Si ta ndihmosh fenë e Allahut?
– Të fillosh nga vetvetja, “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.”(Surja Rad, 11). Që do të thotë: të jesh musliman i vërtetë, i mirëfilltë, i sinqertë në besimin tënd, të kesh lidhje të fortë me Allahun, të frikësohesh prej dënimit të Tij e të shpresosh tek Ai, ta përmendësh vazhdimisht, ta kujtosh me zemër, gjuhë e gjymtyrë, të kryesh obligimet e Tij e të largohesh prej ndalesave etj.
– Të zbatosh fenë aty ku jeton, të reflektosh fenë në veten tënde. Patjetër duhet ta shohin Islamin tënd të tjerët, si: gruaja, fëmija, familja, fqinjët, rrethi ku jeton etj.
– Të përhapësh dashurinë në mesin e muslimanëve, të duash vëllezërit muslimanë, “Nuk do të hyni në xhenet derisa të bëheni besimtarë dhe nuk mund të jeni besimtarë siç duhet derisa ta doni njëri-tjetrin.”
– Të jesh i fortë, i qëndrueshëm, në të vërtetën, jo të lëshosh pe e të tregohesh tolerant në fenë e Allahut, në të njëjtën kohë të urdhërosh për të mirë dhe të ndalosh nga e keqja, “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat”. (Surja Teube, 71).
– Të urdhërosh për të mirë dhe të ndalosh nga e keqja, duke filluar nga familja.
– Të jesh i qëndrueshëm në fenë e Allahut, përball ndryshimeve të mëdha dhe dyshimeve të përhapura rreth Islamit.
– Ta marrësh fenë prej Kuranit dhe sunetit dhe t’i kuptosh siç i kanë kuptuar brezat e parë të Islamit (selefi).
– Të mësosh për fenë Islame.
– Të përhapësh Islamin (e pastër) në mesin e njerëzve.
– Të ndërmarrësh shkaqet e ardhjes së ndihmës së Allahut (shkaqe teorike dhe praktike).
Hoxhë Petrit Perçuku