Një term i ri në narrativën që përshkron keqgjykimet mbi një komunitet
Nga Iqbal Mohamed
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, Baronesha Sayeeda Warsi deklaroi publikisht se Islamofobia kishte kaluar “testin e tryezës së ngrënies” (kishte mbërritur deri në bisedat e zakonshme familjare).
Por për Policy Exchange, një institut kërkimor (think-tank) i krahut të djathtë, i cili është i njohur për mungesën e transparencës sa u përket financuesve të tij, përbuzja ndaj muslimanëve ka qenë në menu për një kohë shumë më të gjatë se aq.
Muajin e kaluar, Policy Exchange publikoi dy raporte mbi një fenomen të ri që po e quan “Islamopopulizëm”, rritja e supozuar e të cilit, sipas tyre, mund të shihet në rezultatet e fundit të zgjedhjeve lokale.
Mund të shpenzoja një kohë të konsiderueshme duke analizuar mbi 100 faqet e materialit përsëritës, pa krye e pa bisht, dhe gjerësisht bosh të këtyre raporteve. Por nuk do ta bëj këtë, sepse do të ishte një humbje kohe për të gjithë, përfshirë edhe veten time.
Ajo që do të them është kjo: bëra gabimin që kërkova në ato faqe për një përkufizim të vërtetë të “Islamopopulizmit”.
Sigurisht, një kusht themelor për çdo analizë serioze politike është përkufizimi i fenomenit që supozohet se po analizohet. Duke parë prapa, nuk duhej të prisja rigorozitet analitik nga një grup lobistësh të motivuar ideologjikisht, të cilët janë veshur në mënyrë të rreme me gjuhën e akademisë, duke braktisur standardet më elementare të saj.
Meqenëse Policy Exchange dështoi të përkufizonte termin e vet, më lejoni të ofroj unë një përkufizim: një islamopopulist është një musliman që nuk ka frikë të sfidojë një establishment politik të lidhur pas një status-kuoje në kalbje e sipër, që ka braktisur miliona njerëz në këtë vend, dhe që e bën këtë me krenari të pakompromis për besimin dhe identitetin e tij.
Fundi i një epoke
Për vite me radhë, votuesit britanikë kanë qenë të bllokuar, të detyruar në shumë raste të zgjidhnin midis dy partive kryesore politike që ndryshonin në stil, por ndanin të njëjtën indiferencë themelore ndaj njerëzve që pretendonin se përfaqësonin.
Si Laburistët ashtu edhe Konservatorët kanë treguar një shpërfillje flagrante ndaj drejtësisë dhe barazisë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ata e shohin klasën punëtore dhe shtresat më të varfra të shoqërisë si njerëz që duhen manipuluar, diskriminuar dhe shfrytëzuar për përfitime personale, politike dhe financiare.
Ajo epokë ka përfunduar, dhe fundi i saj krijon një hapësirë të vërtetë në të dy anët e spektrit politik për një politikë radikale që premton diçka më shumë sesa thjesht një zhgënjim të menaxhuar.
E them këtë me sy hapur: e djathta radikale – nën maskën e partive “Reform”, “Restore” dhe gjithnjë e më shumë e Konservatorëve – po lëviz tashmë për të mbushur një pjesë të këtij vakuumi. Kjo duhet të shqetësojë çdo person në këtë vend që beson te liritë civile, që kundërshton gjenocidin dhe që po lufton për një të ardhme që u shërben masave dhe jo miliarderëve.
Beteja për atë që vjen më pas ka filluar tashmë.
Në vitet e fundit, ka pasur një përpjekje të vendosur dhe të organizuar nga muslimanët anembanë Britanisë për t’u angazhuar me politikën në një mënyrë më domethënëse dhe më kërkuese. Një nga shkaqet e saj më të drejtpërdrejta nuk është e vështirë të identifikohet: qeveria jonë zgjodhi të rreshtohej, hapur dhe me krenari, me një qeveri izraelite që po kryen mizori të patregueshme, dhe më pas i pa votuesit e saj në sy dhe refuzoi të përgjigjej me veprime konkrete.
Në anën e duhur të historisë
Qëndrimi i miliona njerëzve në këtë vend për Gazën ishte i prerë. Politikanët që supozohej t’i përfaqësonin ata ofruan vetëm retorikë të zbrazët duke bërë thirrje për “paqe”, ndërsa ndihmonin dhe mbështetnin në mënyrë aktive një gjenocid në vijimësi.
Prandaj, ata miliona njerëz u përgjigjën në të njëjtën mënyrë. Ajo që lindi ishte një lëvizje e pavarur që u shtri në të gjithë gjatësinë e vendit – një lëvizje me prejardhje, besime dhe identitete të ndryshme, por e bashkuar në refuzimin e një politike që i trajton votuesit si një shqetësim që duhet kontrolluar, dhe jo si një popull që duhet shërbyer.
Unë e kuptoj që kjo mund të jetë e vështirë për t’u rrokur nga karrieristët e Policy Exchange. Ata veprojnë në një botë të vetëinteresit dhe të qasjes institucionale; një botë ku shërbimi publik si një thirrje e vërtetë shpirtërore shihet, në rastin më të mirë, si naivitet – dhe, në rastin më të keq, si plotësisht i dyshimtë.
Kjo është arsyeja pse deputetët e pavarur u duken atyre kaq të huaj. Ne nuk erdhëm në parlament për të ndërtuar karrierë. Ne erdhëm sepse njerëzit që na dërguan atje ishin injoruar për një kohë shumë të gjatë dhe kishin vendosur, më në fund, t’i detyronin politikanët dhe partitë e tyre të dëgjonin.
Parimi themelor që mbështet shërbimin publik – ai i drejtësisë për të gjithë, kudo – është gërryer nga institute si “Policy Exchange” dhe ndjekësit e tyre në mesin e klasës sunduese.
Asnjë sasi shpifjesh, etiketimesh të rreme apo përpjekjesh për të pastruar urrejtjen përmes gjuhës së respektueshme të instituteve kërkimore nuk do të ndryshojë atë që kjo lëvizje është ose atë që ajo përfaqëson. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në anën e duhur të historisë.
Dhe do të vazhdojmë të luftojmë për një Britani më të drejtë, më të sinqertë dhe më të barabartë se ajo që Policy Exchange dhe aleatët e saj janë aq të vendosur të ruajnë. /Tesheshi.com/
Iqbal Mohamed është deputet i pavarur për zonën Dewsbury dhe Batley në Britani dhe anëtar i grupit parlamentar “Independent Alliance” (Aleanca e Pavarur).
