Leximi i Kuranit shtrirë
Leximi i Kuranit duke qenë shtrirë është i lejuar, ashtu siç lejohet leximi i tij pa abdest. Argument për këtë kemi ajetin kuranor, ku Allahu i Lartësuar, kur flet për muslimanët dhe cilësitë e tyre, thotë: “Ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!” (Ali Imran, 191)
Në ajet përmendet se nga veçoritë e besimtarëve është se ata e përkujtojnë Allahun e Lartësuar në çdo formë; duke qenë në këmbë, ulur dhe shtrirë. Një nga format e përkujtimit (dhikrit) është edhe leximi i Kuranit.
Argument tjetër për këtë është hadithi të cilin e transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e përmendte Allahun në çdo kohë.”¹
Gjithashtu, Sheukani në librin e tij “Nejlul eutar” dhe disa të tjerë përmendin hadithin ku Mejmune bint Harith, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se Muhamedi, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, këndonte Kuran duke qenë shtrirë në prehër të Aishes, ndërkohë që ajo ishte me menstruacione.
Muhamed Ibën Salih Uthejmin, kur është pyetur rreth leximit të Kuranit shtrirë, thotë: “Te leximi i Kuranit shtrirë nuk ka diçka të keqe, pasi Muhamedi salallahu alejhi ue selem e lexonte Kuranin duke qenë i mbështetur në prehër të Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, madje kur ajo ishte me menstruacione. Prandaj nuk prish punë nëse besimtari lexon Kuranin, nga mus`hafi ose përmendësh, duke qenë i mbështetur ose shtrirë dhe në këtë nuk ka të keqe.”
Në fund të kësaj, dëshirojmë të bëjmë me dije se kur themi se kjo lejohet, nuk nënkupton se kështu duhet ta bëjë praktikë besimtari leximin e Kuranit. Për arsye se është mjaft e qartë se kur të lexojmë Kuran, duhet të kemi parasysh se jemi duke kryer një adhurim mjaft të rëndësishëm në Islam dhe duhet të mundohemi që gjithmonë ta lexojmë atë me abdest, të ulur, të përqendruar, etj.. Kështu, vërtetohet se Profeti, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur binte për të fjetur, lutjet dhe pjesët e Kuranit që zakonisht i lexonte para gjumit, ato i lexonte duke qenë i ulur në shtrat. Por, nëse në ndonjë rast ndihemi të lodhur, ose nganjëherë shtrihemi të pushojmë, por jemi në gjendje të përsërisim Kuran ashtu shtrirë, atëherë nuk ka të keqe ta shfrytëzojmë kohën që të lexojmë dhe të përkujtojmë fjalët e Allahut edhe ashtu.
Allahu e di më së miri!
Hoxhë Alaudin Abazi
¹Shënon Buhariu dhe Muslimi.