4.4 C
Pristina
Friday, February 3, 2023

Ndërtime pa dëmtuar mjedisin, lirë dhe të mira

Më të lexuarat

Ndërtesat janë dëmtuesit më të mëdhenj të mjedisit: ato janë arsyeja që çdo vit në botë të prodhohen dhjetë miliardë tonë dioksid karboni. Dioksidi i karbonit krijohet gjatë ngrohjes dhe prodhimit të rrymës dhe gjatë ndërtimit të banesave. Çdo banor toke prodhon mesatarisht rreth 1.3 ton dioksid karboni në vit.

Sipas një studimi të OKB, sektori i ndërtesave ka shkaktuar në vitin 2021 në gjithë botën, 37 për qind të emisioneve të dioksidit të karbonit që lidhet me energjinë, më shumë se sa industria 30 për qind dhe sektori i transportit 22 për qind. Si mund të ulen këto emisione, dhe cilat janë masat që duhen marrë në mënyrë që ne të jetojmë në mënyrë të qëndrueshme, lirë dhe mirë?

Sa më shumë hapësirë banimi, aq më shumë CO2 

Njëqind vitet e fundit nuk është rritur vetëm numri i njerëzve që banojnë tokën, por është rritur sidomos hapësira e tyre e banimit. Njëkohësisht janë rritur shumë të ardhurat dhe numri i njerëzve që jetojnë vetëm. Por dallimet janë shumë të mëdha. Ndërkohë që në Nigeri një person banon mesatarisht në një sipërfaqe banimi prej gjashtë metra katrorësh, në Turqi jeton në 18 metra katrorë, në Brazil në 24, në Kinë në 30, në BE në 38 dhe në SHBA në 75 metra katrorë.

Në Gjermani sipërfaqja mesatare e banimit për person është trefishuar që nga viti 1950, duke shkuar nga 15 metra katrorë në 48 metra katrorë. Sipërfaqe të madhe banimi kanë sidomos të moshuarit, fëmijët e të cilëve janë larguar nga shtëpia: të moshuarit jetojnë mesatarisht në 60 metra katrorë sipërfaqe banimi.

Sa më shumë banesa dhe shtëpi që ndërtohen aq më shumë energji përdoret për ngrohjen e tyre dhe për energjinë elektrike që përdorin, dhe aq më shumë dioksid karboni krijohet nga ndërtimet e reja.

Izolimi kursen energji, para dhe CO2 

Ndërtesat e vjetra kanë nevojë për shumë energji për t’u ngrohur. Kjo kushton shumë dhe harxhon burimet. Nëpërmjet izolimit dhe impianteve moderne të ajrosjes, tek ndërtesat e vjetra mund të kursehet deri 90 për qind e energjisë. Përveç kësaj kostot e ngrohjes mund të ulen nëse përdoret më pak hapësirë banimi.

Si mund të ngrohim lirë dhe pa e dëmtuar klimën? 

Nevojat për ngrohje mund të mbulohen duke mos përdorur karburante me bazë fosile, por duke përdorur biogas, dru ose peleta. Meqenëse këto mundësi janë duke u zvogëluar gjithnjë e më shumë, ekspertët këshillojnë që ngrohja të bëhet me pompa gjeotermike që thithin nxehtësi nga toka ose nga ajri, vihen në lëvizje me rrymë dhe prodhojnë kështu nga një kilovat orë rrymë deri në shtatë kilovatë energji për ngrohje.

Kjo teknikë nuk shkakton pluhurin e imët që dëmton shëndetin dhe nëse përdoret rrymë e prodhuar në mënyrë ekologjike, nuk emeton dioksid karboni. Në Skandinavi ngrohja e ndërtesave ka kohë që bëhet me pompa ngrohjeje dhe rrjetet e ngrohjes në distancë mbahen në përdorim me pompa të mëdha. Duke e kombinuar këtë me ngrohjen diellore, ngrohjen me biomasa dhe ngrohjen gjeotermike, disa nga rrjetet e ngrohjes në distancë janë kthyer atje që tani në të padëmshme për klimën.

Nganjëherë ngrohja diellore është krahasimisht shumë e lirë

Nevoja për rrymë në banesa mund ulet ndjeshëm edhe nga pompat e ngrohjes që përdorin energji me kursim, nga frigoriferët që përdorin energjinë në mënyrë efiçiente dhe nga llampat LED. Me elementët fotovoltaikë në çati dhe fasada, rryma elektrike mund të prodhohet lirë direkt në shtëpi, duke mos e dëmtuar klimën.

Në Gjermaninë që ka pak diell, rryma e prodhuar nga impiantet diellore dhe me panele fotovoltaike të vendosura në çatinë e shtëpisë kushton më pak se dhjetë cent për kilovat orë. Kjo është më pak se një e katërta e çmimit krahasuar me energjinë e marrë nga rrjeti, e cila kushton mesatarisht 40 cent për kilovat orë. Investimi në modulet e çatisë lahet brenda 5 deri 15 vjetësh dhe pas kësaj kohe rryma prodhohet falas për rreth dy dekada me radhë.

Materiale të riciklueshme, jo beton, çelik dhe plastikë 

Gjatë ndërtimit të ndërtesave emetohet shumë dioksid karboni, 0,5 deri 0,8 tonë dioksid karboni për një metër katror sipërfaqe. Gjatë ndërtimit të një banese prej 100 metra katrorësh kjo sasi arrin 50 deri 80 tonë dioksid karboni. Sa për krahasim, në Indi emetimi i dioksidit të karbonit është 2 tonë në vit për kokë.

Emisionet e dioksidit të karbonit shkaktohen kryesisht gjatë prodhimit të çimentos, kalkut dhe gipsit 25 për qind, gjatë ndërtimit vetë 10 % si dhe gjatë prodhimit të materialeve të ndërtimit si pllakave izoluese 8% dhe metaleve 8 %.

Nëpërmjet përdorimit të materialeve të tjera të ndërtimit si druri dhe shtimit të materialeve izoluese sipër shembull kashtës, mund të ulen emisionet e dioksidit të karbonit gjatë ndërtimeve të reja në Gjermani deri në 50 për qind.

Rinovim në vend të ndërtimeve të reja kursejnë para dhe CO2

Rinovimi i ndërtesave të vjetra në vend që të bëhen ndërtime të reja, kursen po ashtu shumë dioksid karboni dhe ul kostot. Një rinovim kushton shpesh rreth një të katërtën më pak se një ndërtim i ri. Emetimi i dioksidit të karbonit nga ndërtimi dhe mbajtja në përdorim mund të ulet kështu më shumë se përgjysmë.

Arkitektët, shkencëtarët, shoqatat e ambientit kërkojnë që të ndryshojë mënyra e të menduarit gjatë planifikimeve urbane dhe dhënies së lejes së ndërtimit. Ata kërkojnë që shkatërrimi i ndërtesave të vjetra dhe ndërtimi i ndërtesave të reja të pengohet, duke kthyer në normë rinovimin e ndërtesave të vjetra.

30m² sipërfaqe banimi për person për të mbrojtur klimën?

Duke pasur parasysh nevojën për banesa dhe krizën e klimës, ndryshimi i mënyrës së të menduarit duhet bërë edhe nga shoqëria dhe politika. “Sipërfaqja në të cilën jetohet sot në Gjermani, do të mjaftonte për 200 milionë vetë, nëse ne do mjaftoheshim të jetonim në të njëjtën sipërfaqe që ka qenë e zakonshme në vitet 1960,” thotë sociologia Maike Böcker. Ajo punon në Institutin e studimeve kulturore në Esen dhe flet për dilemën dhe sfidën e shoqërisë që nuk dëmton klimën në librin e saj me titull “Si mund të kemi mjaftueshëm nga pak”.

Popullsia e botës tetë miliardë

Për të respektuar kufirin e 1,5 gradëve, instituti i Vupertalit kërkon në një studim që të kufizohet dhe të ulet nevoja në rritje për sipërfaqe banimi për frymë “duke përdorur forma inteligjente dhe fleksible përdorimi të sipërfaqes së banimit”.

Universiteti Teknik i Gracit mendon për një nga skenarët e mundshëm, se nevojat për energji në gjithë botën duhet të ulen me 40 përqind megjithëse numri i popullsisë është në rritje, në mënyrë që të mund të respektohet kufiri prej 1,5 gradësh. Studiuesit këshillojnë për këtë gjë që mesatarja globale e hapësirës së banimit të jetë 30 metra katrorë për person.

Jetesë më e mirë në moshë të thyer me më shumë kontakt 

Një potencial të madh kursimi ekspertët shohin tek të moshuarit. Në vendet industriale si Gjermania, shumë të moshuar jetojnë pasi fëmijët dalin nga shtëpia, vetëm ose në çift, në banesa ose shtëpi të mëdha, që shpesh nuk janë të përshtatshme për moshën e thyer. Ndërkohë që mungojnë hapësirat e banimit për familjet e reja, sidomos në qytete.

Në këtë rast mund të ndihmojnë konsultimet e bëra me qëllim dhe ofertat, thotë urbanisti dhe ekonomisti Daniel Fuhrhop. “Për shembull duke u zhvendosur në banesa më të vogla si dhe duke transformuar banesat ekzistuese për të krijuar një banesë shtesë më vete. Edhe dhënia me qira ose banimi me njerëz të tjerë janë opsione të mundshme. Ka shumë modele të mrekullueshme dhe që kanë dhënë prova.”

Disa universitete ndërmjetësojnë ndërkohë studentët që mund të jetojnë lirë tek të moshuarit, duke i ndihmuar ata në punët e shtëpisë. Të preferuara janë ende projektet e banimit për të rinjtë dhe të moshuarit me njësi të vogla individuale banimi dhe shumë sipërfaqe të përbashkët si kopshte, punishte, studio, lavanderi dhe palestër. Zyrat dhe dhomat e miqve mund të rezervohen tek ky model duke i marrë për një periudhë të caktuar lirë me qira. Shumë banorë vlerësojnë ndërtesa të tilla të përbashkëta, ku ata kalojnë shumë kohë bashkë, e njohin më mirë njëri-tjetrin dhe ndihmohen reciprokisht.

/DW/Motilokal.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit