Pejgamberi ﷺ i ndau njerëzit e dynjasë në katër kategori:
1. Më i miri prej tyre është ai që Allahu i ka dhënë dituri dhe pasuri. Ai bën mirë si për njerëzit, ashtu edhe për veten e tij, me diturinë dhe pasurinë që zotëron.
2. Pas tij vjen ai që Allahu i ka dhënë dituri, por nuk i ka dhënë pasuri. Megjithëse shpërblimi i tij mund të jetë i barabartë me të parin, kjo ndodh për shkak të nijetit të sinqertë. Përndryshe, ai që shpenzon dhe jep sadaka ka një përparësi shtesë për shkak të vetë veprës së shpenzimit. Dijetari pa pasuri e arrin atë në shpërblim vetëm përmes nijetit të vendosur dhe të sinqertë, të shoqëruar me dëshirën e plotë për ta bërë atë vepër po të kishte mundësi.
3. Kategoria e tretë është ai që ka pasuri, por nuk e shpenzon atë në rrugë të mira dhe nuk ka dituri. Ky është ndër njerëzit më të këqij në pozitë tek Allahu, sepse pasuria e tij është bërë shkak i shkatërrimit të tij. Sikur të mos e kishte atë pasuri, do të ishte më mirë për të. Allahu i dha diçka që mund ta çonte drejt Xhenetit, por ai e shndërroi atë në furnizim drejt Zjarrit.
4. Kategoria e katërt është ai që nuk ka as pasuri dhe as dituri, por ka nijet se po të kishte pasuri, do ta përdorte në mëkat ndaj Allahut. Ky vjen menjëherë pas të pasurit të paditur dhe është i barabartë me të në gjynah për shkak të nijetit të prerë dhe të vendosur, edhe pse nuk pati mundësi ta realizonte.
Prandaj, Pejgamberi ﷺ i ndau të lumturit në dy kategori dhe e bëri diturinë dhe veprimin sipas saj shkak të lumturisë së tyre.
Po ashtu, i ndau të mjerët në dy kategori dhe e bëri paditurinë dhe pasojat e saj shkak të mjerimit të tyre.
Kështu, e gjithë lumturia kthehet te dituria dhe veprimi sipas saj, ndërsa e gjithë mjerimi kthehet te padituria dhe frytet e saj.
📖 “Miftahu Dari’s-Seade” – Ibn Kajjim el-Xheuzijjeh, Allahu e mëshiroftë.
