Pse heshtet Franceska Albanese ndër shqiptarët, edhe pse po flet në emër të gjithë njerëzimit? – Nga Ramadan Ramadani

Më të lexuarat

Pasi me disa shokë debatonim për atë se pse aq pak në shqip dhe ndër shqiptarë përmendet zonja e njohur botërore, Franceska Albanese – raportuesja e OKB-së për Palestinën – ndonëse Palestina është prej çështjeve më aktuale globale dhe kjo grua, që në emër të krejt njerëzimit është në anën e të drejtës dhe të shtypurve, e ka mbiemrin shqiptar, vendosa të ndaj me ju disa mendime rreth kësaj:

  1. Mediat në gjuhën shqipe kanë më shumë mbulim në fusha më spektakulare si pop-kënga dhe futbolli, edhe pse në shumë raste edhe aty kanë pasur huqje dhe mospërfshirje të mëdha. Mjafton të kujtojmë se sa vonë e identifikuan Bebe Rexhën dhe një futbollist nga Turqia, vetëm pasi ai vetë u lajmërua të luajë për përfaqësuesen e Kosovës.
  2. Ka mospërfshirje të madhe në krejt fushat e tjera si kulinaria, kultura, feja, shkenca, e sidomos të drejtat e njeriut dhe humaniteti. René Redzepi, shumë vite pasi kishte yll Michelin dhe pozita të para në botë, e kuptuan se nuk është danez, por shqiptar nga Tetova. Po ashtu edhe Gonxhe Bojaxhiun – të cilën e dinë dhe krenohen me të si nobelisten shqiptare Nënë Terezën – e njohën shumë vonë si shqiptare nga Shkupi. Aq vonë, sa për pak do e merrnin vllehët apo maqedonasit që ende e kontestojnë.
  3. Shqiptarët u ikin çështjeve të mëdha globale, dhe edhe kur i dinë dhe i flasin, i ndërlidhin ngushtë me çështjen e vet.
  4. Frikë nga ndërlidhjet e mundshme të rrezikut dhe ngjashmërive me punë aq të mëdha si luftërat globale, konfliktet bërthamore, gjenocidi dhe qëndresa antisistem ndaj rendit botëror.

Por në këtë rast, me Franceskën ka të bëjë me të gjitha këto nga pak, e ndoshta edhe më shumë – sipas meje. Ajo që ka bërë kjo grua faqebardhë, që na e zbardh fytyrën me përkushtimin e saj ndaj të drejtës, është se ka hartuar një raport të titulluar: “Ekonomia e Gjenocidit”. Dhe menjëherë ekonomistët më të mëdhenj botërorë e përkrahën dhe qëndrojnë njëzëri pas këtij raporti.

Pak kush e ka identifikuar kështu sqarimin e vazhdimit të gjenocidit, përkundër faktit se pas Gazës dhe Ukrainës bota ka ndryshuar. Dhe siç u pa në dy rastet ShBA-Iran dhe Indi-Pakistan, po ndalen shpejt cakërrimat me pasoja të mundshme katastrofale për botën. Franceskën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë futur në listën e sanksioneve pikërisht sepse ajo ka ekspozuar emrat e kompanive më të mëdha. Kompani këto që janë rritur dhe pasuruar këtë vit: nga përfitimi prej gjenocidit – si Microsoft dhe të tjera.

Pra, unë mendoj se pikërisht kjo përmendje është arsyeja pse Albanese, e cila punon pro bono pranë OKB-së, përmendet aq pak nga shqiptarët. Shqiptarët nuk frikësohen as nga Amerika, as nga okupatori cionist, as nga përmendja e gjenocidit, etj. Por ndoshta frikësohen nga madhështia e punës që po bën Franceska: ajo po e drejton krejt dynjanë!
I lumtë!

Ramadan Ramadani

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit