Shumë kohëra e stina adhurimesh përfunduan, e çka tani?!
Kanë kaluar stinët e adhurimit, o miku im, dhe ditët e begata që Allahu na i dhuroi kanë mbaruar.
Ramazani përfundoi. Kaluan dhjetë netët e fundit dhe kaloi Nata e Kadrit. E kush mund ta dijë vlerën e vërtetë të Natës së Kadrit? Allahu është më i Madhi për të gjitha mirësitë që na dha në ato ditë e net.
Mbaroi Bajrami i Fitrit dhe përfundoi koha e itikafit. Kaluan edhe dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes. Allahu na bëri të arrinim ditën madhështore të Arafatit, ditën kur lutjet ngrihen dhe pranohen. Pastaj erdhi Dita e Kurbanit; u gëzuam duke iu bindur urdhrit të Allahut dhe hëngrëm nga furnizimi i mirë që Ai na dha. Më pas kaluan edhe ditët e Teshrikut, derisa të gjitha këto stinë të begata morën fund.
Çdo gjë përfundoi, o miku im…
Por Kurani nuk ka përfunduar dhe nuk duhet të mbetet i harruar.
Namazi nuk ka përfunduar.
Duaja nuk ka përfunduar.
Sexhdet nuk kanë përfunduar.
Namazi i natës nuk ka përfunduar.
Dhe sinqeriteti me Allahun nuk ka përfunduar.
Prandaj kujtoje gjithmonë fjalën e Allahut të Lartësuar:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَكُونُوا مَعَ الصَّادِقِينَ
O besimtarë! Druajuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqerte!
(Et-Teube, 119)
Mos lejo që adhurimi yt të jetë vetëm sezonal; të jesh rob i Allahut në Ramazan, në Arafat apo në ditët e festave, e pastaj ta harrosh Atë kur ato të kalojnë.
Mos u bëj prej atyre që janë të përkushtuar për disa ditë, por kur mbaron stina e adhurimit, kthehen në neglizhencë dhe mëkate.
Sepse, o miku im, stinët e adhurimit mbarojnë, ditët kalojnë dhe ngjarjet përfundojnë.
Por lidhja jote me Allahun nuk përfundon kurrë.
Çdo gjë përfundoi, o miku im, përveç asaj që është mes teje dhe Allahut.
Ajo duhet të vazhdojë derisa ta takosh Atë.
Bekir Halimi
