0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Për zbutjen e inflacionit, nuk ndihmon ngritja e pagave

Më të lexuarat

Rritja e pagave nuk ndikon pozitivisht në zbutjen e inflacionit. Inflacioni i sotëm nuk është rezultat i zhvillimeve ekonomike dhe fiskale vendore, por është rrjedhojë e zhvillimeve ndërkombëtare. Prandaj, niveli i tanishëm i rritjes së inflacionit është i natyrës së përkohshme dhe si rrjedhojë e krizave globale.

Inflacioni ngrit pagat, kurse ngritja e pagave e ngrit inflacionin. Ky është cikël ekonomik i rëndomtë që e përcjellë ekonominë. Si rrjedhjojë e këtij cikli, në intevale të ndryshme kohore, ka nivelizim balancues të pagave në raport me inflacionin.

Rritja e madhe e inflacionit në raste të jashtëzakonshme, sikur që është rasti, tani nuk do të arrinte të barazëpeshohej asnjëherë me rritjen e pagave në të njëjtin nivel ose nivel të përafërt. Rritja e ndjeshme e pagave do të ngriste edhe më tepër inflacionin, për shkak se ngritja e pagave në sektorin privat do të shtrenjtonte edhe më tej koston e prodhimit dhe rrjedhimisht produktet. Nga ana tjetër rritja e kostos së prodhimit do të ndikonte negativisht në konkurrueshmërinë e produkteve kosovare në relacion me produktet e huaja.

Gjithashtu, tregu nuk do te kishte më presion të uljes së çmimeve, pasi që inflacioni të bie në nivele të rëndomta. Si rrjedhojë, kostoja e jetesës në esencë, nuk do të bëhej më e volitshme, por më e shtrejtë në afatgjatë.

Kosova, ndryshe nga shumë shtete të tjera, këtë vit a ka luksin e tepricës buxhetore. A është kjo tepricë buxhetore pozitive apo negative është temë tjetër. Fakt është që pritet tepricë e konsiderueshme buxhetore.

Si masë për zbutjen e pasojave të inflacionit, Qeveria mund të vendosë që për disa muaj (3-6) të mos vjelë fare ose të ulë tatimin në të ardhura personale të qytetarëve të punësuar. Nga kjo masë, secili i punësuar do të pranonte deri në 10% shtesë në pagë. Në sektorin publik, njësitë buxhetore shtetërore nuk do të ndalnin tatimin në të ardhura personale për punonjësit e tyre.

Ndërsa, në sektorin privat, pundhënësit do t’ua paguanin punonjësve të tyre vlerën e tatimit në të ardhura personale si shtesë në pagë.

Nga kjo masë do të mund të përfitonin edhe pensionistët në nivele të njëjta, varësisht nga lartësia e pensionit. Kjo masë do të ishte më pak e dhimbshme për ekonominë, sesa secila masë tjetër. Kjo masë do të kishte përkohsisht efektin e njëjtë me rritje të pagave. Qytetarët do të kishin mjete shtesë për ta përballuar inflacionin tranzitor. Njëkohësisht, falë tepricës buxhetore, kjo masë do të ishte lehtë e realizueshme.

Shkruan: Virtyt Ibrahimaga

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit