Nyjat e përgjegjësisë dhe gjerdanët e nderimit
/Dr. Atijje Adlan/
Që nga kohët më të hershme, xhahilijet (shoqëritë të zhytura në padije) janë përpjekur t’i shmangen përgjegjësisë dhe barrës së detyrimit. Ato vazhdimisht kanë ikur prej fesë në tërësi, madje edhe prej Vetë Allahut të Madhëruar, duke u hedhur në humnerat e agnosticizmit dhe të pasigurisë. Po kështu, ato kanë mbetur gjithnjë të mbështjella nga dyshimi dhe pasiguria e errët për Ditën e Kiametit, llogarinë dhe shpërblimin.
Kjo ndodh vetëm sepse ambiciet dhe prirjet e tyre janë të atilla siç i ka përshkruar Kurani në këtë ajet madhështor:
“Por njeriu dëshiron të vazhdojë në shthurjen e tij përpara vetes.”
(El-Kijame, 5).
As modernizmi, as sekularizmi dhe as shkencizmi nuk janë gjë tjetër veçse pasqyrime intelektuale dhe metodologjike të po atyre ambicieve të ulëta dhe prirjeve të rrënuara:
”…që të vazhdojë në shthurjen e tij përpara vetes.”
Mirëpo, duke shpërfillur atë që nuk mund të shpërfillet, ato e hedhin veten dhe njerëzimin në kundërthënie të rënda dhe në ekuacione të ashpra. Kjo sepse ushtrojnë shtypje, mbytje dhe heshtje të detyruar ndaj zërit të fitres njerëzore.
Dhe si mund të jetë e arsyeshme që shkenca të përpiqet të shpjegojë dukuritë e universit, të shpërndara në skajet e galaktikave dhe të fshehura në thellësitë e atomeve, ndërkohë që i kthen shpinën pyetjeve që e mundojnë mendjen njerëzore në çdo çast?
Pyetjeve mbi urtësinë dhe qëllimin e jetës.
Mbi fatin pas vdekjes.
Përse u krijua njeriu?
Cili është misioni i tij në këtë jetë?
Cili është qëllimi i gjithë këtij ekzistimi?
Përse erdhëm në këtë botë?
Përse largohemi prej saj pasi kemi ardhur në të?
Dhe si duhet t’i kuptojmë dukuritë që përfshijnë botën e brendshme të njeriut?
Në mënyrë që njeriu të vazhdojë shthurjen e tij pa pengesa, të këmbëngulë në të, të zhytet në epshet dhe joshjet e kësaj bote dhe ta jetojë jetën sipas dëshirave të veta, pa detyrim dhe pa përgjegjësi, xhahilijeti bashkëkohor këmbëngul të zhdukë çdo dallim ndërmjet njeriut dhe kafshës.
Madje, edhe kur e përshkruan njeriun si qenie të pajisur me mendje, këtë mendje e sheh vetëm si inteligjencë praktike, me anë të së cilës njeriu sundon mbi natyrën, të cilën e konsideron të verbër, të trashë dhe të pandjeshme.
Kështu ai bëhet mendjemadh nga kryelartësia dhe, me një arrogancë të verbër, beson atë që Allahu e përshkruan në Fjalën e Tij:
“Ai mendon se askush nuk ka fuqi mbi të.” (El-Beled, 5).
Pasha Zotin e universit dhe të jetës, kjo është poshtërim i njeriut, rrënim i pozitës, i vlerës dhe i nderit të tij; zhvlerësim i misionit dhe funksionit të tij në këtë jetë, si dhe shpërfillje e të gjitha shenjave të nderimit me të cilat Allahu e ka veçuar atë mbi krijesat e tjera.
Jo! Pasha Zotin e universit dhe të jetës, njeriu nuk është krijuar veçse për ta adhuruar Allahun dhe për ta ndërtuar e për ta përmirësuar tokën sipas metodologjisë së Tij. Ai nuk është krijuar kot dhe as nuk është lënë pa qëllim. Po ashtu, qiejt dhe toka nuk janë krijuar më kot, por me të vërtetën. Me të vërtetën u krijua gjithësia, u soll në ekzistencë njeriu dhe u zbrit shpallja dhe Furkani (Kurani), që dallon të vërtetën nga e pavërteta.
Dhe kjo, para se të jetë një detyrim, është një nderim.
Nuk është aspak e tepruar të thuhet se ai është njëkohësisht detyrim dhe nderim. Madje, ky është vendi ku këto dy kuptime bashkohen në mënyrën më të plotë, derisa mezi mund të dallosh njërin nga tjetri.
Dëshmia më e qartë për këtë është se, kur Allahu i Madhëruar u njoftoi engjëjve se do të krijonte halifen në tokë, ata e dëshiruan këtë pozitë dhe shpresuan ta fitonin atë. Po kështu, Iblisi e pati zili Ademin me një zili aq të madhe, sa e shtyu drejt mëkatit më të rëndë që ka njohur ekzistenca: kundërshtimit të urdhrit të Allahut.
Por cilat janë nyjat themelore të përgjegjësisë, të cilat janë njëkohësisht edhe burimet kryesore të nderimit?
Ndoshta askush nuk do të kundërshtojë në përcaktimin e tyre, sepse ato janë aq të qarta dhe të dukshme, sa nuk lënë vend për paqartësi.
Le t’i fillojmë me ajetet e Kuranit që na udhëheqin drejtpërdrejt drejt kësaj çështjeje:
“Dhe kur Zoti yt u tha engjëjve: ‘Unë do të vendos në tokë një mëkëmbës (halife).’ Ata thanë: ‘A do të vendosësh në të dikë që do të bëjë shkatërrime dhe do të derdhë gjak, ndërsa ne të madhërojmë me lavdinë Tënde dhe të shenjtërojmë?’ Ai tha: ‘Unë di atë që ju nuk e dini.’”
(El-Bekare, 30).
“Dhe kur Zoti e sprovoi Ibrahimin me disa urdhra e ai i përmbushi ato, Ai tha: ‘Unë do të të bëj prijës për njerëzit.’ Ibrahimi tha: ‘Po nga pasardhësit e mi?’ Allahu tha: ‘Premtimi Im nuk i përfshin zullumqarët.’” (El-Bekare, 124).
“Unë nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për tjetër, veçse që të Më adhurojnë.” (Edh-Dharijat, 56).
“Ne ua ofruam amanetin qiejve, tokës dhe maleve, por ato refuzuan ta mbartnin dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu e mori përsipër. Vërtet, ai është shumë i padrejtë dhe shumë i paditur.” (El-Ahzab, 72).
Këto katër janë nënat e të gjitha përgjegjësive, por njëkohësisht edhe burimet e çdo nderimi:
* adhurimi;
* mëkëmbësia (hilafeti) në tokë;
* prijësia (imameti);
* amaneti.
Njeriu nuk është krijuar për tjetër, veçse për ta adhuruar Allahun dhe për ta ndërtuar tokën sipas udhëzimit të Tij.
Ai është krijuar për adhurimin dhe për mëkëmbësinë në tokë.
Pavarësisht nëse themi se adhurimi është qëllimi themelor, ndërsa mëkëmbësia është degëzim i tij — në kuptimin se ndërtimi dhe administrimi i tokës sipas metodologjisë së Allahut është pjesë e adhurimit — apo nëse themi se adhurimi është një nga domosdoshmëritë e mëkëmbësisë, e cila është themeli, përfundimi mbetet pothuajse i njëjtë.
Megjithëse unë e konsideroj më të saktë mendimin se adhurimi është themeli, ndërsa mëkëmbësia është degë e tij, në fund të fundit këto janë dy funksionet madhore për të cilat njeriu është ngarkuar me përgjegjësi dhe është nderuar nga Allahu.
Sa i përket imametit (prijësisë), kuptimi i tij është që umeti islam të jetë prijësi i njerëzimit dhe ta udhëheqë atë drejt përmbushjes së dy misioneve themelore: adhurimit të Allahut dhe mëkëmbësisë në tokë.
Imameti përfshin dy përgjegjësi që u shërbejnë këtyre dy detyrimeve kryesore dhe kthehen tek ato:
* Së pari: ruajtja dhe mbrojtja e metodologjisë së Allahut;
* Së dyti: udhëheqja e njerëzimit me këtë metodologji.
Ndërsa amaneti është amaneti i ligjit hyjnor (Sheriatit), me të cilin rregullohen dhe marrin formë dy detyrimet themelore: adhurimi dhe mëkëmbësia.
Në bazë të këtij amaneti përcaktohet edhe përfundimi i çdo robi në botën tjetër. Prandaj, ruajtja e tij, mbrojtja e tij dhe njohja e së drejtës së tij janë ndër faktorët më të rëndësishëm që ndihmojnë në përmbushjen e këtyre dy përgjegjësive madhore dhe në realizimin e këtyre dy funksioneve të larta: adhurimit dhe mëkëmbësisë.
Për rrjedhojë, imameti dhe amaneti janë dy përgjegjësi ndihmëse, të cilat i shërbejnë dy përgjegjësive themelore dhe burojnë prej tyre. Njëkohësisht, ato janë edhe dy nderime që rrjedhin nga dy nderimet kryesore dhe i plotësojnë ato.
Prandaj, këto katër:
* adhurimi,
* mëkëmbësia,
* imameti,
* amaneti,
janë nyjat e përgjegjësisë dhe gjerdanët e nderimit.
Çdo detyrim që Allahu u ka ngarkuar njerëzve dhe çdo nderim me të cilin Ai i ka veçuar ata, në fund të fundit kthehet te këto katër parime.
Sa i përket sprovës – e cila nënkupton provimin dhe testimin prej të cilit varen gradët e krijesave – ajo zhvillohet pikërisht përmes këtyre katër shtyllave.
Me fjalë të tjera, Allahu i Madhëruar i ka vënë krijesat në provë me:
* adhurimin;
* mëkëmbësinë;
* amanetin;
* imametin.
Në këtë mënyrë bëhen të qarta dhe të harmonizuara qëllimet e krijimit.
Kështu kuptohet edhe lidhja ndërmjet qëllimeve që Kurani përmend për krijimin e njeriut.
Allahu i krijoi krijesat për t’i sprovuar përmes këtyre katër përgjegjësive dhe gjithçkaje që buron prej tyre, të cilën Kurani e përmbledh me emrin “vepër” (amel).
Allahu i Lartësuar thotë:
“Ai është që krijoi qiejt dhe tokën për gjashtë ditë, ndërkohë që Arshi i Tij ishte mbi ujë, për t’ju vënë në provë se cili prej jush do të bëjë veprat më të mira. E nëse u thua: ‘Ju do të ringjalleni pas vdekjes’, mohuesit do të thonë: ‘Kjo nuk është tjetër veçse magji e qartë.’” (Hud, 7).
Po ashtu thotë:
“Ai që krijoi vdekjen dhe jetën për t’ju sprovuar se cili prej jush do të bëjë veprat më të mira. Ai është i Plotfuqishmi, Falësi.” (El-Mulk, 2).
Dhe gjithashtu:
“Ne e krijuam njeriun nga një pikë uji e përzier për ta vënë në provë; prandaj ia dhamë dëgjimin dhe shikimin.” (El-Insan, 2).
Prandaj, këto katër shtylla – adhurimi, mëkëmbësia (hilafeti), imameti dhe amaneti – si nyjat e përgjegjësisë dhe gjerdanët e nderimit, ia përcaktojnë njeriut – e veçanërisht myslimanit – rrugën që duhet të ndjekë në këtë jetë.
Ato vizatojnë me qartësi dhe vendosmëri vijat themelore të metodologjisë së jetës njerëzore dhe japin përgjigje të qarta për të gjitha pyetjet madhore, të cilave qytetërimi bashkëkohor nuk ka mundur t’u japë përgjigje.
Arsyeja është se ky qytetërim e ka refuzuar qëllimësinë (el-gāijje), ashtu si më parë kishte refuzuar shkakësinë (el-’ilijje).
Duke mohuar shkakësinë, ai ia mbylli vetes derën për t’iu përgjigjur pyetjeve:
Kush jam unë?
Nga kam ardhur?
Ndërsa, duke mohuar qëllimësinë, ai e varrosi pyetjen tjetër themelore:
Cili është misioni im në këtë jetë?
Dhe drejt cilit përfundim po shkoj?
Këto janë dy pyetjet më të mëdha, rreth të cilave sillen një varg pyetjesh të tjera të lindura nga vetë natyra njerëzore (fitra), pyetje që nuk pranojnë të shpërfillen dhe që ngrihen vazhdimisht kundër çdo përpjekjeje për t’i heshtur.
Pikërisht këtu qëndron sekreti i ankthit të vazhdueshëm që përjeton njeriu bashkëkohor.
Shërimi i këtij ankthi gjendet në rikthimin e njeriut te fillimi i udhëtimit të tij në jetë, duke u mbështetur mbi tri nyjat themelore:
* adhurimin;
* mëkëmbësinë në tokë;
* amanetin.
Ndërsa shërimi i umetit islam nuk mund të arrihet veçse duke iu kthyer të katërave në tërësinë e tyre:
* adhurimit;
* mëkëmbësisë;
* imametit;
* amanetit.
Vetëm atëherë myslimani do ta kuptojë qartë arsyen e krijimit të tij, misionin e tij në këtë botë dhe rrugën që e çon drejt kënaqësisë së Allahut dhe suksesit në botën tjetër.
