4.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

E jotja është ajo çka ke pasur për nijet

Më të lexuarat

Hadithi i Pestë
Transmetohet nga Ebu Jezid Ma’n ibn Jezid ibn Ahnes (r.a), babai dhe gjy­shi i të cilit kanë qenë as-habë, se ka thënë: “Babai im Jezidi, i ka marrë disa dinarë (prej ari) që t’i ndajë sadaka dhe i lë te një njeri në xhami: pastaj unë shkova i mora dhe i solla, kurse ai më tha: “Pasha Allahun, unë nuk t’i kam destinuar ty”. Duke u grindur me të, erdha tek i Dërguari i All-llahut, i cili na tha: “E jotja është ajo çka ke pasur për nijet, o Jezid, kurse e jotja ajo që e ke marrë o Ma’n”.
 
Shpjegimi i hadithit:
Ky hadith profetik na njofton rreth disa vlerave, si dhe për të drejtat sociale për forcimin e lidhjeve vëllazërore ndërmjet myslimanëve. Dihet se këshillat profetike nuk rrahin gjithmonë vetëm në një formë, përkundrazi ato hera – herës ndryshojnë në mënyrë të atillë, që për dëgjuesin apo lexuesin të jenë sa më tërheqëse. Për shembull në këtë hadith, i Dërguari i Allahut i këshillon shokët e tij dhe të gjithë myslimanët, se një vepër duhet të shoqërohet medeomos me nijetin e mirë, që reflekton në sjelljen e mirë.
Personazhet e kësaj ndodhie, ku pati edhe një lloj debati, janë prej sahabëve më të përzgjedhur: Jezidi dhe Ma’ni, babë e bir, po ashtu edhe personi që Jezidi i dha sadeka.
Dialogu ndërmjet babait dhe djalit flet rreth nijetit të pastër të babait dhe po ashtu të djalit, i cili kishte nevojë për këtë sadaka. Mirëpo babai i përgjigjet djalit në formë të prerë, madje edhe duke u betuar: “Pasha Allahun, unë nuk t’i kam destinuar ty”. Këtu vërejmë, se nijeti i pastër i babait i kapërcen kufinjtë e dhembsurisë atërore. Po ashtu në këtë hadith profetik nënkuptojmë, se nëse ndonjëherë kemi konflikte për një çështje, atëherë është detyrë e çdo myslimani, që zgjidhjen e konfliktit ta gjejë tek Kurani dhe Tradita Profetike. Në këtë rast, djali menjëherë shkon tek profeti (a.s), për të gjetur zgjidhjen e problemit, për të cilin debatoi me të atin. Përgjigja e profetit (a.s) do të jetë një përgjigje gjithëpërfshirëse, që do të shuajë përfundimisht grindjet ndërmjet babait dhe të birit, në mënyrë që ta kuptojnë, se kjo grindje nuk po ndodh ndërmjet dy armiqve, por ai thjesht është një konflikt, për të vendosur se kush është destinacioni më i drejtë i parave, a duhet t’i jepen djalit që është nevojtar, apo fukarait për të fituar shpërblim shumëfish. Prandaj edhe profeti (a.s) thotë: “E jotja është ajo çka ke pasur për nijet, o Jezid, kurse e jotja ajo që e ke marrë o Ma’n”. Kjo do të thotë, se Jezidi do të shpërblehet për nijetin e pastër dhe po ashtu veprimi i Ma’nit është i drejtë, sepse ai ishte nevojtar. Këshilla e profetit (a.s) konsiston në faktin, se fëmijët duhet të jenë sa më të sjellshëm me baballarët, por në të njëjtën kohë edhe baballarët duhet të kujdesen për fëmijët e tyre.
Rregulla dhe dispozita fetare:
Nga ky hadith nënkuptojmë, se nëse dikush dëshiron të japë zukatin, duhet të përpiqet maksimalisht që t’ia japë atij që e meriton. Nëse ai përpiqet dhe ia jep zekatin një personi, mirëpo më vonë e merr vesh se ai person nuk e meritonte, dhënia e zekatit konsiderohet e saktë, sepse nijeti i tij ishte i pastër.
Lejohet që njeriu t’ia japë zekatin djalit të tij, me kusht që ky zekat të mos jepet në vend të një obligimi që babai ka ndaj fëmijës së vet. Kjo do të thotë, se nëse babai ia jep zekatin fëmijës së vet, që mos t’ia japë shpenzimet që ka për obligim ndaj fëmijës së vet, kjo nuk lejohet. Por nëse ia jep zekatin, për të shlyer një borxh, në këtë rast zekati është i saktë dhe i konsiderueshëm, pasi fëmija i tij është njeriu më i afërt.
Po ashtu nga ky hadith nënkuptojmë, se ndërmjet djalit dhe babait mund të ketë konflikte dhe se një gjë e tillë nuk konsiderohet për mosbindje ndaj prindërve.
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1 – Dëshira për të dhënë sadaka
2 – Rëndësia e gjykimit tek Allahu dhe i Dërguari i Tij
3 – Vlera dhe rëndësia e nijetit
 
4 – Aftësia për të shuar konfliktet
 
5 – Bashkëbisedimi
 
1 – Dëshira për të dhënë sadeka:
Kjo gjë vërehet qartë, pasi babai i Jezidit nxorri dinarët për t’i dhënë sadaka. Nuk ka dyshim, se myslimani gjithmonë është i prirur për të dhënë sadaka, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni te Allahu”. (Sure El Muzemil: 20). Madje, atij personi që jep sadeka Allahu i ka premtuar se do ta shpërblejë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që japin lëmoshë e që i japin Allahut një hua të mirë, qofshin burra apo gra, do t’u shumfishohet përfitimi dhe do të kenë një shpërblim fisnik”. (Sure El Hadid: 18). Dëshira për të dhënë sa më shumë sadaka është atribut i njerëzve të devotshëm. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje nga Allahu. Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësit dhe nevojtarët”. (Sure Edh Dharijatë: 17-19). Po ashtu profeti (a.s) ka thënë, se dhënia e sadakasë e shton pasurinë dhe e mbron dhënësin e saj nga zjarri. Profeti (a.s) thotë: “Pasuria nuk pakësohet nga dhënia e lëmoshës”. (Transmeton imam Myslimi ).
Profeti (a.s) thotë në një hadith tjetër: “Ai i cili ka mundësi të ruhet nga zjarri qoftë edhe me dhënien lëmoshë të një hurme, atëherë le të ruhet.” (Transmeton imam Myslimi). Po ashtu profeti (a.s) thotë: “Nuk ka smirë, vetëm se për dy persona: të parit Allahu i ka dhënë Kuranin dhe ai vepron me të natën dhe ditën, dhe personit të dytë Allahu i ka dhënë pasuri, të cilën e shpenzon natën dhe ditën”. (Trasnmetojnë imam Buhariu dhe imam Myslimi). Ibnu Ebul Xha’d thotë: “Dhënia e lëmoshës largon 70-të të këqia. Sadakaja që jepet në fshehtësi ka shumëfishin e shpërblimeve që ka sadakaja që jepet në publik.
Ajetet e Kuranit dhe hadithet profetike, që flasin për vlerën dhe rëndësinë e sadakasë, janë të shumta. Prandaj është detyrë e thirrësve, që t’i nxisin dhe t’i motivojnë njerëzit për të dhënë sadaka.
2 – Rëndësia e gjykimit tek Allahu dhe i Dërguari i Tij:
Kjo gjë vërehet mjaft qartë në këtë hadith, pasi Ma’ni shkoi tek profeti (a.s), për t’i treguar se çfarë kishte bërë babai i tij Jezidi. Kjo ka qenë gjithmonë gjendja e sahabëve, të cilët kur hasnin ndonjë problem të pazgjidhshëm, menjëherë shkonin për ta gjetur zgjidhjen tek profeti (a.s). Ky veprim i tyre ishte tregues i besimit të tyre, i cili ishte rrënjosur thellë në zemra. Allahu i Lartësuar thotë: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj mos të ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden plotësisht”. (Sure En Nisa: 65). Në komentimin e këtij ajeti, imam Esh Sheukani ka thënë: “Në të gjitha problemet, me të cilat ata përballen dhe kanë mospajtime me njëri-tjetrin, atëherë ata si gjygjtar duhet të të marrin ty o Muhamed dhe askënd tjetër përveç teje. E pas vendimit tënd, në zemrat e tyre nuk duhet të ketë asnjë pikë dyshimi. E më pas, ata janë të obliguar që t’i binden plotësisht vendimit tënd duke mos e kundërshtuar aspak atë. Ky ajet kuranor vlen për çdo njeri dhe për çdo çështje”.
Për rëndësinë e gjykimit të çështjeve tek Allahu dhe i Dërguari i tij, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i kemi dërguar profetët vetëm me qëllimin që njerëzit me lejen e Allahut, t’i beinden atyre”. (Sure En Nisa: 64). “Përgjigja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: Dëgjojmë dhe bindemi. Pikërisht këta janë të shpëtuarit. Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që e kanë frikë Allahun dhe që janë të përkushtuar ndaj Tij, me të vërtetë ata janë të fituarit”. (Sure En Nur: 51-52). Kjo do të thotë, se kur besimtarët e vërtetë e të sinqertë ftohen për të gjykuar midis tyre me Librin e Allahut apo me fjalën e profetit (a.s), përgjigja e tyre me fjalë dhe me zemër është: ftesën për të gjykuar sipas fjalës së profetit (a.s) e kemi dëgjuar dhe i bindemi vendimit të tij. Ata, të cilët i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij në të gjitha çështjet e fesë, të cilët kanë frikë ndëshkimin, me të vërtetë ata janë të shpëtuarit, për arsye se nga cilësitë e tyre të mira është bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
3 – Vlera dhe rëndësia e nijetit:
Kjo gjë nënkuptohet nga fjala e profetit (a.s) drejtuar Jezidit: “E jotja është ajo çka ke pasur për nijet, o Jezid” Nuk ka dyshim, se njeriu shpërblehet për nijetin e pastër e të sinqertë. Në këtë rast Jezidi bëri nijet që t’i jepte lëmoshë dikujt që kishte nevojë, ndërkohë që djali i tij kishte nevojë. Megjithëse Ma’ni i mori dinarët, Jezidi shpërblehet për shkak të nijetit që kishte. Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Hadithi dëshmon se veprat varen nga nijeti. Nëse njeriu mendon të bëjë një vepër të mirë, atëherë ai merr shpërblim për të. Jezidi as që i kishte shkuar ndërmend se djali i tij, Ma’ni, do t’i merrte ato, prandaj do të shpërblehet në varësi të nijetit që kishte, edhe nëse nuk ndodhi ashtu siç e kishte menduar dhe bërë nijet”.
Nijeti është themeli dhe bazamenti i punës së njeriut. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata qenë të urdhëruar që të adhuronin vetëm Allahun me përkushtim të sinqertë”. (Sure El Bejine: 5). Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar robërit e Tij, që ta adhurojnë Atë. Si kusht të pranimit të adhurimit ka vendosur që ky adhurim të shoqërohet me nijet të pastër e të sinqertë. Nijeti është epiqendra dhe shpirti i çdo pune të mirë. Prandaj edhe puna është e pranueshme ose e papranueshme në varësi të nijetit. Njeriu ngjitet në gradë të lartë në këtë botë dhe në botën tjetër, në varësi të nijetit që ka.
4 – Aftësia për të shuar konfliktet:
Kjo gjë nënkuptohet, sepse profeti (a.s) arriti të shuante konfliktin ndërmjet babait dhe djalit të tij. Njeriu duhet të jetë shumë i zgjuar dhe i mençur për të shuar konfliktet. Duke qenë se besimi ka dritën e tij, dija rolin aktiv, atëherë zgjuarsia ka rëndësinë e saj, që nuk mund të mohohet. Nëse ftuesi karakterizohet me cilësinë e të qenurit i zgjuar, i mençur e i urtë, atëherë ai ka mundësi që në momentet e konflikteve të analizojë, të gjejë zgjidhjen e duhur dhe t’i japë përgjigjen e duhur të gjitha dyshimeve dhe dilemave, që lindin gjatë konfliktit.
Ali ibnu ebu Talib (r.a) tregon: “Kur profeti (a.s) më dërgoi në Jemen, njerëzit hapën një gropë të madhe për t’i ngritur kurth luanit. Kur luani u afrua pranë gropës, njerëzit filluan ta nxisnin atë drejt saj, derisa ai ra brenda në të. Ndërkohë pasi luani ra brenda, ra edhe një njeri, i cili u kap pas një tjetri, ky pas një tjetri, dhe ky pas një tjetri. Kështu që në gropë ranë katër njerëz, të cilët i shqeu luani. Pas kësaj ndodhie, njerëzit filluan të kërkonin të drejtën e tyre, saqë mes tyre filloi lufta. Atëherë unë iu drejtova atyre me këto fjalë: A doni të vrisni 200 burra për 4? Më lejoni që të jem gjykatësi juaj! Nëse ju pëlqen atëherë nuk ka më mirë, e nëse nuk ju pëlqen gjykimi im, atëherë shkoni tek profeti (a.s) dhe tregojani atij ndodhinë. Pastaj vazhdova dhe thashë: Për të parin duhet të paguani ¼ e shpagimit për një njeri, për të dytin duhet të paguani 1/3 e shpagimit për një njeri, për të tretin ½ e shpagimit për një njeri dhe për të katërtin një shpagim të plotë”. Disave ju pëlqeu gjykimi i Aliut dhe disa të tjerëve jo, kështu që ata vajtën te profeti (a.s) dhe i treguan se çfarë ju kishte ndodhur. “Dëshironi që të gjykoj mes jush”, – pyeti profeti (a.s). “Në të vërtetë Aliu ka gjykuar mes nesh”, – tha dikush. Pastaj i treguan se çfarë ju kishte thënë Aliu. “Unë gjykoj sipas vendimit të Aliut”, – u përgjigj profeti (a.s.).
5 – Bashkbisedimi:
Kjo gjë nënkuptohet nga dialogu, që ndodhi ndërmjet Ma’anit dhe babait të tij Jezidit. Bashkbisedimi është një prej formave të ftesës islame. Allahu i Lartësuar thotë: “Thirr në rrugë të Zotit tënd me mençuri e këshillë të bukur dhe diskuto me ta në mënyrën më të bukur”. (Sure En Nahl: 125). Thirrrësi duhet të ketë parasysh, që gjatë diskutimit dhe dialogut të mos nxehet e as të mos nevrikoset, por përkundrazi duhet të jetë i qetë dhe i butë me personin që diskuton, nëse dëshiron me të vërtetë, që të bëhet shkak që ai të udhëzohet në rrugë të drejtë. Diskutimi i tij duhet të jetë në formën më të mirë të mundshme e jo më të mendosh se ai mund të bëhet në një formë të pakëndshme e jo të hijshme.
Po t’i hedhim një vështrim Kuranit dhe të shikojmë traditën profetike, do të vërejmë se dialogu është pjesë e pandarë e tyre. Vetë Kurani Famëlartë përdor gjuhën e diskutimit dhe të dialogut. Gjuha e diskutimit të Kuranit është me të vërtetë mjaft e habitshme dhe të lë pa mënd, sepse gjatë diskutimit Kurani të tërheq vëmendjen drejt argumentave. Po ashtu edhe profeti (a.s), për të rritur, edukuar dhe mësuar shokët e tij ka përdorur gjuhën e dialogut në atë formë, që e josh dhe e tërheq dëgjuesin për të ditur përgjigjen, dhe si rrjedhojë ajo (përgjigja) do të perceptohej më mirë.
Perktheu: Elton Harxhi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit