22 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

A e kanë obligim ligjor bizneset që t`ua rikthejnë paratë blerësve të ‘penduar’?

Më të lexuarat

Jo rrallë mund të na ndodhë që për shkaqe të ndryshme të pendohemi apo thjesht të ndryshojmë mendim për blerjet tona dhe të kërkojmë kthimin e parave apo ndërrimin e produktit.

Praktikat e ndryshme të aplikuara nëpër bizneset në vend kur vjen puna te kthimi i produkteve të blera apo rimbursimi mund të krijojnë konfuzion mbi të drejtat tona si konsumator në këso situatash.

Alterntiva më e shpeshtë e ofruar nga shitësit në vend që është kthimi i produktit me kusht që i njëjti të zëvendësohet me një produkt tjetër brenda të njëjtit biznes, është dukshëm më pak i leverdishëm se politikat e kthimit dhe rimbursimit të aplikuara nga brende të mëdha ndërkombëtare, të cilat funksionojnë njëjtë në shumë shtete, përfshirë Kosovën përmes sistemit të franshizës. Nga brende të tilla në shumicën e rasteve mundësohet rimbursim i plotë i parave brenda afatave të caktuara, të cilat rëndom zgjasin deri në 30 ditë.

Por bazuar në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dërguar Kallxo.com, kërkimi për kthimin e parave nuk është e drejtë e konsumatorit.

“Konsumatori nuk ka të drejt asnjëherë të kërkoj kthimin e parave, përveç në raste të caktuara”- thuhet në përgjigje.

Më tutje përgjigja numëron situatat konkrete kur një gjë e tillë mund të kërkohet, e të cilat dalin të jenë të lidhura vetëm me kushte objektive.

“[Rastet kur konsumtori mund të kërkojë kthimin e produkteve janë kur] Është viktimë e praktikave të padrejta tregtare (mashtruese, agresive, mungesë informacioni); kur produktet janë të dëmtuara, (mospërputhshmëria me kontratën); kur ekziston mangësi në shërbimet e ofruara, pra nuk janë ofruar ne përputhshmëri me marrëdhënien kontraktuale; kur ekziston apo është ofruar nga biznesi garancioni (opsional në diskrecion të tregtarit) si pjesë e marrëdhënies kontraktuale; në rastin e produkteve (përfshirë ato të rrezikshme) të cilat konsiderohet se janë jashtë standardeve, apo ligjeve dhe rregulloreve që rregullojnë fusha përkatëse mbi cilësinë e produkteve dhe shërbimeve”- qartëson më tutje përgjigja e divizionit për komunikim publik e kësaj ministrie.

Nga ky organ qeveritar bëjnë me dije se numri i ankesave të pranuara të kësaj natyre është i lartë.

“Nga fillimi i vitit e deri në muajin shtator janë pranuar 101 ankesa në kategorinë “Rimbursimi i mjeteve”- shkruhet në përgjigjen e MINT-it.

Sipas përgjigjes, Inspektorati i Tregut në të shumtën e rasteve i zgjidh aneksat në favor të konsumtorëve.

“Edhe pse, kthimi i parave pasi të jetë realizuar blerja nuk është një e drejtë e garantuar në çdo rrethanë bazuar në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, Inspektorati i Tregut shumicën e ankesave të konsumatorëve i ka zgjidhur në favor të tyre me mirëkuptimin e të dy palëve”- thuhet në përgjgje.

Në bazë të interpretimit të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumtorit del se nuk ka obligim për shitësit që t`ua rimbursojnë paratë ose mundësojë kthimin e produkteve blerësve përveç në rastet kur ekzistojnë mangësitë e lartcekura. Kjo nënkupton që veprime të tilla “në favor të konsumatorit” janë diskrecionale dhe bien nën politikat e përzgjedhura nga tregtarët.

Në shtetet e Bashkimit Evropian nëse ndonjë tregtar apo kompani synon të shesë mallra në Bashkimin Evropian ose Zona Ekonomike Evropiane, i kërkohet ligjërisht të ketë një rregullim të brendshëm juridik sa i përket kthimit të produkteve dhe rimbursimit të mjeteve.

Dispozita më të favorshme për rikthimin e produkteve me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit njësoj si edhe në Direktivën për të Drejtat e Konsumatorit të Unionit Evropian parashihen për kontratat e lidhura në distancë dhe jashtë lokaleve. Këtu blerësi konsiderohet se nuk e ka luksin për të parë dhe vlerësuar produktin nga afër.

Për blerje të tilla është paraparë e drejta e konsumtorit për rimbursim të plotë kur anulon një blerje qoftë edhe pa asnjë arsyje, brenda 14 ditëve.

E nëse një tregtar nuk informon klientët për këtë të drejtë, periudha e tërheqjes zgjatet automatikisht në një vit.

Tregtarët mund të shtojnë kushtet e tyre për kthim të produkteve për aq kohë sa nuk i shkelin këta parametra ligjor.

Por artikujt si: mallrat e personalizuara, si këmisha dhe kapelet e qëndisura, mallrat që prishen si ushqimi dhe lulet e freskëta, veshje si rroba banje dhe të brendshme, bizhuteritë, si vathët, produktet që janë të datuar, si biletat e koncerteve dhe rezervimet e hoteleve përgjithësisht përjashtohen nga periudha 14 ditore e rikthimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit