Jemi dëshmitar të një ndodhie shumë interesante në jetën publike të shoqërisë sonë: jo që e kemi ndrydhur fare mendimin kritik, por edhe ai pak mendim kritik nuk sulmohet më, nuk ndalohet më, madje as nuk përndiqet. Përkundrazi, fillon të pranohet me buzëqeshje, të duartrokitet, të përmendet nëpër akademi, studio televizive e konferenca. Dhe pikërisht këtu fillon problemi më i madh: kritika tashmë po e humb fuqinë e vet të vërtetë dhe po shndërrohet në folklor. Tashmë kemi harruar se mendimi kritik nuk ekziston vetëm për t’u dëgjuar bukur. Ai ekziston për të trazuar, për të shqetësuar, për të vënë në siklet pushtetin dhe hipokrizinë shoqërore. Kur ai nuk prodhon më asnjë parehati, atëherë diçka nuk shkon.
Sot shpesh dëgjon shumë njerëz që flasin për intelektualin, për lirinë e mendimit, për rëndësinë e kritikës. Por, në të njëjtën kohë, shumë pak njerëz e durojnë kritikën e vërtetë. Sepse kritika reale nuk është komode. Ajo prish rehati, prek interesa, zbardh mashtrime dhe e heq maskën e shumë figurave publike.
Prandaj, shoqëria ka gjetur një mënyrë më të butë për ta neutralizuar mendimin kritik: ta kthejë në mizanskenë kulturore. Intelektuali kritik ftohet në debate, nderohet me mirënjohje, fotografohet në aktivitete publike, citohet nëpër fjalime. Në këtë derexhe, askush nuk e merr seriozisht atë që thotë. Kritika dëgjohet si ritual dhe jo si alarm. Kështu, pak nga pak, krijohet një gjendje absurde: të gjithë flasin për nevojën e mendimit kritik, por askush nuk do që ai të ketë pasoja reale.
Kjo shihet sidomos te disa figura publike që pranohen nga sistemi pikërisht sepse janë bërë të parrezikshme. Ata mund të flasin kundër shumë gjërave, por gjithmonë brenda kufijve që nuk e tronditin realisht pushtetin. Kritikën e kanë më shumë stil publik sesa qëndrim moral.
Edhe mediat shpesh e duan këtë lloj kritike. Një kritikë që tingëllon bukur, që krijon debat televiziv, por që nuk ndryshon asgjë. Një lloj revolte pa pasoja. Dhe kështu, mendimi kritik fillon të duket si pjesë e folklorit modern: përmendet shpesh, përdoret si zbukurim kulturor, por pa ndikuar realisht në jetën publike. Pa dyshim, një shoqëri që e kthen kritikën në folklor, gradualisht humb aftësinë për ta dalluar zërin e vërtetë nga performanca. Fillon të ngatërrojë intelektualin me personazhin publik. Fjalën me pozën. Guximin me retorikën. Kjo është ajo disfatë më e madhe e mendimit kritik në kohën moderne: jo kur ndalohet me forcë, por kur tolerohet aq shumë, sa bëhet pjesë e “mizanskenës kulturore” dhe nuk tremb më askënd.
/HEJZA/
KUR MENDIMI KRITIK SHNDËRROHET NË FOLKLOR
