1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Forcimi i Lekut po dekurajon ardhjen e turistëve nga Kosova

Më të lexuarat

Përveçse eksportin e mallrave, forcimi i euros dekurajon eksportet e shërbimeve, të tilla si turizmi dhe call center.

Shqiptarët nga Kosova, që përbëjnë rreth 40% të ofertës turistike, po dekurajohen të pushojnë në Shqipëri.

Rënia e Euros në këmbim me Lekun i ka bërë edhe më të shtrenjta pushimet në Shqipëri.

Shpëtim Turku, nga agjencia e udhëtimit “Fibula” në Kosovë, shpjegoi se “me rritjen e Lekut ndaj Euros, po reflekton uljen e udhëtimeve nga Kosova në Shqipëri, pasi çmimet e paketave automatikisht janë 12% më të shtrenjta vetëm nga ky fakt.

Gjithashtu, përveç kursit të këmbimit, çmimet e paketave janë rritur rreth 15-20%. Në total, në krahasim me vitin e kaluar, Shqipëria është më e shtrenjtë prej 27-32%”, shpjegoi z. Turku.

Sipas tij, do të ketë ulje më tej të turistëve nga Kosova për në Shqipëri, pasi pushuesit do të orientohen në tregje të tjera, siç është Turqia, Egjipti, Bulgaria, Greqia, etj. “Fafa Resort”, një nga më të mëdhenjtë në vend, pohoi se këtë vit ka më pak vizitorë nga Kosova. Qëndrojnë më pak net dhe shpenzojnë më pak.

Një euro këmbehet me rreth 112 lekë aktualisht, nga 121 në maj të vitit të kaluar. Një turist, me 100 euro sot merr 11,200 lekë, nga 12,100 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 900 lekë më pak.

Turistët nga Kosova nuk u rritën në 2022

Shifrat zyrtare nga Ministria e Turizmit tregojnë se nga janari në dhjetor 2022 Shqipërinë e vizituan 2.6 milionë shqiptarë të Kosovës.

Një vit më parë pra në 2021 shifra është pak a shumë në të njëjtin nivel por e parë në përqindje kemi një rënie me 0.04 për qind të turistëve nga Kosova.

Mbetet e paqartë si është bërë vlerësimi i turistëve në kushtet kur gjatë verës nisi kalimi i lirë në doganë mes dy vendeve në kuadër të zotimeve të marra gjatë mbledhjeve të përbashkëta të qeverive.

Rënia e papërfillshme e vitit 2022 nuk shihet si një problem në thelb, por ajo që është shqetësuese në vijim është fakti që turizmi patriotik mund të pësojë një rrjedhje të konsiderueshme me liberalizimin e njoftuar tashmë të vizave për Kosovën.

Shqipëria përjetoi në vitin 2022 vitin më të mirë historik në turizëm ku numri i të huajve që shkelën në territorin e vendit ishte 7.5 milionë deri në dhjetor ndërkohë që nga këta sipas statistikave të turizmit 7.1 milionë janë mirëfilltazi turistë.

Kosova vijon të mbajë peshën kryesore, me 34% të totalit të hyrjeve të shtetasve të huaj. Gjatë periudhës së pandemisë, Kosova mbajti gjallë turizmin shqiptar, teksa prej tij erdhën gjysma e hyrjeve.

/monitor.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit