11.5 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Anarkia dhe kaosi te çmimet në këtë fillimvit, njësoj si më 2022

Më të lexuarat

Anarki dhe kaos po mbretëron edhe këtyre ditëve në fushën e çmimeve. Tregtarët e pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm të Kosovës, po ngarendin të shftytëzojnë situatën, përqendrimin e krerëve shtetërorë në gjendjen aktuale politike dhe mosangazhimin total, neglizhencën e paparë të autoriteteve në krye të shumë digastereve kompetente, si pasojë e moskontrollit fare të tyre, për të kryer detyrat për çka marrin pagë nga taksapaguesit kosovarë. Po del të jenë vetëm fjalë, sado që të shkruara, e zeza në të bardhë, masat e qeverisë të bëra publike gjatë tërë vitit 2022 për frenimin e shpërthimit e egër të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore.

Situata politike në vend, e rënduar sidomos pas ofenzivës diplomatike të BE-së dhe të SHBA-së dhe trysnisë së tyre ndaj Kosovës për ta formuar asociacionin e komunave me shumicë serbe, kanë margjinalizuar dhe kanë vënë në plan të dytë thuaja të gjitha zhvillimet e tjera shqoërore e ekonomike në Republikën tonë. Është e kuptueshme, gjithsesi, vëmendja e madhe dhe e tejdukshme e krerëve të institucioneve të vendit ndaj situatës politike të imponuar tash e sa muaj, dhe në njëfarë mënyre edhe anashkalimi i çështjeve të rëndësishme shoqërore, sidomos atyre zhvillimore, ekonomike e financiare. Mirëpo, nuk është fare e kuptueshme, që përqendrimin e krerëve shtetërorë në situatën politike aktuale, përgjegjësit e digastereve kompetente përkatëse për t’u përballur me çështjet ekonomike, financiare e sociale, po e shfrytëzojnë skajshmërisht për rehatinë e tyre personale, duke i ikur përballjeve me problemet e paraqitura, por edhe me përmbushjen e objektivave që dalin nga dokumentet e miratuara dhe nga premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë marrjes së detyrave me ardhjen në pushtet.

Në këtë mënyrë, në këto kohë, praktikisht kanë ngecur në ‘vendnumëro’ shumë zhvillime me interes jetik për shoqërinë në mungesë të mbikëqyrjes së përgjegjshme dhe të domosdoshme nga “eprorët”, ndërsa në disa fusha, si te ecuria e çmimeve, shi për arsyet e përmendura, kanë zënë të mbizotërojnë anarkia dhe kaosi, duke shkaktuar dëme të pariparueshme në proceset e konsolidimit të shtetit. Po vërehen lehtësisht edhe pasojat jo të pakta të margjinalizimit kaq evident dhe të kollajshëm të çështjeve të tjera, qoftë nga qeveria, qoftë nga institucionet e tjera të rrjedhave dhe zhvillimeve të sipërpërmendura.

Anarki dhe kaos po mbretëron edhe këtyre ditëve, në veçanti në fushën e çmimeve. Tregtarët e pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm të Kosovës, që po del në bazë të llogaritjeve, të jenë të tillë një shumicë boll e madhe e tyre, po ngarendin të shftytëzojnë situatën, përqendrimin shtetëror në gjendjen politike dhe mosangazhimin total të autoriteteve në krye të shumë digastereve kompetente, si pasojë e moskontrollit fare të tyre, për të kryer detyrat për çka marrin pagë nga taksapaguesit kosovarë, për të parandaluar, ose së paku për të kontrolluar shfrenimin e egër të çmimeve të të gjitha produkteve.

Duhet konstatuar se anarkia e çmimeve rifilloi që në ditët e para të 2023-tës, për të mos u ndalur asnjë ditë deri më sot. Më konkretisht, ngritje e re e vrullshme çmimesh ka nisë që në ditën e parë pas festës së Vitit të Ri. Që nga e hëna, 2 janar 2023, qytetarët e Kosovës u përballën me çmime të reja të ngritura befasisht në ditën e parë pas festës, të një numri produktesh elementare ushqimore, e sidomos të disa produkteve që lëndë të parë kanë qumështin. Dhe ky trend i shpërthimit të egër të çmimeve ka vazhduar deri më sot, kur temperaturat ekstreme të ftohta për sivjet përfshinë edhe vendin tonë dhe kur ky i ftohtë, sa çel e mbyllë sytë, u mor si pretekst për të ngritur çmimin edhe të shumë produkte të fushës, duke çuar kostot e tyre, deri këtyre ditëve goxha stabile, në nivele stratosferike.

Ky shpërthim kaq i egër çmimesh në Kosovë i të gjitha produkteve, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te rënia e ndjeshme e gjendjes sociale të shumicës së kosovarëve të varfër, nuk po ndalet edhe në këtë vit, përkundër një mori premtimesh qeveritare se do të vrojtohen domosdo ecuritë e çmimeve tash e tutje, dhe përkundër miratimit edhe në Kuvendin e Kosovës të disa dokumentesh (rezoluta dhe ligje nga Qeveria për frenimin e rritjës së çmimeve të produkteve bazë) dhe pas paralajmërimeve të shumta zyrtare për monitorim rigoroz ndaj tregtarëve abuzues.

Në Kosovë, pra po ndodhë edhe e kundërta e parashikimeve të institucioneve monetare ndërkombëtare, të cilat kishin paraparë që më 2023 të nisë trendi i uljes së çmimeve të shumë produkteve dhe bashkë me këtë edhe ulja e përqindjes së lartë të inflacionit. Praktikisht, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale. Me fjalë të tjera, po del të jenë vetëm fjalë, sado që të shkruara ‘e zeza në të bardhë’, masat e qeverisë të bëra publike gjatë tërë vitit 2022 dhe fillimvitit të sivjetshëm për frenimin e shpërthimit të egë të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore.

Shifrat e çmimeve të reja po dëshmojnë se dokumentet deri në nivel të ligjit, të miratuara nga Qveria dhe në Kuvendin e Kosovës, që synonin adresimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë në Kosovë dhe në njëfarë mënyre vendosjen e një tavani të çmimeve për produktet elementare ushqimore, për të pasur sado pak njëfarë mbikëqyrjeje tek çmimet e këtyre produkteve, tani po del të jenë vetëm letra, pa asnjë ndikim të vetëm në ecurinë e frenimit të çmimeve të egra. Siç dihet, në përmbajtjen e këtyre dokumenteve ka dominuar kërkesa e Kuvendit të Kosovës drejtuar Qeverisë që të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë. Përveç kësaj, nëpërmjet këtyre dokumenteve Kuvendi ka kërkuar nga ekzekutivi që edhe nëpërmjet instrumenteve monitoruese, t’i ndalë përpjekjet për shfrytëzim të kësaj situate nga tregtarët abuzues. Mirëpo, siç po shihet nga shifrat më të fundit të çmimeve të shumë produkteve bazë ushqimore, asnjë kërkesë dhe synim i këtyre rezolutave dhe i Ligjit për caktimin e marzhës së fitimit maksimal për produktet bazë deri tash nuk është përmbushur. Thjesht, si me to si pa to, tregtarët, ata që gjithnjë treguan prirjet e tyre abuzive, edhe këtyre ditëve i quan çmimet në stratosferë, duke e çuar në qiell edhe marzhën e fitimit.

Po dalin të jenë goxha të paefektshme edhe premtimet e kryeministrit Kurti, të bëra në shumë raste gjatë vitit 2022, se “ Qeveria po operon që qytetarëve t’u dilet në ndihmë, por pa e shkelur Kushtetutën”. Nuk patën ndonjë efekt në parandalimin e ngritjes abuzive të çmimeve as premtimet e dhëna publikisht të Kurtit për të “diskutuar me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdarin dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati për masat ndaj shtrenjtimit të produkteve esenciale. Sepse, çmimet vetëm sa janë ngritur, madje me vrull të përshpejtuar dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura. Nuk dha deri më tash, praktikisht asnjë rezultat as adresimi i përgjegjësisë për ngritjen e egër të çmimeve në Kosovë në gjysmën e parë të vitit të kaluar të ministrit të Financave, Hekuran Murati të bërë në konferencën e përbashkët me kryeministrin Kurti dhe prodhuesit vendor.

Murati me këtë rast kishte thënë se me çështjen e rritjeve të çmimeve në Kosovë duhet të merret edhe Inspektorati i Tregut por edhe Autoriteti i Konkurrencës. Ai kishte shtuar se kudo që vërehet që ka pasur manipulime me çmime të produkteve, do të merren institucionet përkatëse.

“Normalisht që me këto çështje duhet të merret edhe Inspektorati i Tregut por edhe Autoriteti i Konkurrencës dhe kudo që ka pasur ose kudo që vërehet që ka pasur manipulime të tilla, pra ekziston dhe korniza ligjore që do të merret me këto çështje”, tha atëherë Murati.

Dhe deri tani, efektshmëria e kornizës ligjore për abuzimet me çmimet, nëse ekziston ajo, është e barabartë me zero. Ndërsa, dihet edhe vjet edhe sivjet manipulimet dhe abuzimet me çmimet nuk ‘pranë’ asnjë ditë, dhe edhe institucionet e adresuara përkatëse- Inspektorati i Tregut dhe Autoriteti i Konkurrencës nuk shënuan asnjë rezultat në parandalimin e këtyre abuzimeve.

Tashmë po del të jenë thuaja të kota edhe reagimet e shumta dhe të shpeshta, qofshin dashakeqëse, qofshin dashamirëse edhe të opozitës në Kosovë, e cila, edhe pse bukur shumë e vonuar dhe në raste të shumta, ngritjen e egër të çmimeve po e shfrytëzon jo pak për sulme politike ndaj qeverisë aktuale. Nuk patën ndonjë efekt pra, as qëndrimet e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazike.

Së fundi, Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook konstatoi se “rritja e çmimeve që ka ndodhur gjatë dy viteve është diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë”. Sipas tij, “përgjatë dy viteve të shkuara, norma mesatare e inflacionit në Kosovë ka arritur në mbi 20 për qind, përderisa çmimet e produkteve bazike janë rritur për mbi 50 për qind. Kaq shumë ndryshim në kaq pak kohë, nuk ka pasur asnjëherë. Pavarësisht kësaj rritjeje, Qeveria nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe jetën e dinjitetshme që familjet kosovare e meritojnë”.

Ai me këtë rast ka kërkuar reflektim nga Qeveria në uljen e TVSH-së për produktet bazike. Por, ngritjen egërsisht të çmimeve të produkteve elementare ushqimore po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata, të varfërit që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata, tashmë thënë shkurt e shqip, janë lodhur dhe mezi po e përmbyllin muajin me muaj.

Ka rënë pa diskutim fuqia blerëse e kosovarëve në përgjithësi, e në veçanti e të skamurve, edhe për pasojë se në këtë fillimvit të 2023-tës familjet kosovare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. Ndërkohë që shifrat e ngritjes enorme të çmimeve, ku te disa produkte nuk është vështirë të shihet marzha e fitimit mbi 50 e më shumë për qind, po tregojnë edhe pafuqinë e shtetit dhe pushtetit në Kosovë karshi tregtarëve abuzivë dhe manipulues, tashmë shumë sish, goxha të njohur,për nga prirjet e tyre manipulative.

Në këto zhvillime dhe ecuri çmimesh, nuk bëhet fjalë më për ligjshmëri. Dhe, sa më shumë të zgjatë kjo gjendje dhe ky kaos çmimesh, aq më shumë do të cenohet mirëqenia e shumicës së popullsisë së Kosovës dhe do të ç’rregullohet paqja, edhe ashtu e brishtë sociale e këtij vendi. Ndërsa, gjendja politike komplekse në vend nuk do të duhej të shërbejë për neglizhencë dhe papërgjegjësi totale të institucioneve që e kanë për detyrë të përcjellin dhe të kontrollojnë edhe ecuritë e çmimeve. Sido që të jetë, ngritja e pakontrolluar, në të shumtën pa arsye, së paku në përqindje kaq të mëdha dhe rekorde të çmimeve të produkteve bazike ushqimore, e vështirëson shumë jetën normale të kosovarëve shumicë. Dhe me këtë “rënie të lirë’ të çmimeve, ç’është më keq, nuk ndalet dot inflacioni, që po zhvlerëson në përmasa shqetësuese potencialin financiar të vendit. Këto janë faktet dhe gjendja evidente e reale me të cilën përballen kosovarët, në veçanti ai i rëndomti, me të ardhura të pakta. Atë, po e presin ditë gjithnjë e më të vështira, kohë edhe më shqetësuese sa i përket ecurive dhe zhvillimeve financiare që reflektohen më ndjeshëm në mirëqenien e tyre dhe jetën sociale të shumicës së banorëve të Kosovës./buletiniekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit