Ka kohë të gjatë që jam duke u marrë me leximin e tefsireve rreth sures Jusuf, dhe një nga mësimet më prekëse që kam nxjerrë është qëndrueshmëria në dua.
Jakubi dhe Jusufi, alejhimu selam, përjetuan ndarje të gjatë, mall, dhimbje dhe pritje. Ata u lutën që Allahu t’i bashkonte përsëri, por përgjigjja nuk erdhi menjëherë. Sipas disa shpjegimeve, pritja zgjati dyzet vjet, ndërsa sipas disa të tjerave tetëdhjetë vjet. Megjithatë, vitet nuk ua shuan shpresën, dhimbja nuk ua dobësoi besimin dhe vonesa nuk i bëri të hiqnin dorë nga lutja.
Sa herë që mendojmë se duaja jonë po vonohet, duhet ta kujtojmë Jakubin, alejhi selam, i cili qau nga malli, por nuk e humbi shpresën në mëshirën e Allahut. Duhet ta kujtojmë Jusufin, alejhi selam, i cili kaloi nëpër sprova të rënda, por mbeti i lidhur me Zotin e tij.
Prandaj, për atë kërkesë për të cilën je duke u lutur prej kohësh, mos hiq dorë.
Edhe nëse kanë kaluar muaj apo vite, mos e ndërprit duanë tënde. Edhe nëse zemra është lodhur, vazhdo të trokasësh në derën e Allahut.
Edhe nëse nuk e sheh ende përgjigjen, beso se Allahu e ka dëgjuar çdo fjalë, çdo psherëtimë dhe çdo lot që ka rrjedhur në heshtje.
Vonesa e përgjigjes nuk do të thotë refuzim. Ndoshta Allahu po të përgatit për atë që ke kërkuar, ndoshta po ta ruan për kohën më të mirë, ose ndoshta po të largon një të keqe që ti nuk e sheh.
Mos hiq dorë nga lutja jote. Ndoshta mes teje dhe përgjigjes është vetëm edhe një dua, edhe një sexhde, edhe një natë durimi. Vazhdo të lutesh, sepse ajo që te ne duket vonesë, tek Allahu është urtësi, mbrojtje dhe caktim i përkryer.
Fitim Gërguri
22.07.2026
