2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Shërimi i frikës të cilës nuk i dihet shkaku përmes përmendjes së Allahut?!

Më të lexuarat

Pyetje: Bashkëshortja ime është prekur nga një sëmundje dhe që atëherë ka filluar të frikohet nga çdo gjë dhe assesi nuk mundet të rrijë vetëm. Ndërsa pyetësi tjetër thotë se ankon nga e njëjta gjendje dhe se, për këtë shkak, nuk shkon të falet me xhemat. Andaj, pyet se si të shërohet, në mënyrë që mos t’i drejtohet për ndihmë fallxhorëve dhe magjistarëve.

Përgjigje: Vërtet se Allahu i Lartësuar nuk ka zbritur ndonjë sëmundje veçse ka zbritur për të shërim, pavarësisht se a e dinë njerëzit atë, apo jo. Dhe Allahu i Madhërishëm ka vendosur në atë që ia zbriti Profetit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) mirësi, udhëzim, siguri dhe shërim për çdo sëmundje nga e cila ankojnë njerëzit, qoftë ajo konkrete apo abstrakte. Kështu, njerëzve u erdhën dobi dhe mirësi të shumta, të cilat s’mund t’i numërojë askush pos Allahut të Lartësuar.
Ndodh që njeriut gjatë jetës së tij t’i shfaqen çështje të ndryshme si pasojë e shkaqeve të caktuara dhe, gjithashtu, ndodh që të preket nga frika dhe trembja, të cilës nuk ia di ndonjë shkak të qartë.
Andaj, këshilla ime drejtuar këtyre dy pyetësve dhe po ashtu të tjerëve është që të përdorin atë që Allahu e ligjësoi prej çështjeve fetare, përmes së cilave arrihet siguria, qetësia, rehatia e shpirtit dhe shpëtimi nga kurthet e shejtanit. Prej tyre është leximi i ajetul-kursijj pas çdo namazi (të obligueshëm). Ajetul-kursijj është vargu: “Allahu la ilahe il-la huwel-hajjul-kajjum…”(El Bekareh: 255).
Ai është vargu më madhështor dhe më me vlerë në librin e Allahut, për shkak se përmban teuhid, sinqeritet ndaj Allahut dhe sqarim të madhështisë së Tij. Aty përmendet se Allahu është i Gjalli, i Përjetshmi, Mbajtësi dhe Poseduesi i çdo gjëje dhe se Atij asgjë nuk i vjen rënd. Andaj, nëse njeriu e lexon këtë varg pas çdo namazi, ai do jetë mbrojtje për të nga çdo e keqe. Gjithashtu, edhe leximi i tij para rënies në gjumë, siç ka ardhur në një hadith të vërtetë nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kush e lexon ajetul-kursijj kur të bjerë në shtrat, Allahu do t’ia dërgojë një mbrojtës që nuk i ndahet dhe shejtani s’do t’i afrohet, derisa të agojë mëngjesi.” (Buhariu 4/487).
Atëherë, le ta lexojë atë kur të bjerë në shtrat dhe lë t’i qetësohet zemra. Dhe, nëse do Allahu, nuk do të shohë asgjë të keqe që e shqetëson, me kusht që ta pohojë si të vërtetë këtë thënie të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), t’i qetësohet zemra rreth sajdhe të besojë se ajo që e ka thënë ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është e vërteta, në të cilën s’ka pikë dyshimi.
Gjithashtu, prej gjërave që i ligjësoi Allahu është që myslimani të lexojë tri kaptinat: Kul huwAllahu ehad, Kul eu’dhu birabbil-felek dhe Kul eu’dhu birabbin-nas. Leximi i tyre, gjithashtu, është prej shkaqeve të shpëtimit, të sigurisë dhe të shërimit nga çdo e keqe. Kaptina Kul huwAllahu ehad është e barabartë me një të tretën e Kuranit. Këto tri kaptina lexohen nga njëherë pas namazit të drekës, ikindisë dhe jacisë, ndërsa, pas namazit të akshamit dhe atij të sabahut, lexohen nga tri herë. Po ashtu, edhe kur të bjerë në shtrat, le t’i këndojë nga tri herë, për shkak të haditheve të vërteta, të cilat janë përcjellë nga i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
Prej gjërave, përmes të cilave myslimanit i jepet shpëtimi, qetësia dhe shpëtimi nga çdo e keqe është këndimi i lutjes: “Eu’dhu bikelimatil-lahit-tammati min sherri ma haleka”[1] (Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut nga e keqja e krijesave të Tij) tri herë në mëngjes dhe në mbrëmje. Hadithet tregojnë se kjo lutje është prej shkaqeve të shpëtimit dhe të ruajtjes nga çdo e keqe.
Po ashtu, këndimi i lutjes: “Bismil-lahil-ledhi la jedurru me’asmihi shej’un fil-erdi ue la fis-semai ue huwes-semi’ul-alim”[2] (Me emrin e Allahut, pranë emrit të të Cilit nuk bën dëm asgjë në Tokë e as në qiell. Ai është që i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha). Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka treguar se, kush e thotë këtë tri herë në mëngjes, nuk i bën dëm asgjë deri në mbrëmje; dhe kush e thotë tri herë në mbrëmje, nuk i bën dëm asgjë deri në mëngjes.
Pra, të gjitha këto lutje nga Kurani dhe Suneti janë prej shkaqeve të ruajtjes, të shpëtimit dhe të sigurisë nga çdo e keqe. Andaj, çdo besimtar dhe besimtare duhet t’i thotë vazhdimisht këto lutje me zemër të qetë dhe me bindje në Zotin e tyre, i Cili është Mbikëqyrësi dhe Rregulluesi i çdo gjëje, në Dorën e Tij janë dhënia dhe ndalimi, dobia dhe dëmi dhe Ai është Poseduesi i çdo sendi. I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është njeriu më i vërtetë në fjalë dhe nuk fliste sipas qejfit të vet, por ajo që thoshte ishte shpallje që i vinte atij. Ashtu siç thotë më i Larti: “Betohem në yllin kur perëndon se shoku juaj (Muhamedi) nuk ka humbur e nuk ka devijuar! Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” (En-Nexhm 1-4).
Salatet dhe selamet më të mira dhe më të pastra të Allahut qofshin për të!

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)
Përktheu: Petrit Perçuku

———————————————————————–
[1] Ahmedi (2/290), Nesaiu në “Amelul-jeumi uel-lejleh”, ibën Sunijj (68), Sahih et-Tirmidhi 3/187, Sahih ibën Maxheh 2/266 dhe Tuhfetul-Ahjar fq. 45.
[2] Ebu Daudi (4/323), Tirmidhiu (5/465), ibën Maxheh dhe Ahmedi. Shih Sahih ibën Maxheh (2/332).

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit