18.2 C
Pristina
Tuesday, June 18, 2024

“Minjtë” dhe pasoja e heshtjes ndaj “të keqes së vogël”

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Çfarë ndodh kur e lëmë një të keqe të vogël pa e evidentuar, pa u marrë me të, pa e zgjidhur në kohën e duhur? Një përgjigje të fortë për pasojat heshtjes së një shoqërie ndaj së “keqes së vogël” na e ka sjellë tregimi “Minjtë” i rrëfimtarit italian, Dino Buxati. Është një rrëfim ku gjithçka ndodh në një fshat me emrin Doganela, ku çifti Koriot, Xhovani dhe Elena, jeton në një shtëpi të vogël, ndërkohë që autorin tonë e ftojnë thuajse çdo verë të kalojë disa ditë aty. Në fillim, ai sheh një mi fare të vogël, por të zotit të shtëpisë i duket aq i padëmshëm sa i vjen keq që ta vrasë. Një verë më vonë ai dëgjon zhurma më të mëdha, kërcitje dhe merr vesh se minjtë janë rritur dhe tashmë në bodrum ka zhurmë prej lëvizjeve të minjve që janë shtuar dhe bëjnë tashmë zhurma nga më të ndryshmet. Por për bashkëshortët Koriot, kjo është thjesht një zhurmë e padëmshme. E kështu kalojnë motet, një pas një, por situata vjen e rëndohet ngaqë zhurma e minjve tashmë është një orkestër e pandalshme. Dy maçokët që ka marrë çifti Koriot ushqehen nga të zotët e shtëpisë, me gatimet e tyre dhe lëvizjen e minjve e shohin me mospërfillje. Por kjo shpërfillje ndaj pranisë së minjve ndodh deri kur në një verë dy macet janë tretur, ndërsa të zotët e shtëpisë sillen çuditshëm përballë kësaj zhurme që dëgjohet kudo. Djali i çiftit, Xhorxho, sqaron vizitorin se macet janë tretur nga frika, pasi minjtë jo vetëm që nuk i tremben pranisë së tyre, por edhe gjurmojnë tashmë maçokët, duka ua bërë jetën ferr, ndërkohë që problemi më i madh mbetet fakti se të zotët e shtëpisë nuk duan as ta përmendin faktin se aty ka minj.

Mbyllja e rrëfimit është krejtësisht e kuptueshme pas kësaj neglizhence. I zoti i shtëpisë i shkruan mikut të tij se ai nuk mund ta ftojë më pasi në atë shtëpi ku ai kalonte disa ditë pushimesh në verë:

“…Kam dëgjuar fjalë të çuditshme, nga burime të ndryshme. Aq të çuditshme, sa njerëzit m’i përsërisin si përralla dhe qeshin. Por unë nuk qesh. Thonë, për shembull, që dy pleqtë e Koriove kanë vdekur. Thonë që nga shtëpia nuk del më asnjeri, dhe ushqimet ua çon një fshatar, e madje ua lë pakon në të dalë të pyllit. Thonë që në vilë s’mund të futet më njeri; që e kanë pushtuar disa minj gjigantë dhe që Koriot janë skllevërit e tyre.

Një fshatar që ishte afruar – por jo shumë, sepse në prag të vilës kishte dhjetëra kafshë të liga e me pamje kërcënuese – kishte thënë se kishte parë zonjën Elena Korio, gruan e mikut tim, atë krijesë të hijshme e të dashur. Kishte qenë në kuzhinë, pranë sobës, e veshur si rreckamane; po përziente një kazan të madh, ndërkohë që tufa minjsh të stërmëdhenj i vinin rrotull dhe e nxisnin, të uritur për ushqim. Dukej e sfilitur dhe e pikëlluar. Kur kishte parë fshatarin që po e shihte, ia kishte bërë me shenjë, me një lëvizje të pashpresë dore, sikur i thoshte: ‘Mos u mundoni kot, është shumë vonë. S’ka më shpresa për ne’”. (Shkëputur nga libri me tregime “Gruaja me flatra”, përkthim i Zija dhe Dritan Çelës).

Rrëfimi i Buxatit vjen si një metaforë e rrezikut përballë dorëzimit në duart e së ligës, në prehrin e së keqes, kur ne e lejojmë të keqen ashtu si çifti Koriot la minjtë të rriteshin e fuqizoheshin deri sa u kthyen në skllevër të tyre. Po a nuk ishin prindërit dhe gjyshërit tanë në një burg të madh ideologjik gjatë diktaturës pasi lejuan që pak e nga pak jetën e tyre ta drejtonte dikush tjetër që i llogariste thjesht numër, pa ua marrë mendimin, por vetëm duke i urdhëruar e duke i kërkuar të lëshojnë çdo ditë nga liria e tyre? A nuk ka ndodhur kështu me ne këto 32 vite ndryshimesh politike duke u mësuar ta shohim viti pas viti të fortin në krye të bashkive, në Kuvend, në zyra shtetërore, e më pas duke u tallur me të shkolluarit, me të diturit, me të drejtët? A nuk po ndodh kështu me ne në punët dhe lagjet tona, kur i hapim udhën lejimit të triumfit të vjedhësit, duke e konsideruar veprimin e tij si zotësi e duke lejuar atë që të tallet me të ndershmit?

….Fatkeqësisht, ne të gjithë e kemi parë dhe jemi duke e parë këtë botë “minjsh”, por shpesh kemi mbyllur sytë. E kur nuk reagon në kohë, ashtu siç ndodhi me çiftin Koriot, zëri ynë, protesta jonë ndaj së keqes, rrezikon të gjykohet më vonë prej “gjykatës së minjve” – një gjykatë që mundet vetëm të përmirësojë burgun e madh që ka ndërtuar për ata që u garantojmë “ushqimin” e tyre, por jo të dorëzohet dhe të pranojë se ka gabuar, se ka përfituar, se është tallur…

/panorama/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit