Allahu i Madhëruar i krijoi engjëjt me arsye, por pa dëshira (epshe). Krijoi kafshët me dëshira, por pa arsye. Ndërsa njeriun e krijoi të përbërë nga arsyeja dhe dëshira.
Prandaj, ai tek i cili arsyeja mbizotëron mbi dëshirën është më i mirë se engjëjt, ndërsa ai tek i cili dëshira mbizotëron mbi arsyen është më i keq se kafshët.
Allahu i dalloi krijesat përmes dijes. Ademin e bëri mësues të engjëjve, siç thotë Allahu i Lartësuar:
﴿ قَالَ يَا آدَمُ أَنْبِئْهُمْ بِأَسْمَائِهِمْ ﴾
“Tha: O Adem, tregoju atyre emrat e tyre!”
(El-Bekare, 33)
Kjo është një pozitë mbi të cilën nuk ka pozitë më të lartë. Ndërsa injorantin e vendosi në një gjendje që as shejtani nuk e pëlqen dhe nuk e pranon.
Siç tha shejtani për ata që iu bindën në mosbesim:
﴿ إِنِّي بَرِيءٌ مِنْكَ ﴾
“Unë distancohem prej teje.”
(El-Hashr, 16)
Dhe tha për ata që iu bindën kundër të Dërguarit të Allahut:
﴿ إِنِّي بَرِيءٌ مِنْكُمْ ﴾
“Unë distancohem prej jush.”
(El-Enfal, 48)
Shiko sa i madh është ky dallim mes dy njerëzve:
Njërit i bëjnë sexhde engjëjt dhe ai u mëson atyre atë që Allahu ia ka mësuar, ndërsa tjetri arrin në një gjendje saqë as shejtani nuk pranon ta ketë mik apo aleat!
Burimi: Çelësi i Shtëpisë së Lumturisë
✍️ Ibën Kajjimi
