20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Etika dhe normat e tregut

Më të lexuarat

Nga Ebu Hurejre transmetohet, se Profeti (alejhis-salatu ues- selam) ka thënë: “Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë, ndersa vendet më të urryera tek Allahu janë tregjet.” Transmeroi Muslimi.

Nga Abdullah ibn Amr ibn el-Asi shënohet, se ka treguar cilësitë e të Dërguarit të Allahut (Muhamedit) në Teurat, ku ndër të tjerash thuhej: “…Ai nuk ka sjellje të keqe, nuk është i ashpër në komunikim, nuk ua ngre zërin njerëzve nëpër tregje, nuk ia kthen me të keqe atij që i bën keq, por e fal atë…” Transmetoi Buhariu.

Nga Ebu Musa el-Eshariu transmetohet, se i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Kur të kalojë ndonjëri prej jush në xhaminë ose në tregun tonë dhe me vete bart shigjeta le t’i kapë me dorë majat e tyre, që të mos lëndojë ndonjërin prej muslimanëve me to!” Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.

348- Nga Selman el-Farisiu shënohet se ka thënë: “Nëse mundesh mos ji i pari që futet në treg dhe as i fundit që del nga tregu, sepse aty shejtani zhvillon betejën e tij dhe aty ngul flamurin.” Transmetoi Muslimi.

349- Nga Umer ibn Hatabi përcillet, se ka thënë: “Mos të shesë në tregun tonë vetëm se ai që ka njohuri në fe (për shitblerjet).” Transmetoi Tirmidhiu.

350-Nga Tufelj ibn Ubej ibn Ka’bi përcillet, se ai shkonte bashkë me Abdullah ibn Umerin në treg në mëngjes dhe tha: “Kur shkonim në treg, Abdullah ibn Umeri i jepte selam çdo shitësi ushqimoreje, tregtari, nevojtari, apo kushdoqoftë. Një ditë shkova tek Abdullah ibn Umeri prapë dhe më kërkoi ta ndiqja për në treg, I thashë: “Çfarë do bësh në treg, kur nuk shet, nuk pyet për mallrat, nuk bën p pazar dhe as që ulesh në mexhliset e tij? Eja të ulemi këtu e të bisedojmë!” Ai tha: “Vërtet ne shkojmë në treg për t’u dhënë atyre që takojmë selam.” Transmetoi Maliku në “Muvatta”

Çfarë përfitojmë nga hadithet:

1- Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë, sepse ato janë ndërtuar për të adhuruar Allahun. Aty është vendi i devotshmërisë, flitet dhe mësohet e mira. Muslimanët këshillohen dhe konsultohen mes tyre dhe arrihet devotshmëria. Kurse vendet më të urryera Allahu janë tregjet, sepse aty shtohen fjalët e kota e të padobishme, aty betohen njerëzit duke gënjyer, aty hynë dhe dalin të gjitha kategoritë tek e njerëzve, ku në shumë prej tyre nuk ka mirësi, aty mungon edukata dhe etika dhe iu bëhet padrejtësi njerëzve në forma të ndryshme dhe pikërisht në këto vende prezentojnë shejtanët për të cytur dhe nxitur njerëzit për fjalë dhe punë të ndaluara.

2-Duke qenë se tregu është një vend i tillë prej etikës është, që muslimani të futet aty kur e ka të nevojshme, të përmendë Allahun dhe mos të qëndrojë përtej nevojave që ka, në mënyrë që të mos jetë i rrezikuar nga veset e këqija dhe ndalesat fetare.

3- Profeti (alejhis-salatu ues-selam) është shembulli më i mirë për t’u ndjekur. Ai sillej mirë, nuk e prishte etikën, nuk sillej ashpër, nuk e ngrinte zërin, siç bëjnë shumë njerëz nëpër tregje, ruante qetësinë, nuk i bënte keq askujt, por i falte njerëzit dhe tregohej tolerant. Nëse ndjekim rrugën dhe edukatën e tij do të jemi të mbarë dhe plot mirësi kudo.

4- Në kohët e hershme, kur lejohej armëmbajtja në vende publike këshillohej, që të kihej kujdes i veçantë, në mënyrë që të mos lëndohej ose plagosej askush qoftë dhe padashje. Sidoqoftë edhe në kohët e sotme, ku armëmbajtja në vende publike është e ndaluar duhet patur kujdes, që askush nga njerëzit mos të lëndohet me çfarëdo lloj mjeti tjetër, që mund të lëndojë.

5- Prej etikës islame është, që muslimani të mos futet në treg i pari dhe mos të dalë prej tij i fundit, mos të shfaqë dëshirën për të qëndruar në treg sa më shumë dhe për t’i dhënë kësaj bote rëndësi të veçantë, gjë e cila do t’i marrë kohën, do t’i shpenzojë energjitë, do t’i shpërdorojë pasurinë dhe do ta largojë më shumë nga adhurime, té përmendurit e Allahut, përkujtimin e Ahiretit dhe largimin nga punët e tjera të dobishme.

6- Mos të nxitohet askush qoftë shitës apo blerës të futet në detajet e tregtisë dhe transaksionet financiare pa u informuar mirë rreth rregullave të sheriatit islam, të cilat sqarojnë dhe flasin për to, sepse injoranca në këto gjëra sjell padrejtësi të ndryshme dhe përfitimin e
pasurisë së njerëzve nëpërmjet metodave të ndaluara, edhe nëse nuk e ka një qëllim të tillë.

7- Eshtë e pëlqyeshme, që në treg të përhapet sa më shumë selami. Kjo gjë i bën njerëzit të kujtojnë më shumë emrin e Allahut, të jenë më të ruajtur dhe të këshillojnë njëri-tjetrin për punë, virtyte dhe vlera të bukura. Këtu futen edhe lutjet e ndryshme të ndërsjella për shtimin e pasurisë dhe bekimin e përbashkët. Kjo formë e etikës i bën njerëzit të jenë më të afërt, më të sinqertë dhe më të konsoliduar me njëri- tjetrin, duke zbehur dhe minimizuar sa më shumë padrejtësitë dhe cytjet e shejtanit, që nxit veç për keq.

Burimi: “Etika dhe normat Islame” – Hoxhë Mustafa Terniqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit