15.3 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Po, derdhe lotin tënd!

Më të lexuarat

Po, derdhe lotin tënd!

Qëndroi mbi varrin e të birit duke e qarë dhe vajtuar. Dikush vajti dhe pasi e ngushëlloi i tha:”O xhaxha! E qara jote nuk ta kthen dot atë që iku!”
Burri e pa në sy folësin dhe i tha me sytë plot me lot:”E di, prandaj dhe qaj!”
Lotët janë pastrim për shpirtin, dëlirësim për zemrën dhe durim e forcim për trupin. Një njeri i cili refuzon ti lajë sytë me lotët e hidhërimit, dhimbjes dhe pendimit, është njeri që ka humbur rrugën!
Profeti Jakub a.s e qau të voglin e tij, Jusufin a.s, saqë iu veshën sytë me perde të bardhë. Ai humbi dhe shikimin nga e qara.
Profeti Muhamed a.s e qau djalin e tij të vogël, Ibrahimin, saqë disa nga myslimanët u habitën, sepse mendonin se burra si Profeti a.s nuk duhej të qanin dhe lotonin.
Po ti shohim të gjithë profetët e Zotit, do të gjejmë se të gjithë kanë historinë e tyre me lotin.
Dikujt i rrjedhin lot pendimi, dikujt tjetër lot mangësish karshi Zotit, dikujt tjetër lot ndarje me njerëzit e dashur dhe familjarët.. Shkaqet janë të ndryshme, por loti është i njëjtë.
Poeti Hafidh Ibrahim, teksa i përgjërohej Zotit, i thoshte:
 
O Ti që ke krijuar lotin nga dhembshuria ndaj të pikëlluarit
Jepi bereqet lotit, ai është ngushëlluesi i të hidhëruarit.
 
Gjëja më e keqe që mund të bëjmë është që ta ndalim lotin, me pretekstin se kështu tregojmë se jemi të fortë dhe të pathyeshëm. Ne nuk e dimë se mu atëherë orën e ndjenjave e kemi privuar nga lëvizja, se ashtu kemi dalë kundër ligjeve të jetës.
Dikush, e kritikoi Profetin tonë kur e pa duke qarë për vdekjen e djalit të tij, Ibrahimit. Por ai i tha se e qara është dhembshuri.
Po, lotët tanë janë dhembshuri e cila na dëshmon se jemi shumë më të dobët sesa mendojmë, se sado të fortë të shfaqemi, mbetemi njerëz, hidhërohemi dhe qajmë!
Shkollat e ndryshme të psikologjisë konfirmojnë dobitë e të qarit dhe rrezikun e shtrëngimit të vetes për të mos qarë, duke theksuar se i fortë është ai që i shpreh emocionet e tij pa frikë se mos e akuzojnë për dobësi. Sakaq, ai që qan i shpreh emocionet e tij të sinqerta, i jep shpirtit të drejtën e vet për të shprehur atë që ka brenda, për të manisfestuar mërzinë, pikëllimin dhe dhimbjen.
Lotët e marrin rëndësinë e tyre nga fakti se janë të paktë, gjë e cila tregon edhe rëndësinë e të qarit. Nëse e ke të vështirë të qash para njerëzve, gjej një vend ku je krejt i vetëm dhe ulu e qaj.
Asnjëherë mos u tall me lotët që shndrrisin në sytë e njerëzve tuaj të njohur. Nëse i sheh në sytë e të rriturve, mos e nënvleftëso hallin që i ka shtyrë për të derdhur lot. Nëse i sheh në sytë e të vegjëlve, asnjëherë mos i ironizo lotët e tyre. Kurrë mos u thuaj atyre që u rrjedhin lot “Mbahu se je burrë!” apo “Shshsht se është turp!”
Loti rrjedh nga një burim i nxehtë, prandaj s’ka përse ta shtosh nxehtësinë e tij me kritika, tallje e ironizime.
Duhet tu tregojmë njerëzve tanë të dashur teksa qajnë, se lotët që ata rrjedhin janë të shtrenjta për ne, se ata rrjedhin mbi zemrat tona, po aq sa rrjedhin mbi faqet e tyre.
Po, çdo pikë loti është e shtrenjtë, por loti më i shtrenjtë mbetet ai që derdhet për hatër të Zotit dhe dashurinë e Tij, është loti i atij që kërkon falje, i atij që pendohet dhe i kthehet Zotit me gjyhanet në duar, me shpresën se do e falë. E kush tjetër përveç Zotit mund ta falë! Kush tjetër përveç Tij, i vlerëson lotët e robit dhe e lumturon për ato lotë!
Janë shumë të ndryshëm lotët që derdhen për dynjanë, nga lotët që derdhen për ahiretin, lotët e atij që pendohet dhe kërkon faljen e Zotit dhe lotët e atij që humbi një shans për gjynahe.
Qaj miku im, qaj, se lotët e pikëllimit janë tregues i humanizmit tënd, lotët e pendimit, janë tregues i adhurimit dhe lidhjeve të tua me Zotin.
 
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit