11.5 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Kur suksesi është gjynah

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid El-Karnij

Kur suksesi është gjynah

Nëse popujt jetojnë në injorancë dhe prapambetje, sëmundja paralele me këtë është fanatizmi sektar, ngurtësia ideologjike dhe diktatura politike. Në kësi rastesh, ata nuk njohin tjetër kënd përveç pjellës së vet dhe tradicionales që kanë trashëguar nga prindërit, edhe nëse nuk është e drejtë. Zoti thotë në Kuran për këtë mendësi: “Ne i kemi gjetur etërit tanë në këtë fe dhe po ndjekim gjurmët e tyre”. (Zuhruf, 23)
Tek popuj të tillë, mendimi opozitar shihet si i gabuar dhe i refuzuar, edhe nëse ai është i drejtë dhe i qëlluar. Ata sulmojnë dhe shënjestrojnë talentet, gjenitë dhe të suksesshmit duke i shkelur me këmbë. Volteri thotë: ”Suksesi, është një gabim që disa njerëz e bëjnë me qëllim të mirë, por që kolegët e tyre kurrë nuk mund t’ua falin.”
Shumë njerëz të fisëm dhe dinjitozë janë shkelur dhe persekutuar nga injorantët. Vetë profetët e Zotit kanë hequr të zitë e ullirit nga injorantët, mediokrët dhe idhujtarët. Shumë njerëz të zgjuar dhe intelektualë, qëndrojnë sus para pushtetit të horrave dhe zemëratës së batakçinjve. Shumë të tjerë i kyçin sekretet në kraharor edhe ndaj njerëzve më të afërt, ngase ata që presin çastin e dobësisë dhe që fluturojnë kur gabon, janë të shumtë. Ata manifestojnë besnikëri dhe dashamirësi me ty, sakaq nga ana tjetër të bëjnë gropën. Zemrat e tyre janë nxirë nga zilia, më shumë se ç’është nxirë gjymi në zjarr.
Unë dua ti ngushëlloj talentet dhe të suksesshmit, të cilët përballen me sulmet e injorantëve, duke u kujtuar biografinë e njeriut më të mirë që ka shkelur mbi tokë, atë të profetit Muhamed a.s. Ai përballej me një injorancë të thellë, e cila kishte formuar aleancë partish, sektesh dhe tribush kundër dijes dhe besimit. Ftesa islame dhe drita e dijes qëndronte përballë errësirës së injorancës dhe dhunës së idhujtarëve. Kjo dhunë ishte në aleancë me mynafikët tradhtarë, hebrenjtë hileqarë dhe me të afërmit inferior. E megjithatë, drita hyjnore e mishëruar tek Profeti a.s, duronte dhe vijonte triumfin e kurorëzuar me sukses: ”Ne të dhamë ty një fitore të qartë” (Fet’h, 1)
Për krahasim, le të shohim mandej periudhën e zgjerimit të territoreve Islame, ku zemrat dhe kraharorët bënë vend për debatin dhe mendimin ndryshe. Asokohe, populli u angazhua me zgjerimet e reja territoriale, zhvillimin dhe civilizimin. E po ky ymet u ligështua dhe u sëmur, u zhyt në polemika sektesh shterpe, fanatizëm dhe imitim të verbër. Liderët politikë u dhanë pas haremeve, muzikës, pijes, garave të qenve etj., sakaq gjenialiteti dhe novatorizmi pësuan rënie. Ndërkohë, njerëzit e suksesshëm dhe kolosët, filluan të përndiqeshin; Ibnu Tejmije u burgos, Ibnu Hulduni u syrgjynos, El-Mutenebiu u ekzekutua në shkretëtirë, Ali ibnu Rushdi u dënua me arrest shtëpie, Ibnu Hazmit iu dogjën librat dhe u dëbua nga qyteti i lindjes, Lisanudin Hatibi u vra etj. Etj. si këto.
Prandaj, suksesi, gjenialiteti dhe talenti, shihen si gjynahe të pafalshme nga të demoralizuarit, dështakët dhe dembelët.
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit