Es-selamu alejke, o miku im,
Lehtësoje zemrën tënde, sepse të gjitha çështjet rrjedhin sipas caktimit të Allahut, dhe çdo caktim i Allahut është i mirë, edhe nëse të dhemb!
I lutesh Allahut për një gjë me ngulm, por Ai nuk ta jep, e ti pikëllohesh. Nuk e di se je si një fëmijë i vogël që qan kur sheh kokrrat shumëngjyrëshe të ilaçit; i dëshiron ato, por nëna e pengon, sepse e di se ai po kërkon atë që mund të jetë shkatërrimi i tij.
E Allahut i takon shembulli më i lartë. Madje edhe në privimin që vjen prej Allahut ka dhurim!
Humb diçka të shtrenjtë dhe trishtohesh, por nuk e di se Allahu nuk merr veçse për të dhënë.
Kur Hidri e vrau djaloshin, në pamje të parë kjo dukej një vepër e rëndë dhe e tmerrshme. Kështu e gjykoi edhe Musai (alejhi selam). Nuk ka dyshim se zemrat e prindërve të tij u copëtuan nga dhimbja e humbjes.
Pastaj u zbulua e fshehta dhe u bë e qartë se kulmi i mëshirës ishte pikërisht në vrasjen e tij.
Allahu i Lartësuar të merr nga dynjaja jote për ta ruajtur fenë tënde!
⸻
O miku im,
Allahu i rregullon çështjet me një urtësi dhe mëshirë që nuk na shkon as në mendje, sepse shikimi ynë është i kufizuar dhe mendimi ynë i mangët; ne nuk shohim nga e gjithë pamja veçse një pjesë shumë të vogël.
Ndërsa Allahu sheh gjithçka!
Po të kishe qenë me të varfrit kur iu shpua anija, ndoshta do të kishe thënë:
“A nuk mjafton varfëria, që të goditemi edhe në burimin e jetesës sonë?!”
Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe do të shihje flotën e mbretit zullumqar duke ua marrë njerëzve anijet.
Atëherë do ta kuptoje mëshirën e Allahut dhe se një vrimë në anije është më e lehtë se humbja e saj e tërësishme.
I Lartësuar qoftë Ai që sprovon me një të vogël për të shpëtuar nga një e madhe!
O miku im, kur çështja lidhet me Allahun, tregohu i edukuar!
A e ke harruar Kush ta sillte furnizimin ndërsa ishe embrion në barkun e nënës sate?!
A e ke harruar Kush ia zbuti zemrën ndaj teje kur ishe foshnjë, saqë ngrihej për ty natën pa asnjë ankesë, sikur të ishte një shërbëtore që i shërben mbretit të saj?!
A e ke harruar babanë tënd, si nxirrte për ty një kafshatë nga shkëmbi i vështirësive të jetës, që ti të rriteshe, të zhvilloheshe dhe të forcoheshe?!
A e ke pyetur veten Kush të bëri copëz të zemrës së tij, saqë ishte i gatshëm të priste nga mishi i vet për të të ushqyer?
Ai është Allahu!
I Pasuri që nuk ka nevojë për ty, por nuk të braktis.
I Fuqishmi që nuk ka nevojë për ty, por të thërret.
A i harrove të gjitha këto, e pastaj kur të godet ndonjë prej caktimeve të Tij që nuk të pëlqen, fillon të ankohesh e të shfaqësh pakënaqësi?!
Prit rrotullimin e ditëve. Perdet e së fshehtës do të hapen për ty dhe do ta kuptosh se Ai nuk të mori diçka veçse për të të dhënë; nuk të goditi me një sprovë veçse për të të riparuar; dhe nuk të largoi nga një çështje veçse drejt një tjetre që është më e mirë për ty se ajo.
Paqja qoftë mbi zemrën tënde.
Ed-hem Sherkavij
