Pa një tërheqje ushtarake izraelite, planet ndërkombëtare rrezikojnë të mbeten vetëm në letër
Ramzy Baroud, Arab News
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka ndërmend të urdhërojë tërheqjen e ushtrisë nga Gaza, as para zgjedhjeve të përgjithshme të pritshme në Izrael dhe as pas tyre.
Kjo sepse tërheqja nga territori që ushtria kontrollon aktualisht do të perceptohej si dobësi politike dhe do të rrezikonte stabilitetin e koalicionit të tij qeverisës.
Deklaratat e fundit të udhëheqjes izraelite e kanë bërë të qartë se Tel Avivi synon të ruajë një prani ushtarake afatgjatë në Rripin e Gazës, duke përjashtuar mundësinë e një tërheqjeje të plotë.
Ky qëndrim nuk lidhet vetëm me interesat elektorale të Netanyahut, por është vazhdimësi e një politike të ndjekur prej tij prej dekadash, gjatë së cilës ai nuk ka treguar gatishmëri për kompromis të mirëfilltë me palestinezët.
Në këtë kontekst, përpjekjet ndërkombëtare për administrimin e Gazës pas luftës po humbasin peshë. Strukturat e propozuara nga SHBA dhe partnerët e saj –-si Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës dhe një forcë shumëkombëshe stabilizimi – synojnë të menaxhojnë një periudhë kalimtare, të koordinojnë ndihmën humanitare dhe të krijojnë kushtet për një tranzicion politik.
Megjithatë, paralelisht po zhvillohen dy procese të papajtueshme. Nga njëra anë është strategjia izraelite, e mbështetur te vazhdimi i luftës dhe kontrolli ushtarak mbi Gazën. Nga ana tjetër është përpjekja ndërkombëtare për të ndërtuar një administratë civile palestineze dhe për të nisur rindërtimin e territorit.
Plani ndërkombëtar parashikon një armëpushim të qëndrueshëm, hyrjen e ndihmave humanitare dhe kalimin gradual të administrimit civil te një autoritet palestinez jofraksional.
Por deri tani asnjë nga këto objektiva nuk është realizuar. Ndihmat vazhdojnë të mbeten të bllokuara, rindërtimi nuk ka nisur dhe ushtria izraelite ka zgjeruar praninë e saj në terren.
Një zhvillim i rëndësishëm ishte vendimi i Hamasit për të shpërndarë komitetin e emergjencës që administronte Gazën dhe gatishmëria e tij për t’ia dorëzuar qeverisjen Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës.
Në teori, ky hap mund të kishte hapur rrugën për një tranzicion politik. Megjithatë, Izraeli e hodhi poshtë këtë mundësi. Ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar e quajti iniciativën një “mashtrim”, duke argumentuar se një administratë teknokratike nuk do të eliminonte ndikimin e Hamasit.
Strategjia izraelite synon të pengojë krijimin e çdo autoriteti funksional palestinez, duke lënë Gazën në një gjendje të përhershme paqëndrueshmërie.
Pak ditë pas njoftimit të Hamasit, forcat izraelite kryen një sulm ajror në Qytetin e Gazës, duke synuar zëdhënësin e Hamasit, Hazem Qassem. Ky veprim tregoi se Izraeli nuk është i gatshëm të mbështesë transformimet politike ose një armëpushim të qëndrueshëm.
Ndërkohë, situata humanitare vazhdon të përkeqësohet. Rindërtimi nuk ka filluar, shërbimet bazë mbeten të paralizuara dhe numri i viktimave vazhdon të rritet.
Sipas shifrave zyrtare, mbi 73 mijë palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 173 mijë janë plagosur. Edhe pas njoftimeve për armëpushim, mbi një mijë persona të tjerë kanë humbur jetën, çka tregon se marrëveshjet ekzistojnë më shumë në deklarata sesa në terren.
Në përfundim, mund të themi se pa një vullnet më të fortë dhe më të pavarur të komunitetit ndërkombëtar për të ushtruar presion mbi Izraelin, çdo plan për administrimin dhe rindërtimin e Gazës rrezikon të mbetet simbolik.
Për sa kohë kontrolli ushtarak izraelit vazhdon, komitetet, mekanizmat e rindërtimit dhe iniciativat diplomatike kanë pak gjasa të sjellin ndryshime reale për popullsinë civile. \tesheshi.com\
