4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Trupi nuk është turp

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Trupi nuk është turp

A është trupi i njeriut, e në veçanti ai i gruas, diçka e turpshme në vetvete?
Ekzistojnë shumë tekste nga Kurani dhe tradita profetike, që urdhërojnë mbulimin e trupit dhe ruajtjen e nderit, tekste të cilat e konsiderojnë lakuriqësinë si një vepër dhe tundim të shejtanit për të dy gjinitë. Thotë Zoti në Kuran:”O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme!” (Araf, 27)
Shohim që Kurani u drejtohet meshkujve tekstualisht “O bijtë e Ademit” gjë e cila tregon se teksti u drejtohet fillimisht atyre, por që përfshin dhe femrat, gjë e cila kuptohet “ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti”.
Tekste të tjera janë posaçërisht për mbulimin e femrës. “O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit.” (Ahzab, 59)
“Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme.” (Nur, 31)
Në një hadith të transmetuar nga Buhari dhe Muslim, Aishe e pyet Profetin a.s:”Po nëse ndonjëra nga ne nuk çka veshje për tu mbuluar?” Profeti a.s i tha:”Të veshë të motrës.”
Për shkak se flitet aq shumë rreth këtij koncepti, shumë njerëzve u është pështjelluar çyshtja, duke menduar se mbulesa shërben për të fshehur diçka të turpshme nga sytë e njerëzve. Madje, ata kanë një këndvështrim ironik dhe poshtërues, saqë tek disa shoqëri islame, termi “avret” është sinonim i “turpit”.
Diçka e tillë duhet kapur dhe korrigjuar sa më shpejt, pasi nuk ka turp në krijimin e Zotit. “Ne e kemi krijuar njeriun në formën më të mirë” (Tin, 4)
“Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni” (Mulk, 3)
“Ai i cili ka përsosur gjithçka që ka krijuar” (Sexhde, 7)
Turpi fillon e shfaqet kur zbulohet ajo që duhet mbuluar, shfaqet me lakuriqësinë të cilën Zoti na ka urdhëruar ta mbulojmë, shfaqet kur kapërcehen kufijtë e vendosur nga Zoti, jo tek vetë organet.
Tekstet fetare janë të qarta në lartësimin e krijimit të njeriut, mashkull qoftë apo femër. Urtësia e krijimit duket qartë në bukurinë dhe hijeshinë e përsosur, në harmoninë mes organeve.
Thotë Zoti në Kuran:”O njeri, ç’të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar, i Cili të krijoi ty, të dha përmasa të rregullta dhe të harmonizoi dhe, që të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur?!” (Infitar, 6-8)
Zoti u ka dhënë formë dhe i ka vendosur organet sipas nevojës së njeriut, pa privilegjuar asnjërin prej tyre.
Kjo krijesë e pashme, e bukur dhe kreative, tregon për mrekullinë e krijimit. Asaj i mjafton që vetë Krijuesi e ka vlerësuar, për ta kuptuar sa e mrekullueshme është. E nëse ndonjëri prej nesh ka një këndvështrim tjetër, kjo i ndodh për shkak të trashëgimisë kulturore, e cila e sheh të shëmtuar edhe krijimin më madhështor.
“ju ka dhënë formë e jua ka përsosur atë” (Gafir, 64)
Çdo njeri është i bukur, qoftë dhe në një aspekt të caktuar. Sakaq, gruaja përveç bukurisë ka dhe tërheqjen dhe tundimin. Ky është dhe sekreti dhe urtësia në mbulimin e saj para syve parazitare, kureshtjeve të papërmbajtura dhe kënaqësisë tunduese.
Të flasësh vetëm për rregullat e avretit, ashtu siç ka ndodhur më parë dhe ndodh, është diçka e mirë, por lipset që të plotësohet edhe me udhëzime mbi sekretin dhe urtësinë hyjnore në ligjet që ka caktuar. Vetëm kështu arrihet të krijohet një koncept i drejtë për trupin, vetëm kështu vendoset harmonia materiale me atë psikologjike dhe intelektuale, gjë e cila prodhon bindje dhe siguri tek Zoti i lartësuar.
E kam provuar me veten time dhe kam kuptuar edhe nga përvoja me të tjerët, se besimit tek Zoti, urtësia dhe madhështia e krijimit të femrës (dhe mashkullit) me këto organe të jashtme dhe të brendshme, është ai që vendos harmoninë e duhur dhe na ndihmon të kuptojmë urtësinë e krijimit. E nëse njeriu ndahet nga ky koncept hyjnor, mund ti depërtojë në zemër një farë shëmtie, neverie dhe dyshimi në urtësinë e krijimit, gjë e cila çon gjer në urrejtjet patologjike të njerëzve para islamit ndaj femrës, mallkimin e fatit kur lindte femër, pasi e shihnin si turp.
Zoti i lartësuar e përmend Merjemen e ndershme tridhjetë herë në Kuran.
Ndërkohë, e përmend emrin e profetit Muhamed a.s vetëm katër herë.
Zoti e sjell modelin e Merjemes në Kuran, si model që ruajti nderin e vet. Ai e përmend me emër dhe tregon se ajo e ruajti nderin e saj, pra ruajti të gjithë trupin dhe zemrën nga gjëra që zemërojnë Zotin. Si shpërblim, Zoti dërgoi Xhibrilin a.s që ti fryjë, gjë e cila do të pasohet me lindjen e Isait a.s, profetit të nderuar.
“të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë,” (Muminun, 6)
Të shohësh si diçka të shëmtuar trupin apo instinktet trupore, është një lloj patologjie dhe ndrydhje. I lartësuar është Zoti, Krijuesi dhe i Gjithëdituri:” Lavdëro emrin e Zotit tënd, më të Lartit, që ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjestuar drejt; që ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën; që bën të rriten kullotat dhe pastaj të shndërrohen, të thahen e të vyshken.” (Ala, 1-5)
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit