Tërheqje zvarrë – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Sa herë bëhet publik dhe viral ndonjë skandal, dëgjon lajme të tilla se “u shkarkua filan drejtues”, “u morën masa”, “dënojmë aktin”, etj… dhe sigurisht që në fund nuk mungon edhe fjalia e famshme, qershia mbi tortë: “po bëhen hetime për ngjarjen”! Edhe pse në rastin konkret ngjarja ndodhi mu në sy të policisë, që rrinte dhe bënte sehir, apo më saktë i kishte kthyer shpinën dhe shikonte protestuesit, që është skandal edhe më i madh sesa vetë akti i rrëmbimit, goditjes dhe tërheqjes zvarrë të qytetarit protestues.

Në fakt, është për t’i bërë shyqyrin Zotit që njerëzit kanë tani telefona me kamera nëpër duar dhe filmojnë çdo gjë, se për tërheqje zvarrë këta as nuk duan t’ia dinë, e kjo është më e pakta që mund të bëjnë.

Sa e sa njerëz dhunohen në këtë vend përditë, duke i zvarritur nëpër gjykata, zyra, apo spitale, e po të mos kesh mik paranë apo të njohur, zor se mbaron punë kollaj, dhe askush nuk i filmon dhe nuk i bën publike.

Nuk dua t’i akuzoj të gjithë, sepse ka vërtet kudo njerëz të mirë që punojnë me ndershmëri e përkushtim dhe nuk pranojnë asnjë kokërr leku ryshfet, por këta janë si uji i pakët në mes të një kënete të qelbur që kundërmon ngado.

Dhe kjo kënetë janë njerëzit tanë, jemi pra ne vetë, sepse ajo që e bën këtë është pjesë e jona.

Ata që na tërhoqën zvarrë për 45 vjet komunizëm ishin shqiptarë si ne, e këta që na tërheqin zvarrë këto 35 vjet, po të tillë janë. Dhe duket se bashkë me ndërrimin e pushtetit, ndërrohet edhe roli i atij që të tërheq zvarrë, ndërkohë që zvarritja mbetet, herë me hir e herë me pahir.

Kështu që jemi ne vetë ata që tërheqim veten zvarrë, sepse lejojmë të na udhëheqin më mediokrit, më të ligjtë, më të korruptuarit, më të pamoralshmit, më demagogët dhe më mashtruesit në mesin tonë. Dhe kështu që sëmundja prek edhe të shëndoshët dhe shkatërron në fund themelin e rendit social, që është besimi tek njëri-tjetri, nga ku rrjedh edhe besimi tek institucionet.

Nga besimi te njëri-tjetri fillon rrënimi, por dhe ndryshimi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit