Xhabir bin Abdilahu -radiallahu anhu- tregon:
“Kur u kthyen emigrantët e detit dhe u takuan me Profetin -alejhi selam-, ai i pyeti: A s’më tregoni për gjënë më të çuditshme që keni parë në Abisini?
Disa të rinj prej tyre i thanë: Njëherë, ndërsa ishim ulur, kaloi pranë nesh një grua e moshuar e cila mbante një enë me ujë. Ajo kaloi pranë një të riu prej tyre dhe ai i vendosi dorën mes shpatullave dhe e shtyu. Ajo ra në gjunjë dhe ena e saj u thye. Ajo pastaj, u ngrit, iu kthye atij dhe i tha: Do ta shohësh o tradhtar kur Allahu të vendosë Fronin, t’i tubojë të parët dhe të fundit dhe të flasin duart e këmbët për atë që vepronin? Atëherë do ta shohësh çështjen time dhe tënden, tek Ai.
Atëherë Profeti -alejhi selam- tha: Si mund ta lartësojë Allahu një popull i cili nuk ia merr hakun të dobëtit ndaj të fortit të tyre?!”
▪️E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson Shejh Albani.
♦️Sqarime
➖Emigrantët e detit janë emigrantët e parë të besimtarëve, para atyre të Medinës, të cilët emigruan përtej detit për në Abisini për shkak të keqtrajtimeve të mushrikëve në Mekë.
➖Abisinia është Etiopia e sotme dhe banorët e saj kanë qenë në fenë e Isait alejhi selam. Ata për shkak të kësaj lidhjeje me këtë profet të Allahut kanë qenë në dijeni të Ditës së Llogarisë dhe shumë mësimeve të tjera profetike. Mbreti i tyre ka qenë Nexhashiu i cili është shumë i njohur në historinë Islame.
➖Fjala e saj për zullumqarin “O tradhtar” është sepse zullumqari e kreu zullumin e tij ndërkohë që ajo ishte krejtësisht e pavëmendshme duke i ardhur asaj tinëzisht pas shpine dhe kjo është pabesi.
♦️Dobitë e përfituara nga ngjarja:
➖E para: Besimi në botën tjetër dhe në Ditën e Llogarisë është besim që e kanë përmendur të gjithë profetët e Allahut. Musai alejhi selam, profeti të cilin ndjekin të gjithë Beni Israilët bashkë me profetët e tyre, ku ndër ta bën pjesë edhe Isai -alejhi selam-, Allahu i madhëruar që në bisedën e parë i ka thënë atij: “Dhe dije se Ora e Fundit është duke ardhur. Unë e kam fshehur atë që të shpërblehet çdo kush sipas asaj që ka vepruar” Sure Taha: 15.
➖E dyta: Tradhtia është moral i ulët të cilën e urren çdo natyrë e pastër njerëzore dhe prandaj njerëzit kur duan të shajnë dikë ia thonë atij në sy, sepse nuk ka nënçmim më të madh për të sesa cilësimi i tij me këtë epitet. Prandaj dhe gruaja e moshuar ia përmendi atij këtë cilësi mes të gjithë njerëzve.
➖E treta: Nuk ka çlirim më të madh për zemrën e atij që i është bërë zullum sesa kujtimi i Ditës së Llogarisë dhe i drejtësisë së Allahut, sepse gruaja e moshuar e ngushëlloi vetën e saj duke e kujtuar atë ditë.
➖E katërta: Popujt që nuk solidarizohen me atë që i është bërë zullum nuk kanë për të patur sukses në këtë botë dhe kanë për tu shkatërruar. Prandaj Profeti alejhi selam reagoi menjëherë pas dëgjimit të ngjarjes dhe e lidhi çështjen e tyre me pengimin e suksesit, sepse kush e ka prishur peshoren e drejtësisë, kështu ka qenë ndëshkimi i tyre në Dynja.
Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli
