6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Kaderi: i shpëtuan luftës në Gaza, gjetën vdekjen në Turqi

Më të lexuarat

Familja palestineze në mesin e viktimave të tërmetit

Dymbëdhjetë vjet më parë, Abdel-Karim Abu Jalhoum iku nga lufta dhe varfëria në territorin e rrethuar palestinez të Gazës për të gjetur më shumë siguri në Turqi.

Të hënën, tërmeti masiv që shkatërroi pjesë të Turqisë dhe Sirisë vrau atë dhe të gjithë familjen e tij.

Ministria e Jashtme palestineze tha se Abu Jalhoum, gruaja e tij Fatima dhe katër fëmijët e tyre, ishin në mesin e 70 palestinezëve që ishin gjetur të vdekur. Numri i përgjithshëm i të vdekurve në tërmet ka shkuar mbi 20 mijë.

“Vëllai im shkoi në Turqi për të kërkuar një jetë më të mirë larg luftërave dhe bllokadave këtu në Gaza,” tha vëllai i Abu Jalhoum, Ramzy, 43 vjeç për agjencinë e lajmeve Reuters ndërsa të afërmit dhe fqinjët hynë në shtëpinë e familjes në qytetin Beit Lahiya në Rripin verior të Gazës të mërkurën për të bërë nderimet.

“Ne humbëm familjen. Një familje e tërë u fshi nga regjistri i gjendjes civile,” tha ai.

Abu Jalhoum kishte punuar si shofer taksie në Gaza, por luftoi për të mbajtur një familje në rritje dhe u largua në vitin 2010 për në Turqi. Atje, ai punoi në një fabrikë druri në Antakya, ndërsa Fatimja dhe fëmijët iu bashkuan pasi u stabilizua.

Foto tregon familjen e varrosur nën rrënoja

Në Antakia, jeta ishte premtuese për babain 50-vjeçar, Fatimën 33-vjeçare dhe fëmijët e tyre, Noura 16, Bara 11, Kenzi 9 vjeç dhe Mohammadi 3-vjeç që ka lindur në Turqi. Gjashtë muaj më parë ata ishin zhvendosur në një apartament të ri, sipas familjes.

Në orët pas lëkundjeve, familja e gjerë u përpoq me dëshpërim t’i kontaktonte, duke thirrur të gjithë ata që mund të ofronin ndonjë informacion. Të martën, ata e njohën familjen në një foto që tregonte të varrosur nën rrënoja, pa jetë.

Në foto, Abu Jalhoum shihet duke përqafuar fëmijët e tij, duke u përpjekur t’i mbrojë me trupin e tij, ndërsa shtëpia e tyre u shemb mbi ta.

Nuk ka shifra të sakta se sa palestinezë jetojnë në Turqi, por shumë prej tyre, veçanërisht nga Gaza, janë zhvendosur vitet e fundit në Turqi, duke ikur nga një territor me popullsi të dendur që ka dëshmuar luftëra të shpeshta që e kanë lënë ekonominë në rrënoja.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara UNRWA vlerëson se rreth 438 mijë refugjatë palestinezë jetojnë në Siri.

Autoriteti Palestinez, i cili ka kontrol të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, tha se kishte dërguar një mision shpëtimi në zonat e prekura.

Në shtëpinë e familjes në Beit Lahiya, nëna e Abu Jalhoum, Wedad, u lut që trupat e tyre të ktheheshin në shtëpi për varrim.

“Unë nuk e kam parë djalin tim, as fëmijët e tij për 12 vjet,” tha nëna duke qarë, e veshur me të zeza dhe e rrethuar nga fqinjët.

“Unë dua fëmijët e mij, dua t’i shoh dhe t’u jap lamtumirën.” /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit