2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Urrejtja për të vjetrën – Ekonomia Islame

Më të lexuarat

Autor: Hoxhë Justinian Topulli

Dinjiteti i një populli nis nga identiteti i tij, kështu që nëse do të shkatërrosh dinjitetin e tij bëje të mohojë identitetin që ka, duke urryer çdo gjë të vjetër të tij, që nga gurët e shtëpisë e deri tek emrat e mbiemrat që mbartë. Dhe mënyra më e lehtë për ta bërë këtë është në emër të progresit, të zhvillimit, të bashkëkohores, të modernes, të shkencës dhe të së ardhmes që pretendohet të jetë më e mirë, apo ndonjëherë edhe në emër të së shkuarës legjendare mitologjike.

Sigurisht që e vjetra nuk është e shenjtë, ka në të mjaft të këqija dhe të liga, që duhen lënë pas, sepse në thelb e mira, virtyti, e drejta dhe vetë e vërteta janë më të vjetra se çdo e keqe e mëpasshme. Profeti i Zotit iu thoshte njerëzve se ishte dërguar të përmbushte moralet më të mira, dhe jo t’i zëvendësonte ato tërësisht, duke shkatërruar çdo gjë të kaluar dhe ngritur çdo gjë nga e para.

Shoqëritë evoluojnë pashmangshëm, për shkaqe që shpesh ato nuk i kanë në dorë, por vetë evoluimi nuk është diçka e keqe apo e mirë, është përshtatje me kushtet dhe rrethanat e reja që krijohen. Evoluimi nuk është domosdoshmërisht i dirigjuar dhe i pashmangshëm vetëm në një kah, ai mund të marrë kahe dhe drejtime të ndryshme, në varësi të asaj që njerëzit zgjedhin ose rrethanat dhe kushtet ua diktojnë. Të besosh se ne evoluojmë gjatë gjithë kohës pashmangshëm drejt çdo gjëje më të mirë, është dogmë e pavërtetë e ideologjive materialiste progresiste majtiste.

Vetë historia njerëzore dëshmon për pavërtetësinë e kësaj teze, ndaj dhe betejat e atyre që e promovojnë këtë doktrinë gatifetare, janë pikërisht me historiografinë e popujve, për ta deformuar, retushuar dhe interpretuar atë mbi bazën e kësaj doktrine, duke fshirë nga memoria çdo të mirë të së vjetrës dhe të së kaluarës dhe ngritur në kult çdo gjë që pretendohet se është e re dhe më e mirë.

Ne si shqiptarë më shumë se çdokush tjetër kemi vuajtur dhe po vuajmë pikërisht nga urrejtja për të shkuarën tonë, sidomos atë islame dhe osmane, që na është injektuar me overdozë për dekada të tëra.

Edhe fenomeni modern i stisjes dhe kërkimit të një identiteti imagjinar, të super lavdishëm iliro-pellazg, të humbur në mijëvjeçar, është pikërisht pasojë qesharake e dhimbshme në nivele tragjikomike, e atyre që kërkojnë rrënjët e tyre përtej epokës pesë shekullore osmane, që na është ushqyer ta urrejmë dhe ta shohim si fatkeqësinë më të kobshme dhe të errët që ka pllakosur ndonjëherë historinë tonë si shqiptarë.

Rrallë gjen komb si ne që të luftojë kaq ashpër me vetveten, për të zhbërë emrat dhe identitetin e tij të vjetër, në emër të një identiteti tërësisht të ri të eksportuar nga perëndimi, apo parahistorik imagjinar të epokës mitike.

Të krishterët, sidomos katolikocentrikët mes tyre, prekin sedrën tonë duke na kujtuar se kemi “tradhtuar” fenë e të parëve tanë, duke harruar njëkohësisht se edhe atë fe, të parët tanë e morën pikërisht duke “tradhtuar” idhujtarinë dhe paganizmin e mëparshëm. A mos vallë duhet të kthehemi tek ai për të qenë shqiptarë të vërtetë?! Sipas tragjikomikëve iliro-pellazgjikë, përgjigja është se po!

Ndërkohë laicistët e ateistët, diskursi i të cilëve mbizotëron elitat tona, bëhen bashkë, për të nxirë dhe errësuar edhe më shumë të “vjetrën” tonë islame dhe shndritur deri në verbim të “renë” e perëndimit.

Por, fetë dhe besimet, doktrinat dhe ideologjitë, nuk gjykohen në bazë të vjetërsisë së tyre, por në bazë të vërtetësisë së tyre, dhe kjo është një betejë që çdo sfidues i Islamit e ka të humbur.

Edhe pse sot kudo në botë, por sidomos në perëndim, po shkohet me ritme gjithmonë e më galopante drejt një kulture të “re” dekadente, duke mohuar çdo moral dhe besim të “vjetër” të krishterë, atje konservohet dhe vazhdon të ruhet në arkiva, në sheshe dhe rrugë, në emra dhe kulturë, në letërsi dhe art, në literaturë dhe arkitekturë, trashëgimia e vjetër e kësaj feje, si dëshmi historike e dinjitetit të dikurshëm dhe si referencë për ata që duan të ruajnë vazhdimësinë e identitetit të tyre fetar të dikurshëm.

Ndërsa tek ne si shqiptarë, për më se njëqind vjet, beteja më e madhe e elitave tona politike, akademike, kulturore dhe sociale, ka qenë dhe mbetet zhbërja rrënjësore, fshehja, zhdukja, urrejtja dhe shpërfytyrimi i së “vjetrës” islame të shqiptarëve. Kjo shpjegon, në një farë mase, edhe masakrën arkitekturore për të zhdukur arkitekturën e vjetër osmane të qyteteve tona, që nisi me komunizmin, dhe mungesën e respektit të sotëm për ruajtjen e paprekur të shesheve historike të tyre, për të mos folur pastaj se çfarë është bërë ndaj gjuhës dhe traditave të tjera kulturore, gjatë gati një shekulli.

Rigjallërimi i vrullshëm, i paparashikuar, i identitetit islam nëpër botë dhe këtu tek ne, ka habitur akademikët laikë, por më së shumti ka tërbuar deri në histeri pikërisht këto elitat tona rrënjëshkulura, që urrejnë emrat dhe mbiemrat e tyre, që pështyjnë mbi fenë dhe emrat e baballarëve dhe gjyshërve të tyre, duke përqafuar njerkët refuzues të perëndimit apo stërstërgjyshërit e tyre mitologjikë.

Nëse doni të vazhdoni ta shkatërroni këtë komb edhe më shumë, në një luftë pambarim, për një identitet të “ri” perëndimor (apo edhe për njeriun e ri, siç thoshte regjimi komunist) ose lërjani emrin si të doni, duke përbuzur atë të “vjetër” islam, e keni të garantuar dështimin jo vetëm të luftës, por edhe të vetë këtij kombi, për tu bërë një ditë shtet-komb me dinjitet.

Nëse ne shqiptarët nuk bëjmë paqe të vërtetë -dhe jo të shtirur- me Allahun dhe me fenë e Tij, gjithmonë ters e mbrapsht ka për të na shkuar historia. Ky komb e ka lidhur pazgjidhshmërisht fatin e tij me Islamin, që është një bekim i Zotit për të, ndaj dhe mohimi i këtij bekimi vetëm ligësi do të na sjellë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit