﴿لَا يَمَسُّهُ إِلَّا الْمُطَهَّرُونَ﴾
“Atë nuk e prekin veçse të pastrit.”
(El-Vaki’ah, 79)
Dijetari i madh, Ibën Kajjim el-Xheuzijje (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Ky ajet, përmes nënkuptimit dhe aludimit të tij, tregon se kuptimet e Kuranit nuk i arrijnë dhe nuk i kuptojnë siç duhet, veçse zemrat e pastra. Ndërsa zemra e ndotur me papastërtinë e bidateve dhe kundërshtimeve ndaj fesë, e ka të pamundur t’i përvetësojë kuptimet e tij dhe ta kuptojë atë ashtu siç duhet.
Muhammed ibn Ismail el-Buhariu ka thënë në Sahihun e tij, në lidhje me këtë ajet:
‘Shijen e tij nuk e gjen veçse ai që beson në të.’
Edhe kjo është një prej nënkuptimeve dhe udhëzimeve të këtij ajeti. Domethënë, kënaqësinë e Kuranit, të leximit të tij, të kuptimit dhe meditimit mbi të, nuk e shijon askush përveç atij që dëshmon se ai është Fjala e Allahut, e folur prej Tij me të vërtetë dhe e zbritur si shpallje mbi të Dërguarin e Tij. Po ashtu, kuptimet e tij nuk i arrin askush që në zemrën e tij ka ngushtësi, kundërshtim ose hezitim ndaj tij, në çfarëdo forme qoftë.”
Burimi: Et-Tibjân fî Ejmânil-Kur’ân, fq. 340.
