INTELEKTUALI DHE TUNDIMI I PRIVILEGJIT

Më të lexuarat

Ekziston një lloj i intelektualëve që shumë lehtë joshen me privilegje. Me një pozitë, një titull, një afërsi me liderin e partisë, me pushtetin, një vend në institucione, një udhëtim zyrtar, një komision, një dekoratë apo thjesht me ndjesinë se janë “të rëndësishëm”. Dhe pikërisht këtu fillon një nga sprovat më të vështira të intelektualit: tundimi i privilegjit. Në fillim gjithçka duket e pafajshme. Një bashkëpunim institucional. Një ftesë në një aktivitet shtetëror. Një emërim në ndonjë këshill kulturor apo akademik. Madje, shumë herë, intelektuali e bind veten se po hyn në sistem për të ndikuar pozitivisht. Se po afrohet me pushtetin jo për interes personal, por për të ndihmuar shoqërinë. Por, pushteti rrallëherë afron dikë pa kërkuar diçka në këmbim. Dhe ajo që kërkon më shpesh nuk është propaganda e hapur. Mjafton zbutja e kritikës. Heshtja në momentet e caktuara. Kujdesi për të mos e prishur rehatinë e krijuar.
Kështu, intelektuali fillon të ndryshojë pa e kuptuar. Jo menjëherë në bindje, por në ton. Në mënyrën si flet. Në temat që shmang. Në kritikat që nuk i bën më. Pak nga pak, privilegji fillon ta disiplinojë mendimin. Kjo është arsyeja pse shumë pushtete nuk kanë nevojë t’i luftojnë intelektualët kritikë. Mjafton t’i afrojnë pranë vetes. T’i bëjnë pjesë të sistemit të privilegjeve. Sepse një intelektual i integruar plotësisht në komoditet institucional, rrallëherë mbetet i lirë në mendim. Privilegji ka një fuqi të fshehtë: të krijon frikën e humbjes. Dhe sapo intelektuali fillon të ketë frikë se mund të humbasë pozitën, ndikimin, qasjen në institucione apo statusin publik, ai fillon të vetëkontrollohet.
Në këtë moment lind figura e intelektualit oportunist. Ai që flet për moralin, por gjithmonë ruan marrëdhëniet me pushtetin. Ai që shfaqet kritik në teori, por kujdeset të mos rrezikojë asgjë konkrete. Ai që gradualisht mëson artin e mbijetesës elegante. Natyrisht, jo çdo intelektual që ka funksion publik është i korruptuar moralisht. Problemi nuk është pjesëmarrja në institucione. Problemi fillon kur privilegji bëhet më i rëndësishëm se e vërteta. Sepse intelektuali e humb rolin e vet jo atëherë kur gabon, por atëherë kur fillon ta sakrifikojë ndërgjegjen për rehati personale. Shoqëritë tona kanë prodhuar shpesh këtë tip intelektuali: figura që dikur kanë qenë kritike, por që me kalimin e kohës janë bërë gjithnjë e më të kujdesshme, më diplomatike, më të heshtura. Jo domosdoshmërisht sepse kanë ndryshuar bindje, por sepse janë lidhur me sistemin e privilegjeve që pushteti di ta ndërtojë shumë mirë. Dhe paradoksi është se sa më shumë privilegje fiton intelektuali, aq më shumë rrezikon ta humbasë lirinë e vet të brendshme.
Pra, pushteti nuk e ka gjithmonë nevojën ta censurojë intelektualin. Shpesh mjafton ta rehatojë. Sepse një intelektual i pakënaqur mund të bëhet kritik. Ndërsa një intelektual i sistemuar mirë, zakonisht bëhet i kujdesshëm. Dhe ndoshta kjo është fitorja më e sofistikuar e pushtetit mbi mendimin kritik: jo kur e detyron intelektualin të flasë në favor të tij, por kur arrin ta bindë se heshtja ia vlen më shumë se e vërteta.

/HEJZA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit