19.4 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Cilat janë ato veprime që e bëjnë të domosdoshme marrjen e guslit?

Më të lexuarat

Veprime të cilat e bëjnë të domosdoshme marrjen e guslit

Veprime të tilla janë gjithsej pesë:

1- Dalja e spermës me epsh gjatë gjumit apo në gjendje të zgjuar, qoftë nga burri apo nga gruaja

Mendimi i juristëve në përgjithësi është se, gusli është detyrim te personi i cili ka rrjedhje të meni-ut (spermës), si rezultat i nxitjes, si gjatë kohës së gjumit

ashtu edhe kur është zgjuar.

Ebu Seid ka transmetuar se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Përdorimi i ujit për larje është i detyrueshëm pas ejakulimit të spermës”.[1] E transmeton Muslimi.

Umu Seleme ka transmetuar se Umu Sulejm i ka thënë Profetit (a.s.): “O i Dërguar i Allahut! Allahu nuk ka turp nga e vërteta. A duhet të marrë gusël gruaja, nëse ajo sheh një ëndër nga e cila ka sekrecione?” Ai iu përgjigj: “Po, nëse ajo e sheh lëngun”.[2] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Në këtë pikë, ka disa çështje të tjera të rëndësishme që duhen trajtuar:

a) Nëse sperma del pa ndonjë lloj epshi (për shkak sëmundjeje apo ndonjë të ftohti ekstrem)

Në këtë rast, marrja e guslit nuk është e detyrueshme. Aliu (r.a.) ka transmetuar se Profeti i ka thënë atij: “Nëse ke ejakulim të spermës, atëherë merr gusël”.[3] Transmeton Ebu Daudi.

Muxhahidi tregon“Njëherë ishim mbledhur në xhami ne shokët e Ibën Abasit (Tausin, Sejid ibën Xhubejrin dhe Ikrimën). Kur ai filloi për t’u falur, një njeri hyri në xhami dhe tha: “A ka në mesin tuaj ndonjë që mund të më japë përgjigje të saktë?” Ne i thamë: “Bëje pyetjen tënde!”. Ai tha: “Sa herë që urinoj kam rrjedhje me vrull të një lëngu”. Ne e pyetëm: “A është ai lëngu nga i cili krijohet fëmija?” Ai tha: “Po”. Ne i thamë: “Atëherë ti duhet të lahesh”. Pas kësaj, burri u largua duke thënë “Inna lil-lahi ua inna ilejhi ra’xhiun”, (Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi). Ibën Abasi e shpejtoi namazin e tij, pas të cilit ai i tha Ikrimës që ta thërriste burrin edhe njëherë tjetër. Ai u kthye nga ne dhe na tha: “A bazohet gjykimi juaj në librin e Allahut? Ne i thamë: “Jo”. Ai pyeti: “A bazohet në thëniet e të Dërguarit të Allahut? Ne i thamë: “Jo!”. “Atëherë ku?” Ne u përgjigjëm: “Në mendimin tonë”. Ai tha: “Ja pse i Dërguari i Allahut ka thënë se një njeri i ditur është shumë më i rreptë për shejtanin se sa njëmijë adhurues”.[4]

Burri erdhi dhe qëndroi përpara Ibën Abasit, i cili i tha: “Kur të ndodh rrjedhja e spermës, a ndjen epsh në veten tënde?” Ai iu përgjigj: “Jo”. Ibën Abasi e pyeti përsëri: “A ndjen ndonjë mpirje në trup? Ai u përgjigj: “Jo”. Atëherë Ibën Abasi tha: “Një rrjedhje e tillë është për shkak të të ftohtit. Për këtë gjendje është i mjaftueshëm vetëm abdesi”.

b) Nëse personi sheh ndonjë ëndërr eksituese por nuk gjen ndonjë gjurmë ejakulimi

As në këtë rast nuk është e nevojshme marrja e guslit.

Ibn El Mundhiri ka thënë: Të gjithë dijetarët që njoh bien dakord në lidhje me këtë çështje”. Këtë gjë e vërteton hadithi i Umu Selemes i përmendur më lart.

c) Nëse personi zgjohet nga gjumi dhe sheh një masë të lagësht, por që nuk është si rezultat i shikimit të ndonjë ëndrre eksituese, edhe pse nuk është i sigurt nëse ajo është spermë (çfarë duhet të bëjë?)

Për të qenë i sigurt ai duhet të lahet.

Muxhahidi dhe Katade kanë thënë: “Nuk është e nevojshme marrja e guslit, derisa ai të jetë i sigurt se ajo është spermë, për shkak se kushti paraprak i pastërtisë nuk mbaron me pasigurinë”.

d) Nëse e ndjen epshin dhe e shtrëngon organin e tij, në mënyrë që të ndalojë ejakulimin

Një rast i tillë e bën të panevojshme marrjen e guslit. Kjo bazohet në hadithin që thotë se gusli është i nevojshëm nëse sperma mund të shihet. Por, nëse personi ecën dhe nuk mund ta kontrollojë ejakulimin e tij, atëherë ai duhet të marrë gusël.

e) Nëse në rrobat e tij sheh gjurmë sperme

Nëse një njeri nuk e di se kur sperma ka rënë në rrobat e tij dhe është falur pa e ditur, ai duhet të marrë gusël dhe t’i përsërisë të gjitha namazet nga hera e fundit kur ai ishte në gjumë? Nëse ai vëren se një gjë e tillë ka ndodhur gjatë kohës kur ai ishte në gjumë më herët, duhet t’i përsërisë të gjitha namazet deri në kohën kur mendohet se që nga aty ka ndodhur ejakulimi.

2- Takimi i dy organeve gjenitale me njëri-tjetrin

Një takim i tillë realizohet me futjen e pjesës së përparme[5] të organit seksual të mashkullit në atë të femrës. Nëse ndodh ky kontakt, atëherë gusli është detyrim për të dy bashkëshortët, edhe në rastin kur nuk ndodh ejakulimi. Allahu thotë në Kuran:

وَإِنْ كُنْتُمْ جُنُبًا فَاطَّهَّرُوا

“Nëse jeni të papastër, atëherë pastrohuni (lahuni)”. (El Maide, 6)

Në lidhje me këtë çështje, Shafiu thotë: “Në gjuhën arabe, papastërtia seksuale i referohet çdo lloji të marrëdhënieve seksuale, pavarësisht nëse ka ejakulim ose jo. Askush nuk e mohon faktin se zinaja[6], e cila meriton dënimin përkatës, është kryerja e marrëdhënieve seksuale, madje edhe në rastin kur nuk ndodh ejakulimi i spermës”.

Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush qëndron ndërmjet katër[7] pjesëve të trupit të gruas së tij dhe kryen marrëdhënie me të, atëherë larja bëhet obligim (për të dy), ka ejakuluar apo jo”.[8] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Sejid ibën El Musejeb transmeton se Ebu Musa El Eshariu i ka thënë Aishes:

“Do të doja të të pyesja për diçka, por kam shumë turp…” Ajo i tha: “Pyet dhe mos ki turp, sepse unë jam nëna jote”. Atëherë, ai e pyeti në lidhje me një burrë, i cili kishte kryer marrëdhënie seksuale, por që nuk kishte ejakuluar spermë. Ajo i tha: “Nëse dy organet seksuale takohen me njëri-tjetrin, atëherë gusli bëhet detyrim”.[9]

Ky hadith transmetohet nga Ahmedi dhe Maliku me versione të ndryshme. Këtu duhet sqaruar se duhet të ndodhë kontakti seksual i vërtetë, pra kur organi i mashkullit depërton në atë të femrës. Ndërsa, nëse ndodh vetëm prekja e tyre me njëri-tjetrin, atëherë gusli nuk është i detyrueshëm për asnjërin nga bashkëshortët. Me këtë bien dakord të gjithë dijetarët.

3- Gratë dhe periodat e tyre (Ndërprerja e hajzit dhe nifasit)

Në lidhje me menstruacionet dhe rrjedhjen e gjakut pas procesit të lindjes, Allahu i Madhëruar thotë:

فَاعْتَزِلُوا النِّسَاءَ فِي الْمَحِيضِ وَلاَ تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّى يَطْهُرْنَ فَإِذَا تَطَهَّرْنَ فَأْتُوهُنَّ مِنْ حَيْثُ أَمَرَكُمْ اللَّهُ

“Mos iu afroni atyre (grave) derisa ato të pastrohen. Dhe kur të jenë pastruar, shkoni tek ato në atë mënyrë që Allahu e ka caktuar për ju”. (El Bekare: 222)

I Dërguari i Allahut i ka thënë Fatime bint Ebu Hubejsh: “Mos u fal gjatë kësaj kohe (gjatë periodave). Pasi të kenë mbaruar menstruacionet, merr gusël dhe falu!” [10] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Sipas mendimit unanim të sahabëve, një trajtim i ngjashëm bëhet edhe për rrjedhjen e gjakut pas lindjes. Disa dijetarë thonë se, nëse pas lindjes së fëmijës, gruaja nuk ka rrjedhje të gjakut, atëherë ajo duhet të marrë gusël. Por dijetarë të tjerë mendojnë se marrja e guslit nuk është e nevojshme. Megjithatë, në lidhje me këtë çështje, nuk ekziston ndonjë argument.

4- Vdekja

Sipas mendimit të të gjithë dijetarëve, vdekja e një muslimani e bën detyrim larjen e trupit të tij (apo të saj). Kjo çështje do të diskutohet më hollësisht në kapitujt e mëvonshëm.

5- Jomuslimani që pranon Islamin

Larja e plotë e trupit është gjithashtu detyrim edhe për të konvertuarit e rinj në fenë islame.

Ebu Hurejra transmeton se njëherë Thumame El Hanefi u kap rob. Profeti (a.s.) kaloi afër tij dhe i tha: “Çfarë ke për të thënë për veten tënde o Thumame?” Ai tha: “Nëse më vret, ti do të vrasësh një të afërmin tënd, e nëse më liron, do të ta dija për nder. Nëse do pasuri (si haraç), ne mund të të japim gjithçka që dëshiron”. Shokët e Profetit (a.s.) preferuan marrjen e haraçit dhe thanë: “E çfarë do të fitonim nëse do ta vrisnim atë!?” Më në fund ai e përqafoi Islamin. Profeti (a.s.) e liroi atë dhe i tha të shkonte në kopshtin e Ebu Talhës dhe të lahej. Thumame bëri siç i tha Profeti (a.s.) dhe pastaj fali dy rekate namaz. Pas kësaj, Profeti (a.s.) tha: “Me të vërtetë, vëllai juaj u bë një musliman i mirë”.[11] E transmeton Ahmedi, dhe thelbi i tij përmendet edhe në transmetimet e Buhariut dhe të Muslimit.

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani

 

[1] Muslimi 774, Ebu Daudi 217.

[2] Buhariu 130,282,3328,6091,6121, Muslimi 710, Tirmidhiu 122, Ibën Maxheh 600.

[3] Hadith Sahih. “El Irva” 125. E ka nxjerrë Ebu Daudi 206, Nesai 193, Ahmedi 1/109.

[4] Hadith Meudu – i trilluar. “Ed Daife” 5159, “El Mishkat” 217, “Daifeu et Targib” 66, “Daiful Xhami” 1931, “Tamamul Mineh” 115. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2681, Ibën Maxheh 222.

[5] Fjala është për pjesën që zbulohet pas synetllëkut.

[6] Me zina kuptojmë marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore. – Shënim i redaktorit.

[7] Dy duart dhe këmbët e gruas.

[8] Buhariu 291, Muslimi 781, Ebu Daudi 216, Nesai 191, Ibën Maxheh 610, Ahmedi 2/347.

[9] Hadith Sahih. “El Irva” 80. E ka nxjerrë Muslimi 783, Ebu Avane 1/289, Bejhakiu 1/164, Ahmedi 6/47,97,112,265.

[10] Buhariu 228, Muslimi 751, Tirmidhiu 125, Nesai 357, Ibën Maxheh 621.

[11] Ahmedi 2/246,247,452.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit