-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Shembuj të llojeve të lejuara të shakave dhe vendimi për të thënë shaka të sajuara

Më të lexuarat

Pyetja: 

Në një nga përgjigjet tuaja pashë se shakaja është e lejuar nëse është e vërtetë. A mund ta shpjegoni këtë duke dhënë disa shembuj? A lejohet të bëhet shaka duke thënë fjalë tallëse, si për shmebull: kur me tonin e zërit, një person tregon se ajo që do të thotë është diçka tjetër nga ajo që thotë? A lejohet të tregohen shaka që bazohen në situata imagjinare?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut.

Së pari:

Është e njohur dhe e vërtetuar nga të gjithë muslimanët se gënjeshtra është haram në të gjitha rastet; në fakt, natyra e dënueshme e të thënit të gënjeshtrave dhe ndalimi i tyre është diçka për të cilën bien dakord të gjitha fetë, dhe neveria ndaj gënjeshtrës është diçka që është e rrënjosur thellë në natyrën e shëndoshë njerëzore, pavarësisht se çfarë feje ndjek një person.

Ajo që kërkohet nga muslimani është të jetë i sinqertë në të folurin e tij në të gjitha situatat.

Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Teube: 119).

Transmetohet nga Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë thënia e të vërtetës të çon në bërjen e veprave të mira dhe veprat e mira të çojnë në Xhennet! Njeriu do të vazhdojë të thotë të vërtetën derisa të bëhet nga ata që e thonë të vërtetën! Ndërsa gënjeshtra të çon në shthurje dhe ligësi, dhe shthurja dhe ligësia të çojnë në Zjarr! Me të vërtetë që njeriu do të vazhdojë të gënjejë derisa të shkruhet tek Allahu gënjeshtar!”. [1]

Transmetohet nga Abdullah ibn Amr se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush ka katër cilësi, ai është munafik i pastër: Ai që kur flet gënjen, kur premton nuk realizon, kur besatohet tradhton dhe kur grindet pëlcet. Kush ka një nga këto, ai ka një cilësi të nifakut, deri sa ta braktisë atë.” [2]

Së dyti:

Ndalimi për të thënë gënjeshtra kur bëhet shaka vërtetohet në Sunet:

Transmetohet se Bahz ibn Hakimi ka thënë: “Babai im më ka thënë se babai i tij ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë”: “Mjerë për atë që flet dhe gënjen për t’i bërë njerëzit të qeshin, mjerë për të, dhe mjerë për të.” [3]

Gjithashtu inkurajohet të përmbaheni nga gënjeshtra kur bëni shaka:

Transmetohet se Ebu Umame ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë i garantoj një shtëpi në periferi të Xhennet atij që heq dorë nga polemika shterpe edhe në qoftë se ka të drejtë; unë i garantoj një shtëpi në mes të Xhennetit atij që heq dorë nga gënjeshtra edhe në qoftë se bën shaka; unë i garantoj një shtëpi në gradën më të lartë të Xhennetit atij që e përmirëson moralin e tij.” [4]

Është transmetuar se Abdullah ibn Mesudi ka thënë: “Gënjeshtra nuk duhet të thuhet as seriozisht e as për shaka. Askush prej jush mos t’i premtojë diçka fëmijës së tij e pastaj të mos e realizojë atë.” [5]

Së treti:

Shaka, qoftë ajo e bazuar në të vërtetën apo gënjeshtra, ka shumë skenarë:

1. Kur shakaja bazohet në të vërtetën dhe nuk ka gënjeshtër

Parimi themelor në lidhje me këtë lloj shakaje është se ajo është e lejuar, nëse bëhet herë pas here dhe individi nuk bën shaka shumicën e kohës dhe nuk çon në keqbërje të dukshme.

Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Dijetarët kanë thënë: “Lloji i shakasë që nuk lejohet është kur njeriu shkon në ekstrem në shaka dhe këmbëngul në atë, sepse shkakton të qeshura, shpie në zemërgurësi dhe i largon njerëzit nga përkujtimi i Allahut të Lartësuar dhe përqendrimi i detyrave në fenë e tyre. Në shumë raste, ajo gjithashtu çon në shkaktimin e ofendimit dhe zhvillimit të mërive, si dhe minon dinjitetin dhe respektin. Sa i përket shakasë pa elemente të tilla, kjo është ajo që lejohet dhe kjo është ajo që bënte i Dërguari i Allahut ﷺ. Ai ﷺ e bënte këtë vetëm në raste të rralla, kur i shërbente një qëllimi, ose për ta ngushëlluar atë që i drejtohej dhe për ta qetësuar. Nuk ka asgjë të keqe me këtë; përkundrazi është Sunet dhe inkurajohet, nëse është i këtij lloji”. [6]

2. Kur shakaja bazohet në një gënjeshtër

Ky lloj shakaje është i ndaluar, siç shihet në hadithin e Bahz ibn Hakimit të cituar më sipër.

Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) është pyetur për dikë që u tregon njerëzve histori që i ka sajuar dhe të gjitha janë gënjeshtra: a lejohet kjo?

Ai u përgjigj: Sa i përket atij që tregon histori të sajuara për t’i bërë njerëzit të qeshin, ose për ndonjë qëllim tjetër, ai nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ. Bahz ibn Hakimi ka thënë: “Babai im më ka thënë se babai i tij ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë”: “Mjerë për atë që flet dhe gënjen për t’i bërë njerëzit të qeshin, mjerë për të, dhe mjerë për të.” Dhe Ibn Mesudi ka thënë: “Gënjeshtra nuk duhet të thuhet as seriozisht e as për shaka. Askush prej jush mos t’i premtojë diçka fëmijës së tij e pastaj të mos e realizojë atë.”

Megjithatë, nëse kjo përfshin shkelje ndaj muslimanit, ose përfshin të thuash diçka që bie ndesh me mësimet islame, atëherë është më prerazi e ndaluar. Sido që të jetë, ai që e bën këtë meriton dënimin sheriatik (sipas gjykimit të kadiut) që do ta pengojë atë ta bëjë atë. Dhe Allahu e di më së miri.” [7]

Në Fetaua el-Lejneh ed-Daimah (26/52), thuhet:

Pyetja: Nëse, për shembull, e themi një gënjeshtër si shaka, a është haram apo jo?

Përgjigjja: Po, është haram. Në fakt është mëkat i madh, qoftë edhe shaka.

Dhe Allahu është burimi i fuqisë. Allahu dërgoftë bekime dhe paqe mbi Profetin tonë Muhamed ﷺ, familjen dhe shokët e tij.

Komiteti i Përhershëm për Kërkime Akademike dhe Ifta’.

‘Abdullah ibn Ka’ud, ‘Abdullah ibn Ghadyan, ‘Abd al-‘Aziz ‘Afifi, ‘Abd al-‘Aziz ibn Baz.

Fundi i citatit.

3. Të bësh shaka duke treguar histori, kur nuk je i sigurt nëse janë të vërteta, por mund të kenë ndodhur

Ajo që duket të jetë rasti, bazuar në veprimet e disa dijetarëve, është se kjo lloj shakaje është e lejuar. Në librat e disa studiuesve gjejmë disa histori qesharake që u atribuohen njerëzve që kanë jetuar shekuj më parë, edhe pse është e vështirë të verifikohen historitë. Por nuk ka asnjë qëllim të qëllimshëm për të thënë një gënjeshtër ose për të transmetuar një gënjeshtër, edhe nëse treguesi nuk bën përpjekje për të verifikuar historinë dhe për të siguruar që ajo që po transmeton është e vërtetë.

Shejh ‘Abdul-Muhsin ez-Zamil ka thënë:

Historitë interesante dhe qesharake janë tre llojesh:

a. Histori që ne e dimë se janë të vërteta. Nuk ka asgjë të keqe në këtë lloj, me kusht që tregimi të mos përmbajë elemente haram, tallje me të tjerët apo përgojim. Duhet të jetë i lirë nga këto gjëra. Nëse tregimi është i lejuar, nuk ka asnjë rezervë për të, dhe nëse është diçka që ka ndodhur me të vërtetë ose ka shumë gjasa të ketë ndodhur, nuk ka asgjë të keqe me këtë.
b. Histori të cilat dihet se janë gënjeshtra dhe nuk kanë ndodhur. Nuk lejohet tregimi i këtyre historive.
c. Histori për të cilat nuk dihet nëse kanë ndodhur apo jo. Nuk ka asgjë të keqe të tregosh këto histori.

Prandaj Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Tregoni nga Beni Israilët, pa asnjë rezervë”. Në mesin e tregimeve që transmetohen prej tyre ka histori të çuditshme dhe të mahnitshme që mund të kenë ndodhur, kështu që ai u tha muslimanëve të transmetojnë prej tyre dhe u shpreh se në disa nga tregimet që transmetohen prej tyre ka gjëra që janë edhe më të mahnitshme. Ebu Davudi ka transmetuar me isnad xhejid (të mirë) se Pejgamberi ﷺ transmetonte histori nga Beni Israilët pas namazit të jacisë dhe ai nuk ndërpritej për asgjë, përveç për namazet obligative. Kjo nxjerr në pah faktin se ai ﷺ ndonjëherë u drejtohej atyre për një kohë të gjatë pas namazit të jacisë.

Siç u përmend më lart, nuk ka asgjë të keqe të tregohen këto histori për të cilat nuk dihet nëse kanë ndodhur apo jo, nëse nuk dihet se janë gënjeshtra, siç theksuan Ibn Kethiri dhe një numër dijetarësh të tjerë. Fundi i citatit.

4. Histori imagjinare të cilat dëgjuesit e dinë se janë imagjinare dhe nuk kanë ndodhur realisht

Nëse këto tregime zbavitëse janë sajuar dhe thënë për t’i shërbyer një qëllimi, siç është përdorimi i tyre si mjet për të mësuar dhe edukuar, dhe të ngjashme, atëherë një numër dijetarësh kanë nxjerrë fetva duke deklaruar se ato janë të lejuara.

Shejh Muhamed Rashid Rida (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Në lidhje me këto tregime imagjinare, të cilat janë të ngjashme me tregimet mekamet [të cilat janë të shkruara në prozë me rimë] të shkruara nga dijetarët tanë të mëparshëm, të cilat lexoheshin në shkollat fetare dhe shkolla të tjera, si Mekameti i al-Badi’s dhe Mekameti i el-Haririut… ai – d.m.th., el-Hariri – tha se nuk njihte asnjë nga dijetarët e umetit në kohën e tij që i ndalonte histori të tilla që shpihen për kafshët, siç është libri Kalilah ue Dimneh. dhe të ngjashme, sepse qëllimi pas tyre ishin këshilla të dobishme, dhe detajet e tregimit nuk janë qëllimi kryesor. Nuk kemi dëgjuar kurrë për ndonjë dijetar pas tij që e ka ndaluar leximin e Mekametit të tij”. [8]

Shejh Ibn Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Nëse dikush dëshiron të paraqesë një shembull kur tregon një histori, si për shembull, nëse ai thotë: Unë do t’ju tregoj për shembullin e një njeriu që tha ashtu dhe ashtu, ose bëri kështu e ashtu, dhe ashtu e ashtu ndodhi, dhe përfundimi ishte kështu e ashtu, nuk ka asgjë të keqe me këtë, aq sa një nga dijetarët tha në lidhje me ajetin: “Dhe jepu atyre si shembull ndodhinë e dy njerëzve. Njërit prej tyre Ne i kishim dhënë dy kopshte vreshtash, që i kishim rrethuar me hurma e midis tyre kishim bërë fusha drithi.” (Kehf: 32): Kjo nuk ndodhi në të vërtetë dhe në Kuran thotë: “Dëgjojeni këtë shembull që ka sjellë Allahu! Janë dy njerëz: njëri ka shumë bashkëpronarë që e kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar, të cilit i përkushtohet. A janë të njëjtë ata në krahasim?! Lavdëruar qoftë Allahu, por shumica e tyre nuk e dinë këtë!” (Zumer: 29). Pra, nëse dikush tregon një histori dhe nuk ia atribuon një personi të caktuar, por është sikur diçka ka ndodhur dhe përfundimi ka qenë kështu e ashtu, nuk ka asgjë të keqe në këtë.

Por nëse ia atribuon dikujt dhe është e pavërtetë, atëherë kjo është haram dhe është gënjeshtër. E njëjta gjë vlen edhe nëse qëllimi i tregimit është që njerëzit të qeshin, sepse transmetohet nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “Mjerë për atë që flet dhe gënjen për t’i bërë njerëzit të qeshin, mjerë për të, dhe mjerë për të.” [9]

Shejh Ibn Xhibrini (Allahu e mëshiroftë) u pyet:

Është e zakonshme në mesin e disa vëllezërve tanë që të tregojnë histori interesante që përfshijnë gënjeshtra për t’i bërë njerëzit të qeshin, dhe kur i këshillojmë ata [të mos e bëjnë këtë], ata thonë: Lejohet të tregohen histori interesante nëse mund të ketë ndodhur. edhe nëse nuk e dini nëse ka ndodhur në të vërtetë. Është e saktë?

Ai u përgjigj:

Fjala e përkthyer këtu si “histori interesante” përdoret për t’iu referuar historive të çuditshme, dhe zakonisht ato janë gjëra që kanë ndodhur, por ato mund të jenë imagjinare. Qëllimi i kësaj është të paraqesë një shembull, siç bëri el-Hariri në Mekametin e tij, dhe siç bënë të tjerët që shkruan libra që përmbajnë këto histori interesante.

Por është e ndaluar të thuash gënjeshtra me qëllim që t’i bësh njerëzit të qeshin. Profeti ﷺ ka thënë: “Mjerë për atë që flet dhe gënjen për t’i bërë njerëzit të qeshin, mjerë për të, dhe mjerë për të.”

Por nëse publiku e di se kjo është një përrallë imagjinare dhe nuk ka ndodhur në të vërtetë, por mund të ketë ndodhur, pra është një paralajmërim ndaj një gjëje të ngjashme që mund të ndodhë, ose është duke i përgatitur njerëzit për ngjarje të tilla të mundshme, atëherë kjo është e lejuar. . Dhe Allahu e di më së miri. Fundi i citatit.

Ajo që mund të kuptohet nga fetvatë e Shejh Ibn Uthejmin dhe Shejh Ibn Xhibrin (Allahu i mëshiroftë të dy) është se kjo lejueshmëri është e kufizuar në llojin e historisë imagjinare që tregohet për një qëllim ose si mësim, dhe është jo për një person të caktuar. Nëse tregimi është krijuar për një person të caktuar, ose është krijuar vetëm për t’i bërë njerëzit të qeshin, atëherë kjo nuk lejohet.

Ndër dijetarët e mëparshëm që kishin një pikëpamje të ngjashme ishte Ibn Haxher el-Hajtemi esh-Shafa‘i (Allahu e mëshiroftë), i cili tha:

Hadithi sahih “Transmeto nga Beni Israilët pa asnjë rezervë” dhe raporti që thotë “Në mesin e tyre ndodhën mrekulli” tregojnë se lejohet të dëgjohen histori të tilla të mrekullueshme për argëtim dhe jo për ndonjë qëllim tjetër. Fundi i citatit.

Nga kjo mund të kuptohet se lejohet dëgjimi i tregimeve të çuditshme dhe të mrekullueshme, ose të ndonjë tregimi për të cilin nuk mund të jemi të sigurt se janë gënjeshtra, për qëllime argëtimi, madje edhe nëse është e sigurt se është gënjeshtër. por qëllimi është të japësh një shembull, të këshillosh dhe të edukosh, si për shembull inkurajimi për të qenë të guximshëm në fjalët imagjinare të njerëzve ose kafshëve.” [10]

5. Çfarë kuptojmë nga ajo që është përmendur në pyetjen – A lejohet të bëhet shaka duke thënë fjalë tallëse, si p.sh. kur përmes tonit të zërit, një person tregon se ajo që do të thotë është diçka tjetër nga ajo që thotë? – është kjo kur një burrë i thotë shokut të tij: A ke filan? Dhe shoku përgjigjet: Jo, por nga toni i zërit të tij shaka, pyetësi do të kuptojë se ajo që do të thotë është po.

Në këtë rast, nëse fokusohemi vetëm tek fjalët, atëherë është gënjeshtër, sepse jo është e kundërta e po-së.

Por nëse shikojmë se çfarë kupton dëgjuesi nga konteksti, mund të mos jetë gënjeshtër, sepse kuptimi që dëgjuesi kuptoi ishte i saktë, dhe sepse fjalët mund të kenë kuptime të ndryshme në varësi të kontekstit në të cilin thuhen dhe mënyrës se si të cilat shqiptohen. Kështu, për shembull, fraza “Çfarë është kjo?” është një pyetje, por një person ndonjëherë mund ta thotë atë me një ton të caktuar zëri nga i cili kuptohet habia ose kundërshtimi, e të ngjashme.

Ngjashëm me këtë është ajo që është transmetuar nga esh-Sha’bi (Allahu e mëshiroftë), se një burrë mendjemprehtë takoi Sha’biun dhe një grua që po ecte me të, dhe ai tha: Cili prej jush është Sha’biu? Ai tha: Ajo është. Dijetarët e përmendën këtë histori; është përmendur nga edh-Dhehebi në Siyar A‘lam en-Nubala (4/311), pa koment.

Vendimi për këtë lloj tregimi nuk është i qartë dhe nuk kemi hasur në ndonjë pikëpamje studiuese në lidhje me të. Ajo që ka më shumë gjasa të jetë rasti është se ekziston një lëshim që lejon këtë lloj, veçanërisht kur ka një tregues tjetër të fortë dhe të qartë për të treguar se çfarë është menduar, megjithëse do të ishte më mirë të mos tregohej historia, në mënyrë që të shmangej një çështje e dyshimtë. Profeti ﷺ ka thënë: “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, porse ndërmjet tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dinë. Andaj, ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar fenë dhe nderin e tij. Ndërkaq, ai që bie në gjëra të dyshimta është sikurse bariu që kullot kopenë përbri zonës së ndaluar dhe në çdo çast bagëtitë mund të hyjnë në të…” [11].

Dhe Allahu e di më së miri.

islamqa.info

——————

[1] Buhariu (6094) and Muslimi (2607)

[2] Buhariu (34) and Muslimi (58)

[3] Ebu Davudi (4990); i klasifikuar si hasen nga Albani në Sahih Ebi Davud (4990)

[4] Ebu Davudi (4800); i klasifikuar si hasen nga Albani në Silsilet el-Ahadith es-Sahihah, nr. 273

[5] Buhariu në el-Edab el-Mufrad (387)

[6] El-Adhkar fq. 377

[7] Mexhmu‘el-Fetava 32/255-256

[8] Fetava el-Imam Muhamed Rashid Rida 3/1091-1092

[9] Lika’ el-Bab el-Maftuh 77/23

[10] Tuhfatul Muhtaj bi Sherh el-Minhaxh 9/398

[11] Buhariu (52)

 

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit