8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Njeriu shperblehet per çdo veper, sado e vogel qofte

Më të lexuarat

Sa’d ibnu ebil Uekas, një prej 10 personave të përgëzuar me xhenet thotë: “Në vitin e haxhit të lamtumirës, profeti (a.s) erdhi tek unë për të më vizituar, ngaqë isha i sëmurë. Ju drejtova profetit (a.s) me këto fjalë: O i Dërguar i Allahut! Siç e shikon unë jam shumë i sëmurë, kam shumë para dhe kam si trashëgmtare të vetme vajzën time. A të jap lëmoshë 2/3 e pasurisë time? Jo – tha ai. Gjysmën, o i Dërguar i Allahut? Jo – tha ai. 1/3, o i Dërguari i Allahut? Profeti (a.s) tha: “1/3 dhe 1/3 është shumë. Është më mirë për ty, që trashëgmtarët t’i lësh të pasur, sesa të varfër duke lypur tek njerëzit. çdo shpenzim  që ti e shpenzon për hir të Allahut, do të marrësh shpërblim për të, madje edhe për kafshatën e bukës që ia jep gruas”. O i Dërguar i Allahut! A do të qëndroj në Meke, pasi shokët e mi të largohen prej saj? Nëse do të qëndrosh, atëherë çdo punë që e bën për hir të Allahut, do të ngrihesh në gradë dhe pozitë të lartë tek Allahu. Ndoshta ti do të jetosh, saqë një popull ka për të pasur dobi prej teje e një tjetër do të dëmtohet. O Zot! Plotësoje hixhretin për shokët e mi dhe mos i kthe mbrapa. Fatkeq është Sa’d ibnul Khauleh. Profeti (a.s.) akoma i vinte keq për të, ngaqë ai vdiq në Meke”.
 
Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit:
 
Ai është sahabiju i nderuar Sa’d ibnu Ebi Uekas, gjeonalogjia e të cilit takohet me profetin (a.s) tek Kilab ibnu Murreh. Ai njihej ndryshe me epitetin Ebu Is’hak.
Ka qenë i shkurtër e i shëndoshë, me flokë të dendura, të cilat i ka pasë lyer në ngjyrë të zezë.
Është prej besimtarëve të parë, që ka pranuar fenë e Allahut, në moshën 17-të vjeçare, përpara se namazi të bëhej obligim. Nëna e tij nuk ishte dakord me besimin e tij, prandaj i bëri shantazh, duke e kërcënuar se nëse ai nuk e mohon fenë e re, nuk ka për t’i folur, as ka për të ngrënë e as për të pirë derisa të vdiste. Kështu qëndroi tre ditë, derisa i ra të fikët nga stërmundimi. Pas kësaj, njëri prej djemve të saj i quajtur Amare i dha për të pirë. E megjithëkëtë, ai nuk u lëkund në besimin e tij.
Sa’di ka transmetuar 271 hadithe nga profeti (a.s)
Ai është një prej 10-të personave, që profeti (a.s) i ka përgëzuar me xhenet.
Ka emigruar në Medine, përpara se të emigronte profeti (a.s). Ka marrë pjesë në të gjitha betejat që ka zhvilluar profeti (a.s). Madje ai e ka ruajtur dhe mbrojtur profetin (a.s) gjatë luftrave. Aishja tregon: Në një natë profeti (a.s) tha: “Ah, sikur një prej shokëve të mi të mirë të më ruante sot?! Pas pak dëgjuam vringëllimën e një shpate. Profeti (a.s) pyeti: Kush është? Jam Sa’d ibnu ebi Uekas, erdha të të ruaj o i Dërguar i Allahut, sepse pata frikë për ty. Profeti (a.s) e luti Allahun dhe më pas ra në gjumë”. (Transmeton imam Myslimi).
Ai ndërmori fushatën e luftës kundrejt persëve, derisa me lejen e Allahut çliroi Kadisijen e shumë vende të tjera.
Sa’di njihej si një njeri, që Allahu i ka pasë pranuar lutjet, pasi profeti (a.s) e kishte lutur Allahun, që t’ia pranonte lutjet Sa`dit.
Në sprovën e madhe që ndodhi pas vrasjes së Othmanit, ai nuk u përzie dhe nuk morri pjesë.
Vdiq në Akik (një vend 10-të milje larg Medines) dhe u transportua në Medine për t’u varrosur në Bekia. Nuk dihet me saktësi se në çfarë moshe ka vdekur. Disa thonë se ka vdekur në moshën 73 vjeç, e të tjerë thonë 83 vjeç.
Allahu qoftë i kënaqur me të.
 
Shpjegimi i hadithit:
Nga ky hadith profetik përthithim shumë domethënie e vlera. Në këtë hadith profetik vërjemë dialogun e zhvilluar ndërmjet profetit (a.s) me sahabijun e nderuar Sa’ad ibnu ebi Uekasin rreth një problemi social, që zë një vend të rëndësishëm në progresin e ymetit mysliman. Ai është problemi i pasurisë, mënyrën se si besimtari duhet ta fitojë atë dhe mënyrën se si duhet ta shpërndajë atë.  Profeti (a.s) e jep zgjidhjen e këtij problemi, gjatë vizitës së një të sëmuri, ç’ka dëshmon qartë universitalitetin e profetit (a.s) në rolin e edukatorit, analistit e modestit.
Prindi e ka për detyrë dhe obligim që të kujdeset për fëmijët e tij. Ai duhet ta kërkojë riskun hallall, ç’ka do ta hijeshonte jetën në sytë e fëmijëve të tij. Kjo vlerë e lartë e qytetërimit duket qartë në këshillën e profetit (a.s) në dialogun që zhvillon me Sa’din. Në të njëjtën kohë ajo është një këshillë, që profeti (a.s) i drejtohet çdo babai që është përgjegjës për fëmijët e tij, kur thotë: “Është më mirë për ty që trashëgmtarët t’i lësh të pasur, sesa të varfër duke lypur tek njerëzit”. Besimtari është krenar dhe është shumë e zorshme dhe e rëndë për të që të bjerë në gradën e lypësit.
Por këshilla profetike nuk mbaron me kaq, përkundrazi përkundrejt përgjegjësisë së prindit ndaj fëmijëve, profeti (a.s) e nxit dhe e motivon besimtarin që të japë sadaka, në mënyrë të atillë që njeriu të mos jetë egoist vetëm ndaj vetes dhe familjes së tij, por ajo t’i tejkalojë kufinjtë e vetvetes, për të ndihmuar të varfërit dhe nevojtarët. Me këtë këshillë profeti (a.s) dëshiron që në mesin e shoqërisë islame të mbizotërojë fryma e bashkëpunimit dhe e solidaritetit.
Një vlerë tjetër e përmendur në këtë hadith është dashuria, dhembshuria dhe qetësia ndërmjet burrit dhe gruas. Kjo vlerë, që ka një dimension të gjerë social, personifikohet në kujdesin dhe përgjegjësinë në formën më të bukur. Nëse burri mundohet që ta gëzojë sadopak gruan e tij, atëherë shpërblimi i tij është shumfish. Nuk ka dyshim, se një veprim i tillë lë gjurmë të thella në shpirt, që dëshmon qartë për dashurinë ndërmjet dy bashkëshortëve. Madje prej shenjave të dashurisë është edhe të ushqyerit e saj, ngrohtësia që i dhuron dhe kujdesi për të ruajtur marrëdhëniet mes bashkëshortëve.
Një vlerë tjetër, të cilën e përftojmë mga ky hadith profetik, është ndjenja e përgjegjësisë ndaj shoqërisë dhe individit. Sahabiju i nderuar, duke qenë në shtrat nga një sëmundje e pashërueshme, jo që nuk dëshpërohet ngaqë do ta braktisë pasurinë e as që ka frikë nga vdekja, por përkundrazi ai mendon për myslimanët. Ndërmjet tij dhe profetit (a.s) zhvillohet një dialog: “O i Dërguar i Allahut! Siç e shikon unë jam shumë i sëmurë, kam shumë para dhe kam si trashëgimtare të vetme vajzën time. A të jap lëmoshë 2/3 e pasurisë time? Jo – tha ai. Gjysmën, o i Dërguar i Allahut? Jo – tha ai. 1/3, o i Dërguari i Allahut? 1/3, dhe 1/3 është shumë”. Dhënia e kësaj shume parash sadeka 2/3 apo gjysma dëshmon për forcën e besimit të këtij sahabiju të nderuar, që nuk lëkundet përpara mashtrimit të pasurisë. Ky është Sa’d ibnu ebi Uekas, një njeri i devotshëm, i përkushtuar, i sinqertë, modest dhe shumë dorëdhënë, ç’ka dëshmon për besimin e fortë, që ishte rrënjosur në zemrën e tij.
Profeti (a.s) shkon dhe e viziton Sa’din, që ishte sëmurë, e lut Allahun që ai të shërohet, dhe jo vetëm kaq por i jep edhe shpresë, se ai do të jetojë dhe me fjalë të buta i drejtohet duke i thënë: “Ndoshta ti do të jetosh, saqë një popull ka për të pasur dobi prej teje e një tjetër do të dëmtohet”. Dhe me të vërtetë lutja dhe paralajmërimi i profetit (a.s) u plotësua. Sa’di jetoi shumë duke qenë komandanti i ushtrisë myslimane në luftënqë u zhvillua kundra persëve. Ai arriti që me ushtrinë e tij të triumfonte ndaj persëve dhe të vriste komandantin e ushtrisë perse, Rustumin. Me çlirimin e teritorreve të Irakut nga perandoria perse, shumë njerëz e pranuan fenë e Allahut, duke qenë kjo një dobi për ta në çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër. Por në të njëjtën kohë persët, të cilët u përballën me ushtrinë e Sa’dit, vdiqën si jobesimtarë, ç’ka konsiderohet e dëmshme për ta në jetën e kësaj bote dhe botës tjetër. Kështu pra, profetizimi i profetit (a.s) u plotësua. Dhe ky bashkëbisedim ndërmjet profetit (a.s) dhe Sa’dit përmbyllet me lutjen e profetit (a.s) për shokët e tij: “O Zot! Plotësoje hixhretin për shokët e mi dhe mos i kthe mbrapa”.
Rregulla dhe dispozita fetare:
Rreth vizitës së sëmurit  juristët myslimanë kanë dhënë mendime të ndryshme. Por mendimi më i drejtë është, se vizita e të sëmurit është Sunet.
Lejohet që i sëmuri të thotë shkakun se prse vuan dhe kjo bëhet për disa arsye: për diagnostikimin e sëmundjes, lutjet që mund të bëhen për shërimin sa më të shpejt të tij..etj. Por është e papëlqyeshme veprimi i të sëmurit, kur ai ankohet për sëmundjen.
Amaneti për ndarjen e pasurisë që lë ai që është në shtratin e vdekjes, konsiderohet i pëlqyeshëm (mustehab). Duke u bazuar tek ky hadith, juristët kanë thënë, se njeriu që është në shtratin e vdekjes, nuk duhet të lërë amanet për ndarjen e pasurisë më tepër se 1/3/e pasurisë. Në të kundërt pas vdekjes së tij nuk lejohet të shpërndahet më tepër se ky kufi i përcaktuar, vetëm në rastin kur pjestarët e ligjëruar të trashëgmisë së tij janë dakord.
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
 
1 – Vlera e vizitës që i bëhet të sëmurit.
2 – Haxhi i Lamtumirës
3 – Konsulta me dijetarët
4 – Vlera e shpenzimit të pasurisë  ndaj gruas dhe fëmijëve.
5 – Vlera e nijetit të pastër e të sinqertë.
6 – Vlera e sadakasë dhe lënies së amantetit
7 – Frika e muhaxhirëve nga frika se mos vdisnin në Meke.
8 – Dhembshuria dhe keqardhja për atë që fton.
9 – Paralajmërimet profetike.
 
1 – Vlera e vizitës që i bëhet të sëmurit:
Profeti (a.s) e ka pasur zakon, që gjithmonë shkonte dhe i vizitonte të sëmurët. Në këtë rast profeti (a.s) shkon tek Sa’d ibnu ebi Uekas, i cili ishte sëmurë. Kur myslimani shkon tek i sëmuri për ta vizituar, nga kjo vizitë ka dobi vetë ai dhe po ashtu edhe i sëmuri.
Përsa i përket vizitorit, në rradhë të parë ai ka kryer një obligim që ka ndaj vëllait të tij mysliman, sepse profeti (a.s) ka thënë: “Myslimani ndaj vëllait të tij mysliman ka pesë të drejta: t’ia kthejë përshëndetjen, ta vizitojë kur ai sëmuret, t’ia ndjekë xhenazen, t’i përgjigjet ftesës së tij dhe të bëjë lutje për të kur ai teshtin”.
Vizitori vazhdon të shijojë frutat e Xhenetit, derisa ta përfundojë vizitën.
Përkujtim për vizitorin se sa i rëndësishëm është shëndeti. Kur njeriu shikon të sëmurin, që vuan nga një sëmundje, çfarëdo lloj që të jetë ajo, atëherë ai arrin të vlerësojë mirësinë e shëndetit të dhuruar nga Allahu i Lartësuar.
Vizita e të sëmurit i forcon më shumë lidhjet. Kur njeriu shkon për të vizituar të sëmurin, ai nuk ka për ta harruar asnjëherë vizitën dhe kjo i afron më tepër me njëri-tjetrin. Madje lidhja forcohet akoma më tepër, pasi i sëmuri shërohet dhe sa herë që ata takohen me njëri-tjetrin, dashuria mes tyre rritet akoma më shumë.
Ndërsa përsa i përket të sëmurit; ai i kalon sadopak dhimbjet dhe vuajtjet e sëmundjes. Prandaj vizitori duhet të ketë parasysh që t’i thotë atij vetëm fjalë të mira, si psh: ti sot qenke shumë më mirë se dje, e fjalë të ngjashme si këto.
Vizitori mund të lutet për të sëmurin e të lexojë: “Allahume rab ben nas edh’hibil be’se ueshfi entesh shafi, la shifae il la shifauke, shifaen la jugadiru sekamen” që do të thotë: “O Allah, Zoti i njerëzve! Largoje këtë sëmundje, shëroje të sëmurin sepse me të vërtetë Ti je Shëruesi. Nuk ka shërim tjetër përveç shërimit Tënd, shërim që e largon sëmundjen”. Gjithashtu mund të lexohet surja El Fatiha.
Në përgjithësi vizita duhet të jetë e shkurtër dhe në kohë të përshtatshme, që i sëmuri të mos ndihet ngushtë dhe të mos vihet në siklet. Por nëse vizitori e ndjen, se i sëmuri dëshiron që ai të qëndrojë sa më gjatë, atëherë le të qëndrojë. Vizitori duhet të mundohet që të fusë sa më shumë gëzim tek i sëmuri, sepse ndoshta ky gëzim mund të jetë shkak që të ndikojë në anën e tij shpirtërore dhe si rrjedhojë ai shërohet më shpejt.
2 – Haxhi i Lamtumirës:
Quhet i tillë, sepse profeti (a.s) u dha lamtumirën njerëzve. Ndryshe quhet edhe “Haxhi i komunukimit”, pasi pas çdo fjale që profeti (a.s) përmendte, thoshte: A j’ua kam komunikuar mesazhin? Ndryshe quhet edhe “Haxhi i Islamit”, sepse ky është haxhi, ku ata të cilët e kryen pelegrinazhin, ishin që të gjithë myslimanë. Në të nuk morri pjesë asnjë idhujtar. Haxhi i Lamtumirës është një eveniment i rëndësishëm në historinë e ftesës islame. Ky është i vetmi haxh që ka kryer profeti (a.s), pikërisht në vitin e 10-të të hixhretit. Në këtë haxh morën pjesë shumë myslimanë, për të kryer haxhin bashkë me profetin (a.s). Haxhi i Lamtumirës ishte shumë domethënës për ftesën islame. Ai lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me vetë jetën e profetit (a.s). Ndoshta Allahu i Lartësuar e frymëzoi atë, se misioni i tij në Tokë ishte në përfundim, prandaj ishte dëshira e tij e fundit, që të grumbullohej ky numër i madh myslimanësh, për të dëgjuar normat dhe parimet islame të përmbledhura në fjalë konçize dhe këshilla të shkurtra.
Gjatë kryerjes së haxhit, profeti (a.s) mbajti një fjalim shumë domethënës. Në rreshtat që vijnë po e përmendim fjalimin madhështor të profetit (a.s):
Ditën e tetë të muajit dhul-hixhxhe, në ditën e tervijetit (dita në prag të Arafatit) Resulullahu (a.s) shkoi në Mina. Në Mina i fali drekën dhe ikindinë së bashku, kurse akshamin dhe jacinë së bashku. Aty fjeti dhe e fali namazin e Sabahut (në Mina i ka falur pesë namaze). Kur lindi dielli, u nis për në Arafat. Aty e gjeti çadrën e përgatitur bardh e zi. Aty u vendos dhe kur dielli iu avit perëndimit, e kërkoi devenë e vet, i hipi asaj dhe u nis kah qendra e luginës Arafat. Në Arafat ishin tubuar njëqind e njëzet e katër mijë ose njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, haxhilerë. Resulullahu (a.s) iu drejtua njerëzve si ligjërues dhe mbajti një hutbe universale dhe kon­çize. Ai tha: “O njerëz dëgjoni ligjërimin tim, sepse unë nuk e di a do takohem më me ju në këtë vend pas këtij haxhi.
Gjaku juaj dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, sikurse është e shenjtë kjo ditë e juaj në këtë vend tuaj. A thua nuk u rrëzua nën këmbën time (u anulua dhe u dëbua) çdo gjë nga koha paraislamike (bestytnia dhe adetet)? edhe gjakmarrja, nga koha paraislame është rrëzuar. Gjakmarrja e parë e këtillë, e cila anulohet, është gjaku i Ibni Rebiah b. El-Harithit. Ai ka qenë në tajisje tek fisi Benu Sa’d, ndërsa e vranë njerëzit nga fisi Hudhejl.
Kamata paraislamike është anuluar. Kamata e parë që anulohet, është kamata e Abbas b. Abdul-Muttalibit. E tëra është rrëzuar.
Kini frikë Allahun për sjelljet tuaja ndaj grave. Ju i keni marrë ato në besë të All-llahut dhe me to keni marrëdhënie me lejen e All-llahut. Ato janë të obliguara, që në shtëpinë tuaj mos të lejojë të hyjë askush. Ju këtë e urreni, andaj keni të drejtë ta kërkoni këtë prej tyre. Nëse këto nuk vep­rojnë kështu, goditni me goditje e cila nuk është e fuqishme. Ato kanë të drejtë që ju t’i ushqeni dhe t’i vishni, ashtu siç është e drejtë. Juve po ua lë Librin e Allahut, dhe nëse i përmba­heni fuqishëm atij, nuk do të devijoni.
O njerëz, me të vërtetë, pas meje nuk do të ketë Profetë e as pas jush nuk do të ketë ummet (popull) tjetër. Për këtë arsye besoni Krijuesin tuaj, falni pesë kohët e namazit, agjëroni gjatë muajit Rama­zan, jepni zeka­tin në pasurinë tuaj. Kështu i pastroni shpirtrat tuaj dhe vizitoni (kryeni haxhxhin) shtëpinë e Krijuesit tuaj. Bëhuni të dëgjueshëm ndaj udhëhe­qësve tuaj të drejtë. Nëse të gjitha këto i respektoni, do të hyni në Xhennetin e Krijuesit tuaj”.
“E nëse do të pyeteni për mua, çka do të thoni?” Ata u përgjigjën: “Do të dëshmojmë se na ke komunikuar dhe këshilluar dhe se e ke zbatuar misionin tënd”.
Resulullahu a.s. duke treguar me gisht nga qielli e pastaj nga popu­lli, tha: “O Zoti im, Ti je dëshmitar”. Këtë e përsëriti tri herë.
Njeriu i cili kishte zërin më të lartë, e që i përcillte fjalët e Resulullahut a.s. ka qenë Rebiah b. Umejje b. Halefi. Pasi e kreu fjalimin e vet, Allahu, xh.sh. ia zbriti Shpalljen: “Sot ua përsosa dispozitat e fesë suaj dhe ua plotësova dhuntinë Time ndaj jush, dhe jam i kënaqur që feja Islame të jetë fe e juaja”. (Sure El Maide: 3).
Kur Umeri (r.a) e dëgjoi këtë ajet, filloi të qante. Njerëzit e pyetën: “Çka të shtyri të qaje?” Ai u përgjigj: “Pas plotësimit dhe përsosjes nuk mund të ketë asgjë tjetër, pos mungesës dhe pakësimit”.
3 – Konsulta me dijetarët:
Allahu i Lartësuar thotë: “Pyetni ata që dinë, nëse ju nuk jeni të informuar”. (Sure En Nahl:42). Sa’di e pyeti profetin (a.s) nëse mund të jepte 2/3 e pasurisë sadaka. Kjo pyetje e tij dëshmon qartë për dëshirën që kishte ai për të mësuar rregullat dhe mësimet e fesë. Dijetarët kanë thënë: “Cilësia më e mirë e njeriut është kur ai pyet për të mësuar”. Gjithashtu ata kanë thënë: “Dy persona nuk e mësojnë fenë, ai që ka turp dhe mburraveci, të parin e privon turpi për të mësuar, ndërsa të dytin mëndjemadhësia”.
Njeriu duhet të konsultohet me dijetarët për një çështje të cilën nuk e di. Nëse për një çështje fetare nuk ke dijeni, pyet dijetarët e fesë. Nëse dëshiron të blesh shtëpi, pyet sekserët. Nëse dëshiron të blesh një makinë, shko dhe pyet mekanikun e kështu me rradhë.
Njeriu nuk duhet të pretendojë se di gjithçka, përkundrazi nuk është turp që njeriu të thotë: nuk kam dijeni rreth kësaj gjëje. Ai i cili pretendon se di gjithçka, në të vërtetë është i mangët. Ngandonjëherë njeriun e kap entuziazmi dhe emocioni për të bërë diçka, por rrethanat e detyrojnë që mos flasë apo mos ta veprojë atë gjë. Për këtë arsye, profeti (a.s) nuk foli rreth ndërtimit të Qabes jo sipas themeleve që hodhi profeti Ibrahim (a.s), nga frika e përhapjes së fitnes ndërmjet njerëzve. Profeti (a.s) i drejtohet Aishes me këto fjalë: “Nëse populli yt nuk do të ishin shumë pranë mosbesimit në kohë, atëherë do të urdhëroja që Qabja të ndërtohej sipas themeleve të Ibrahimit. Do të ndërtoja dy dyer. Nga njëra derë të hyjnë njerëzit dhe nga tjetra të dalin”.
Madje, në Kuranin Famëlartë Allahu i Lartësuar na ka ndaluar, që të shajmë e të ofendojmë idhujt, megjithëse ato e meritojnë, por duke qenë se si kundërveprim shahet Allahu, atëherë më mirë është që ato të mos shahen. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos shajnë Allahun armiqësisht nga padija. Kështu, Ne ia paraqisim të bukura çdo populli veprat e veta. Pastaj ata do të kthehen te Zoti i tyre, i Cili do t’i lajmërojë për gjithçka që kanë bërë” (Sure En’am: 108).
Pra, ajo çfarë duam të themi është, se një gjë mund të jetë shumë gjë e mirë për t’u vepruar, por në momente dhe rrethana të caktuara, nuk është mençuri dhe zgjuarsi që ajo gjë të veprohet. Prandaj në të tilla raste njeriu duhet të konsultohet me dijetarët. Ndoshta njeriun mund ta rrëmbejnë emocionet dhe ndërmerr një vepër, që në fund ka për të paguar faturën e saj.
E thënë shkurt, ajo që arrijmë të kuptojmë nga ky hadith është fakti, se njeriu duhet të marrë mendim nga ai që është më i pjekur, më e mençur e që ka më tepër eksperiencë.
4 – Vlera e shpenzimit të pasurisë  ndaj gruas dhe fëmijëve:
Ky hadith profetik na fton që t’i mbajmë fort lidhjet farefisnore, të kemi marrdhënie sa më të mira me të afërmit dhe të jemi sa më të dhembsur me trashëgmtarët. Që trashëgmtarët e tu të jenë të pasur është shumë herë më mirë se t’i lësh ata të varfër, gjithmonë nëse është e mundur. Nëse njeriu dëshiron të japë sadaka, në rradhë të parë duhet të fillojë me ata, që i ka më pranë. Njeriu gjatë gjithë jetës së tij është munduar me shpirt për fëmijët e tij. Nëse pas vdekjes së tij, ai lë diçka, pak apo shumë qoftë ajo, atëherë kjo konsiderohet si një sakrficë e tij për pjestarët e familjes, sikur të ishte gjallë. Prandaj edhe profeti (a.s) thotë: “Është më mirë për ty që trashëgmtarët t’i lësh të pasur, sesa të varfër duke lypur tek njerëzit”.
5 – Vlera e nijetit të pastër e të sinqertë:
Njeriu shpërblehet në varësi të nijetit, se sa i pastër dhe i sinqertë është ai. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai që e jep pasurinë e vet, duke e pastruar veten dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë, por vetëm për të kërkuar kënaqësinë e Zotit të tij më të Lartit. Dhe, ai me siguri do të jetë i kënaqur.” (Sure El Lejl: 18-21). Ibnu Hubejre thotë: “Ky hadith dëshmon, se besimtari i cili shpenzon për shtëpinë, familjen, gruan dhe fëmijët e tij, duhet të bëjë nijetin për të fituar kënaqësinë e Allahut”.
Është e vërtetë që burri e ka për detyrë të shpenzojë për familjen e tij, por kur këtë detyrë ai e shoqëron me nijetin për të fituar kënaqësinë e Allahut, nuk ka dyshim se ai shpërblehet. Sejid Sabik thotë: “Një vepër nuk merret për bazë dhe nuk konsiderohet e mirë, nëse nuk shoqërohet me nijet të pastër për të kërkuar kënaqësinë e Allahut, sepse synimi i njeriut është vetëm një.
6 – Vlera e sadekasë dhe lënies së amantetit:
Profeti (a.s) e miratoi fjalën e Sa’dit. kur ai tha se 1/3 e pasurisë ai e linte amanet për ta shpërndarë sadaka tek të varfërit. Ky miratim i profetit (a.s) tregon qartë, se nëse njeriu e shikon të arsyeshme që 1/3 e pasurisë pas vdekjes së tij, t’i shpërndahet dikujt tjetër përveç trashëgmtarëve të ligjshëm, atëherë ky veprim është i lejuar. Kjo gjë bëhet, sepse njeriu mund të njohë një person shumë më të varfër apo shumë më nevojtar se trashëgmtarët e ligjshëm. Megjithatë kjo sadaka ka një kufi dhe është e përcaktuar, sepse nëse njeriut do t’i lindte dëshira që gjithë pasurinë t’ia jepte dikujt tjetër përveç trashëgmtarëve të ligjshëm, atëherë kjo do të përbënte një dëm mjaft serioz për një trashëgmtarët. Prandaj nëse njeriu lë si amanet, që pas vdekjes t’i shpërndahet pasuria, atëherë 1/3 janë për të varfërit e nevojtarët, ndërsa 2/3 janë për trashëgmtarët e ligjshëm.
7 – Frika e muhaxhirëve nga frika se mos vdisnin në Meke:
Sa’di i frikësuar e pyet profetin (a.s): “O i Dërguar i Allahut! A do të qëndroj në Meke, pasi shokët e mi të largohen prej saj?” Imam Neueuiju thotë: “Sa’di ia drejtoi këtë pyetje profetit (a.s), nga frika se mos ai vetë vdiste në Meke, ndërkohë që më parë kishte emigruar prej saj dhe si pasojë e vdekjes së tij në Meke, kishte frikë se ndoshta shpërblimi i tij nuk është i plotë. Ose ai kishte frikë, se për shkak të sëmundjes së rëndë nuk do të mund të largohej nga Meka, pasi profeti (a.s) dhe sahabët të largoheshin prej saj”. Mirëpo profeti (a.s) e qetësoi Sa’din, duke e lutur Allahun që shpërblimi i hixhretit të ishte i plotë për shokët e tij.
8 – Dhembshuria dhe keqardhja për atë që fton:
Në një transmetim të transmetuar nga imam Myslimi thuhet, se profeti (a.s) e lut Allahun që Sa’di të shërohet, duke thënë: “O Zot, shëroje Sa’din! O Zot, shëroje Sa’din! O Zot, shëroje Sa’din!” Po ashtu profeti (a.s) i lutet Allahut me këto fjalë: “O Zot! Plotësoje hixhretin për shokët e mi dhe mos i kthe mbrapa”. Profeti (a.s) gjithmonë e luste Allahun e Lartësuar për shokët e tij. Prandaj në këtë hadith vërejmë, se ai dëshironte që Sa’di të shërohej, po ashtu e luti Allahun që shpërblimin e hixhretit ta merrnin të plotë, e mos të ktheheshin në mosbesim pas kryerjes së hixhretit. Nuk ka dyshim, se lutjet e profetit (a.s) për shokët e tij tregojnë për dhembshurinë dhe keqardhjen e tij për shokët e tij. Me këtë cilësi duhet të karakterizohen të gjithë ftuesit, duke marrë si model të Dërguarin e Allahut.
9 – Paralajmërimet profetike:
Në këtë hadith profeti (a.s) e paralajmëroi Sa’din, se ai do të jetonte aq gjatë, sa të mirën e tij do ta përjetonin shokët e tij, ndërsa një popull tjetër do të dëmtohej prej tij. Dhe me të vërtetë, Sa’di jetoi shumë gjatë. Ai ishte komandant i ushtrisë myslimane, që çliroi Irakun dhe shumë vende të tjera përreth saj. Me çlirimin e Irakut, njerëzit e pranuan fenë islame, ç’ka u bëri dobi në këtë botë dhe në botën tjetër. Ndërsa jobesimtarët vdiqën si të tillë gjatë betejave të zhvilluara, ç’ka u solli atyre një dëm të madh si në këtë botë po ashtu edhe në botën tjetër. Dëme në këtë botë, sepse plaçka e luftës u ngeli në dorë myslimanëve, ndërsa në botën tjetër ata do të hyjnë në zjarrin e Xhehenemit për shkak të mosbesimit të tyre.
Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin thotë: “Ky hadith është një mrekulli profetike, sepse ndodhi ashtu siç profetizoi profeti (a.s). Sa’di jetoi deri në periudhën e hilafetit të Mu’auijes. Ky paralajmërim dëshmon për profetësinë e profetit Muhamed (s.a), i cili paralajmëroi se ka për të ndodhur kështu dhe me të vërtetë ashtu ndodhi”.

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit