Katër letrat sekrete që mund të vendosin fatin e botës në rast të një sulmi bërthamor

Më të lexuarat

Dokumentet tepër sekrete ruhen në katër nëndetëset bërthamore britanike

Një nga detyrat më pak të njohura, por edhe më të rëndësishme të çdo kryeministri të ri britanik është shkrimi i katër “Letrave të Mundësisë së Fundit” (Letters of Last Resort), dokumente tepër sekrete që do të hapen vetëm në rastin më ekstrem: nëse Mbretëria e Bashkuar goditet nga një sulm bërthamor që vret njëkohësisht kryeministrin dhe personin e caktuar për ta zëvendësuar atë në vendimmarrjen për armët bërthamore.

Edhe kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, do të duhet të përmbushë këtë procedurë menjëherë pas marrjes së detyrës. Letrat janë katër kopje identike, të shkruara me dorë, dhe u dorëzohen komandantëve të katër nëndetëseve britanike të pajisura me armë bërthamore.

Ato ruhen në kasaforta speciale brenda çdo nëndetëseje dhe mund të hapen vetëm nëse nuk ekziston më asnjë autoritet politik që mund të japë urdhra.

Që nga krijimi i këtij sistemi, asnjë prej këtyre letrave nuk është hapur ndonjëherë. Megjithatë, ish-kryeministrat britanikë e kanë përshkruar shkrimin e tyre si momentin kur kuptojnë plotësisht peshën e përgjegjësisë që mbajnë.

Ish-kryeministri David Cameron e cilësoi këtë proces si një nga momentet më rrëqethëse të mandatit të tij.

Që prej vitit 1969, Mbretëria e Bashkuar mban gjithmonë të paktën një nëndetëse bërthamore në patrullim diku në botë, zakonisht në Atlantikun e Veriut.

Aktualisht flota përbëhet nga katër nëndetëse të klasës Vanguard, secila e aftë të transportojë deri në 16 raketa Trident me dhjetëra koka bërthamore. Numri i saktë i armëve mbetet sekret shtetëror.

Procesi i hartimit të letrave zhvillohet në praninë e Shefit të Shtabit të Mbrojtjes dhe drejtuesve të lartë ushtarakë.

Kryeministrit i paraqiten modele të gatshme, por ai mund të zgjedhë edhe të shkruajë një tekst krejtësisht të ri. Pas përfundimit të procesit, çdo draft ose shënim i përdorur shkatërrohet menjëherë për arsye sigurie.

Përmbajtja e letrave nuk është bërë kurrë publike, por ekspertët besojnë se ato mund të përmbajnë një nga katër udhëzimet kryesore: urdhër për një kundërsulm bërthamor ndaj armikut, urdhër për të mos reaguar, kërkesë për të ndjekur udhëzimet e aleatëve si Shtetet e Bashkuara ose Kanadaja, ose autorizim që vendimin ta marrë vetë komandanti i nëndetëses.

Pasi vulosen, letrat ruhen në një kasafortë të veçantë brenda një kasaforte tjetër në secilën nëndetëse. Ndërkohë, letrat e shkruara nga kryeministri paraardhës asgjësohen pa u hapur kurrë.

Një tjetër aspekt misterioz, është mënyra se si komandantët do të kuptonin se Mbretëria e Bashkuar është shkatërruar nga një sulm bërthamor. Për shkak se nëndetëset nuk mund të komunikojnë lirisht me botën e jashtme pa zbuluar pozicionin e tyre, ekuipazhi duhet të mbështetet në sinjale të tjera për të vlerësuar situatën.

Për dekada me radhë, një nga treguesit kryesorë ishte transmetimi i BBC Radio 4 në valë të gjata. Nëse sinjali mungonte për disa ditë, kjo konsiderohej një shenjë se diçka katastrofike kishte ndodhur në Britani.

Megjithatë, që nga qershori i vitit të kaluar, ky shërbim është ndërprerë për shkak të kostove të larta, ndaj protokollet janë përditësuar dhe sot mbështeten në sisteme moderne, përfshirë komunikimet satelitore.

Edhe pse shanset që këto letra të hapen janë jashtëzakonisht të vogla, ato mbeten një nga elementët më të pazakontë dhe më sekretë të strategjisë bërthamore britanike, duke simbolizuar përgjegjësinë e jashtëzakonshme që shoqëron drejtimin e një fuqie me arsenal bërthamor. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit