16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Bankat shtrëngojnë kushtet e kredisë për familjet dhe bizneset

Më të lexuarat

Një vrojtimi i publikuar nga Banka e Shqipërisë tregon se standardet e kreditimit për bizneset vijuan shtrëngimin në tremujorin e tretë të vitit 2022. Shtrëngimi u manifestua si në kreditë akorduar biznesit të vogël e të mesëm, ashtu edhe në ato për biznesin e madh.

Standardet e kreditimit u shtrënguan, si në kreditë për financimin e investimeve, ashtu edhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet. Faktorët që sollën shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset buronin kryesisht nga perceptimi i rrezikut nga ana e bankave lidhur me situatën ekonomike në vend dhe perspektivën për aftësinë paguese të kredimarrësit, si edhe me kolateralin e kërkuar.

Në të njëjtën kohë, edhe toleranca më e ulët e bankave kundrejt rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve për bizneset. Në kahun lehtësues të standardeve u raportua trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistemin bankar.

Në tremujorin e fundit të vitit 2022, bankat presin që ecuria e standardeve të kreditimit të mos ndryshojë nga ajo e tremujorit të tretë. Në terma të qëllimit të përdorimit, standardet priten të vijojnë shtrëngimin në kreditë për financimin e investimeve dhe të lehtësohen në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Kërkesa për kredi e bizneseve vijoi të jetë e lartë edhe në tremujorin e tretë. Kërkesa e shtuar për kredi ishte evidente në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit, si edhe në të gjitha llojet e përdorimit të kredisë. Kërkesa e shtuar për kredi nga bizneset, sipas gjykimit të bankave, u ndikua kryesisht nga nevojat më të larta për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, për financimin e investimeve, si dhe për rifinancimin e borxheve ekzistuese.

Standardet e kreditimit për individët u shtrënguan në tremujorin e tretë të vitit 2022. Shtrëngimi i standardeve u vërejt në të dyja kategoritë e qëllimit të përdorimit të kredisë, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në atë konsumatore.

Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për individët ishte pasojë e perceptimit të rrezikut nga bankat lidhur me situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të, zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave, aftësinë paguese të kredimarrësit, si edhe me kolateralin e kërkuar. Po ashtu, faktor tjetër që ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit ishte edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut. Standardet e kreditimit për individët priten të shtrëngohen më tej në tremujorin e fundit, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu dhe në ato konsumatore./businessmag/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit