15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Ekonomistët: Rritja e tatimeve do ta thellojë krizën e qytetarëve

Më të lexuarat

Qytetarë të shumtë kanë raportuar për rritje të çmimit të tatimeve në pronë. Ministria e Financave ka bërë vlerësimin e pronës, e cila me automatizmin ka ndikuar në rritje të tatimit, thonë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, ndërsa nga Ministria e Financave nuk kanë kthyer përgjigje. Ekonomistët vlerësojnë se kjo do ta rëndojë edhe më shumë xhepin e qytetarëve, në këtë kohë inflacioni.

Mbi 100 për qind raportohet se është rritur tatimi në pronë. Qytetarët ankohen për këtë rritje të çmimit nga vitit i kaluar.

“Kam qenë në parapagim, dhe kam pritur që fatura të jetë zero, por kur e pash diferencën prej 79 euro, e pash që nuk është në rregull diçka. Atëherë kam bërë një krahasim me faturën e vjetër dhe e pash që ka rritje të çmimit. Nuk ka pasur asnjë paralajmërim nga zyrtarët, jemi të revoltuar, sepse kjo rritje është e rëndë edhe për ata që kanë paga të rregullta mujore”, thotë qytetari.

Radio Kosova ka kërkuar nga Ministria e Financave të dijë se mbi çfarë bazë janë bërë këto vlerësime, pa asnjë informim paraprak, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa, nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, përmes një postimi ka theksuar se Komuna e Prishtinës nuk ka bërë rritje të normave tatimore. “Ajo çfarë ka ndryshuar është vlerësimi i pronave të Komunës së Prishtinës, vlerësim ky që bëhet nga Ministria e Financave, dhe rrjedhimisht kanë rezultuar me rritje të faturave të tatimit në pronë. Ne kemi kërkuar rivlerësim nga Ministria e Financave, sidomos në këtë kohë krize”, ka shkruar  nënkryetari Zogaj.

Kjo rritje e tatimit në pronë, është një arsye më shumë që qytetarët të lëshojnë vendin, thotë për Radio Kosovën Selatin Kaçaniku, nga organizata “Konsumatori”.

“Një rritje kaq e madhe pa marrëveshje dhe pa paralajmërim, pa pasur fare ndjesë për gjendjen e rëndë të qytetarit konsumator, përveç varfërimit, qytetari rrezikon dinjitet dhe e arsyeton që edhe kjo shtresë e mesme edhe shtresa e pasur që e kanë lëshuar Kosovën, edhe kjo shtresë ta lëshojë Kosovën”, ka thënë Kaçaniku.

Vendimet e tilla, e dëmtojnë qytetarin, në aspekte të ndryshme, vlerëson për Radio Kosovën eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

“Të bien vendime të tilla, një ngritje e tatimit 100 për qind, është një paradoks. Duhet të ngrihet zëri qytetar, dua të besoj se kjo në një formë të kthehet në pikën zero, sepse në qoftë se vazhdohet me këtë trend dhe të bëhet një eksperiment i tillë, është shumë i rrezikshëm por edhe i dëmshëm”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas ekonomistëve, me normën më të lartë të inflacionit, është jonormale që qytetarët të rëndohen edhe më shumë nga rritja e bazës tatimore, rrjedhimisht e tatimit në pronë./radiokosova/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit