2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Fillon në Istanbul Panairi Ndërkombëtar i Industrisë së Mbrojtjes

Më të lexuarat

IDEF, i cili është kthyer në një platformë të rëndësishme promovimi, marketingu dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, hapi dyert për herë të 16-të këtë vit

 

Panairi Ndërkombëtar i Industrisë së Mbrojtjes (IDEF’23), një ndër takimet më të mëdha të industrisë së mbrojtjes në botë, ka filluar në qytetin Istanbul të Türkiye-s, raporton Anadolu.

IDEF, i cili është kthyer në një platformë të rëndësishme promovimi, marketingu dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, hapi dyert për herë të 16-të këtë vit.

Panairi mbahet në Qendrën e Panairit dhe Kongresit Tüyap, nën kujdesin e Presidencës turke, i organizuar nga Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare, nën menaxhimin dhe përgjegjësinë e Fondacionit të Zhvillimit të Forcave të Armatosura Turke (TSKGV), ndërkaq organizator është Tüyap Tüm Fuarcılık Yapım AŞ.

Në hapjen e panairit, ku industria turke e mbrojtjes del në pah në platformën ndërkombëtare, morën pjesë nënpresidenti turk Cevdet Yılmaz, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë Mehmet Fatih Kacır, si dhe të ftuar të huaj të nivelit të lartë.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan dërgoi një video-mesazh në panair ndërsa këtë vit marrin pjesë 1.461 kompani nga 55 vende.

Kreu i Presidencës së Industrive të Mbrojtjes Turke, Haluk Görgün, i cili foli në hapjen e panairit tha se ashtu si në panairet e kaluara të IDEF, kompanitë turke të industrisë së mbrojtjes dhe kompanitë globale do të shfaqin platformat dhe sistemet e tyre më të fundit të teknologjisë këtë vit.

Ai theksoi se do të nënshkruhen kontrata të shumta si dhe do të hidhen themelet e bashkëpunimeve të reja. Görgün shtoi se produktet e industrisë së mbrojtjes turke po eksportohen në 170 vende të botës ndërsa shumëllojshmëria e produkteve të eksportuara është rritur në 230.

“Vendi ynë, duke bërë përparime të rëndësishme në industrinë e mbrojtjes si në çdo fushë tjetër, rrit fuqinë e tij konkurruese në tregun botëror të industrisë së mbrojtjes dhe punon me gjithë fuqinë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajonin ku gjendet nën udhëheqjen e presidentit tonë”, shtoi ai, duke rikujtuar se vitin e kaluar kanë arritur eksport rekord prej 4.4 miliardë dollarë.

Görgün bëri të ditur se synojnë të bëhen një ndër vendet më të rëndësishme në fushën e industrisë së mbrojtjes në 10 vitet e ardhshme.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Fondacionit të Zhvillimit të Forcave të Armatosura Turke, Sadık Piyade tha se IDEF është në mesin e 4 panairëve më të mëdha në botë në fushën e panaireve të industrisë së mbrojtjes. “Në panair marrin pjesë 1.461 kompani prej të cilëve 772 të huaj dhe 689 vendas si dhe 189 delegacione nga 81 vende”, tha Piyade.

Ashtu si vitet e kaluara, shumë produkte të zhvilluara nga industria turke e mbrojtjes ekspozohen për herë të parë në IDEF. Në panair prezantohen edhe versione të reja të produkteve të ndryshme të zhvilluara më parë.

Si një nga ngjarjet më të mëdha globale në fushën e mbrojtjes, panairi i cili do të vazhdojë deri të premten, 28 korrik, ekspozon disa produkte të mbrojtjes, përfshirë automjete tokësore, armë, simulatorë, radarë, sonare, sisteme të platformave detare, sisteme aviacioni, raketa, automjete logjistike, pajisje furnizimi dhe sisteme sigurie.

Në panair delegacione zyrtare vendase dhe të huaja do të zhvillojnë takime të ndryshme bashkëpunimi me kompanitë pjesëmarrëse.

 

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit