Nga Nexhmedin Spahiu
Perandoria Osmane ishte shtet mesjetar, ku pronar i atij shteti ishte Sulltani dhe nuk ishte ndonjë komb, sepse atëherë kur ajo kulminoi dhe mori nën kontroll territoret e banuara me shqiptarë nuk kishte as komb shqiptar, as komb turk e asnjë çfarëdo kombi në këtë planet. Po flasim për kombe moderne, ndërsa kombet antike kishte kohë që ishin zhbërë. Shteti i Sulltanit nuk kishte qëllim shfarosjen apo dobësimin ekonomik të çfarëdo bashkësie etnike brenda Perandorisë. Ai i luftonte vetëm ata që ia trazonin pushtetin e tij (Sulltanit), kushdo qofshin ata: shqiptarë, turq, grekë, armenë, arabë, kurdë — pa kurrfarë diskriminimi apo mëshire, qofshin këta edhe vetë vëllezërit, motrat apo fëmijët e vetë Sulltanit.
Ndërsa Jugosllavia ishte shtet modern, një emër tjetër për Serbinë e zgjeruar, pra shtet, pronar i të cilit ishte kombi serb. Shteti serb (Jugosllavia) kishte për qëllim që territoret etnike shqiptare që kishte nën kontroll t’i përvetësonte, t’i bënte thjesht territore etnike serbe përmes çdo metode të mundshme, përfshirë shfarosjen apo edhe asimilimin në rastin e shqiptarëve ortodoksë. Pra, ky është një dallim rrënjësor. Sulltani nuk tentoi që territoret e banuara me shqiptarë t’i kolonizonte me turq, sepse për të si shqiptarët, si turqit, si gjithë popujt e tjerë ishin njësoj, mjaftonte t’i paguanin taksat. Po të donte Sulltani me i shfarosë shqiptarët, ai edhe e bënte këtë punë, sepse në shekullin XVI nuk kishte as OKB, as “Kartë të të Drejtave të Njeriut”, por ky nuk ishte qëllim i asnjërit prej 34 sulltanëve të dinastisë Osmane. Kurse çdo regjim serb, sapo e shihte oportune me e dobësu etninë shqiptare, nuk hezitonte të përdorte çfarëdo mjeti që kishte mundësi.
