vend, lind në një tjetër. I tillë duhet të jetoj dhe ftuesi, nëse i mungon një vendi, rrezaton në një vend tjetër.”
Robi i Zotit:”Duket që je një re letrare. Më thuaj diçka më shumë rreth vetes!”
Reja:”Nuk jam letrare, por është aktualiteti letrar. Lidhur me identitetin tim, mendoj se nuk të vlen fare.”
Robi i Zotit, duke e parë me kërshëri i thotë:”Më trego si të quajnë të paktën!” Reja:”Unë jam reja e Reshidit.”
Robi i Zotit uli shikimin sikur po kujtonte diçka dhe pastaj pyeti:”Po kush është ky Reshidi?!”
Reja:”Një ditë, Harun Reshidi doli jashtë dhe më pikasi mua në qiell. Pasi më pa më tha:”Lëshoje shiun tënd ku të duash, pasi kudo që ta lëshosh, të ardhurat do të më vijnë mua.”
Robi i Zotit, duke përplasur duart shtoi:”Ahhhh për atë kohë. Me të vërtetë që ikën burrat dhe kanë mbetur sozitë e tyre.”
Reja:”Besoj se nuk ka ndonjë dallim mes dy kohëve. Qielli është po ai, toka po ajo, unë po unë. Por ndryshimi është tek njerëzit o rob i Zotit, tek njerëzit.”
Një lot rrëshqiti nga syri i Robit të Zotit dhe mori tatëpjetën në faqen e tij të djathtë. I prekur ai tha:”Po çfarë pritet prej nesh? Si të shpëtojmë nga kjo situatë?”
Reja:”Bëhu re, si unë!”
Robi i Zotit, duke fshirë faqen dhe fërkuar sytë pyeti:”Por mua Zoti më krijoi njeri dhe jo re.”
Reja:”Nuk kisha këtë për qëllim. Ajo që doja të them, është që të bëhesh re në cilësitë dhe moralet e tua, në lëvizjet dhe preokupimet.”
Robi i Zotit gjithë habi:”E si bëhet kjo?”
Reja:”Moralet dhe cilësitë e tua të jenë të larta dhe të fisme, njëlloj si preokupimet. Unë e mbaj gjallë tokën me ujë, kurse ti mbaje gjallë me ligjet e qiellit. Unë vadis tokën me ujë, kurse ti kujtoji njerëzimit Ditën kur të dalin para Zotit. Prandaj bëhu re o ftues. Unë qëndroj lart në qiell. Ty të duhet të lartësohesh me idetë dhe veprat. Bëhu re o ftues. Verës, unë i mbroj njerëzit nga rrezet përvëluese të diellit, kurse dimrit furnizoj bimët me ushqimin e duhur. Ti, duhet të jesh gjithmonë në lëvizje, dimër dhe verë, gjithmonë i dobishëm, ta familjarizosh veten me kushtet dhe mos të pengojë koha dhe vendi. Bëhu re. Trupi im është i madh, ashtu siç është dhe forma ime. Megjithatë, unë jam e butë dhe e lehtë. Nëse një zog fluturon mes përmes meje, më përshkon me lehtësi. Edhe ti, duhet të kesh zemërbutësi, e cila është cilësi e banorëve të xhenetit. Bëhu si reja o ftues!”
Robi i Zotit duart drejt qiellit dhe u lut:”O Zot! Më bëj re në vullnet, lëvizje, ftesë dhe fe…”
Mandej, reja mori udhën ne saj dhe para se të largohej, shtoi:”Ashtu siç jam hijeshi për qiellin, ti ji hijeshi për tokën!!”
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit