Me këtë veprim Izraeli po e asfikson më tej Gazën

Më të lexuarat

Barriera e re prej dheu po thellon ndarjen e territorit palestinez

Izraeli po ndërton me ritme të shpejta një barrierë të gjatë prej dheu brenda Rripit të Gazës, duke ndarë fizikisht më shumë se gjysmën e territorit që kontrollon nga pjesa tjetër e enklavës palestineze.

Sipas Associated Press (AP), imazhet satelitore tregojnë se deri tani janë ndërtuar mbi 23 kilometra barriera, ndërsa punimet vazhdojnë në disa zona.

Rripi i Gazës, me një gjatësi prej rreth 40 kilometrash dhe mbi 2 milionë banorë, po përballet me një realitet të ri në terren.

Barriera kalon përmes lagjeve dhe komuniteteve palestineze të shkatërruara gjatë luftës, duke krijuar frikën se ndarja e përkohshme e parashikuar nga marrëveshja e armëpushimit mund të shndërrohet në një kufi të përhershëm.

Ushtria izraelite konfirmoi për AP se ka ngritur një barrierë fizike përgjatë të ashtuquajturës “vijë e verdhë”, kufiri deri ku trupat izraelite u tërhoqën sipas marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin.

Sipas saj, përgjatë kësaj vije është krijuar edhe një “zonë sigurie” e pajisur me sisteme teknologjike dhe mjete zbulimi, me synimin për të parandaluar infiltrimin dhe për të mbrojtur trupat izraelite dhe komunitetet pranë Gazës.

Megjithatë, autoritetet izraelite nuk kanë bërë të ditur se deri ku do të zgjatet barriera. As Komanda Qendrore e SHBA-së dhe as struktura amerikane e ngarkuar me mbikëqyrjen e procesit të paqes nuk kanë komentuar mbi projektin.

Barriera po ngrihet me shpejtësi. Vetëm gjatë javëve të para të korrikut, një segment në jug të Gazës u zgjerua nga rreth 500 metra në afro 2.4 kilometra, duke ndarë rrënojat e qytetit Rafah nga zona Muwasi, ku ndodhen disa nga kampet më të mëdha me çadra të palestinezëve të zhvendosur.

Nëse vijohet me ritmin aktual, segmentet e reja do të lidhen me një pjesë tjetër të barrierës, rreth 17 kilometra të gjatë, që shtrihet nga Khan Younis deri pranë qytetit të Gazës. Punimet në këtë zonë kanë nisur që në muajin shkurt dhe vazhdojnë ende.

Ndërkohë, popullsia palestineze është grumbulluar pothuajse tërësisht në pjesën perëndimore të vijës së verdhë. Shumica jeton në kampe të mbipopulluara me çadra dhe mbështetet pothuajse plotësisht te ndihmat humanitare.

Në anën tjetër të vijës, imazhet satelitore tregojnë se shumica e ndërtesave janë rrafshuar me buldozerë dhe eksplozivë.

Qytete të tëra, përfshirë Rafahun, janë shkatërruar pothuajse plotësisht, ndërsa mbi rrënojat e tyre janë ndërtuar rrugë dhe baza të reja ushtarake. Ushtria izraelite deklaron se po shkatërron infrastrukturën e përdorur nga Hamasi.

Sipas AP, vija e verdhë nuk është përcaktuar kurrë me saktësi në marrëveshjen e armëpushimit dhe nuk është shënuar qartë në terren. Rrjedhimisht, disa palestinezë që janë afruar ose e kanë kaluar atë janë vrarë nga forcat izraelite.

Ushtria thotë se qëllon ndaj personave që i konsideron kërcënim, por mes viktimave ka pasur edhe civilë dhe fëmijë. Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, mbi 1.100 palestinezë janë vrarë në sulme ajrore dhe me dronë, ndërsa pesë ushtarë izraelitë kanë humbur jetën nga kundërpërgjigjet e luftarëve palestinezë.

Marrëveshja parashikonte tërheqjen graduale të forcave izraelite drejt skajeve të Gazës dhe zëvendësimin e tyre me një forcë ndërkombëtare sigurie, por zbatimi i saj ka mbetur i bllokuar prej muajsh. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit