9.9 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Ambasadori gjerman në Serbi: Bombardimet e vitit 1999, për të parandaluar gjenocidin në Kosovë

Më të lexuarat

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schieb tha se bombardimi i Jugosllavisë në vitin 1999 ishte një çështje e diskutueshme, por ishte i nevojshëm një reagim, sepse duhej të parandalohej katastrofa humanitare dhe gjenocidi në Kosovë.

“Unë jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e diskutueshme dhe se nuk kishte asnjë vendim të Këshillit të Sigurimit të KB (për fillimin e veprimit ushtarak). Por duhej marrë një vendim, qëllimi ishte të shmangej një katastrofë humanitare, të shmangej gjenocidi”, ka thënë Schieb për Radio Televizionin e Vojvodinës.

Schieb tha se bombardimet ishin shumë të vështira për Serbinë, por nuk duhet harruar se ato nuk ndodhën rastësisht, transmeton Telegrafi.

“Problemi ishte gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën, të gjitha mjetet diplomatike ishin përdorur më parë,” shtoi ambasadori gjerman.

Schieb tha se është e rëndësisë së veçantë që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë, dhe se qëllimi i këtij procesi është i qartë, e kjo nënkupton normalizim gjithëpërfshirës i marrëdhënieve.

“Të gjithë janë dakord që problemi i Kosovës duhet të zgjidhet, kjo do të ishte në të mirë të Serbisë, Kosovës dhe rajonit”, tha Schieb.

I pyetur nëse Gjermania mund të mohojë mbështetjen për Serbinë në rrugën e saj evropiane nëse Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Schieb tha se “është më shumë se një pyetje hipotetike dhe se nuk dëshiron të jetë kaq pesimist.

“Shpresojmë që dy palët të jenë konstruktive. negociatat nuk mund të përfundojnë pozitivisht nëse nuk ka besim dhe atmosferë të mirë. Ne u bëjmë thirrje të dy palëve të shmangin deklaratat që mund të përkeqësojnë atmosferën dhe ta bëjnë të vështirë arritjen e një kompromisi”, tha diplomati gjerman./Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit