22.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Cilat janë shenjat për një agjërim të pranuar?

Më të lexuarat

Cilat janë shenjat për një agjërim të pranuar?

Muslimanët dalin nga muaji Ramazan duke shpresuar se Allahu ua ka pranuar agjërimin, namazin e natës dhe të gjitha veprat e tyre të mira, si dhe çdo adhurim që e kanë kryer në këtë muaj fisnik, për të cilin Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Atij që e agjëron (muajin) Ramazan me besim dhe duke llogaritur shpërblimin (tek Allahu), i falen mëkatet e kaluara.”

Allahu i Lartësuar i ka begatuar robërit e Tij duke i udhëzuar drejt disa shenjave dhe provave me të cilat ata e kuptojnë se agjërimi dhe adhurimet e tyre janë pranuar.

Dijetarët i kanë përmendur këto shenja në librat e tyre, për të qenë sihariq për besimtarët, të cilët adhurimin dhe nënshtrim ndaj Allahut e kishin sinqerisht.

Prej shenjave se agjërimi dhe adhurimet janë pranuar në muajin Ramazan janë:

1- Robi duhet t’i lidhë adhurimet e tij pas përfundimit të muajit Ramazan me adhurime të tjera, e jo t’i lidhë me mëkatim/mosbindje. Kështu që, duhet ta shtojë vullnetin e tij për faljen e namazit të natës, leximin e Kuranit, sadakanë dhe trajtimin e njerëzve në formën më të mirë, duke qëndruar larg përgojimit, thashethemeve, të folurit e rremë dhe moralit të keq, prej të cilave muslimani është trajnuar për t’u larguar gjatë gjithë muajit Ramazan.

Imam Ibn Raxheb Hanbeliu (Allahu e pastë mëshiruar!), ka thënë: “Kushdo që vepron një adhurim dhe e plotëson atë, shenja e pranimit të tij është se ai e përcjellë atë me një adhurim tjetër…”

2- Vazhdimësia në punët e mira. Nga nëna e besimtarëve, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), përcillet se ka thënë: “Sa herë që i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, e bënte ndonjë vepër, e përkryente dhe e bënte në vazhdimësi.” Gjithashtu veprat më të dashura për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, janë ato që bëhen në vazhdimësi, qoftë edhe të pakta. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që janë të vazhdueshmet, qoftë edhe të pakta.”

3- Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit dhe kujdesi ndaj namazit dhe agjërimit vullnetar, sepse me to plotësohen mangësitë dhe neglizhenca që mund të ndodh nga ana jonë në raport me farzet (veprat obligative).

4- Efekti i adhurimit në moralin e robit të bëhet i dukshëm, kështu që ai të largohet nga të shëmtuarat, të irrituarat dhe të sillet mirë me njerëzit në çdo gjë, kështu që e përmban gjuhën dhe nuk i përgojon ata, madje e përmban edhe të menduarit, kështu që, për askënd nga robërit e Allahut nuk mendon keq.

5- Që Allahu ta bëjë të dashur adhurimin për zemrën tënde, kështu që, e do adhurimin, gjen prehje dhe qetësohesh me të. Allahu i Lartësuar thotë:

ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَتَطۡمَئِنُّ قُلُوبُهُم بِذِكۡرِ ٱللَّهِۗ أَلَا بِذِكۡرِ ٱللَّهِ تَطۡمَئِنُّ ٱلۡقُلُوبُ ٢٨
“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Er Rad, 28)

6- Ta urresh mëkatimin dhe mosbindjen është shenjë se veprat të janë pranuar tek Allahu i Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë:

وَلَٰكِنَّ اللَّهَ حَبَّبَ إِلَيْكُمُ الْإِيمَانَ وَزَيَّنَهُ فِي قُلُوبِكُمْ وَكَرَّهَ إِلَيْكُمُ الْكُفْرَ وَالْفُسُوقَ وَالْعِصْيَانَ ۚ أُولَٰئِكَ هُمُ الرَّاشِدُونَ (7)

“Por Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen. Pikërisht ata janë të udhëzuarit drejt.” (El Huxhurat, 7)

Përktheu: Hoxhë Burim Koçinaj

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit